Grabitja në Rinas/ Dyshimet për dekonspirimin e operacionit, reagon Policia

Jul 24, 2016 | 13:54
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit ka dalë me deklaratë për shtyp këtë të dielë në lidhje me grabitjen e ndodhur disa javë më parë në Rinas. Ajo hedh poshtë pretendimet se po hetohen efektivë policie me dyshimin se kanë dekonspiruar operacionin që Policia e Tiranës po kryente disa ditë më parë për arrestimin e autorëve të grabitjes spektakolare në Aeroportin e Rinasit.

Furgoni i sekuestruar
Furgoni i sekuestruar

“Nisur nga disa shkrime në media, Policia e Shtetit konfirmon se nuk ka asnjë hetim për dekonspirim të operacioneve policore në kuadër të këtij hetimi, ashtu siç janë të pavërteta e thjesht shpifje, pretendimet për veprime të pasakta nga ana e policisë.

Çdo veprim i policisë është pjesë e një plani hetimor të detajuar e të koordinuar me të gjitha strukturat përkatëse. Për shkak të natyrës së hetimit, policia nuk mund të japë më shumë detaje për publikun, por fton këdo që ka informacion në lidhje me autorët të bëhet bashkëpunues dhe të ndihmojë autoritetet”, thuhet në njoftim.

“Janë angazhuar specialistët më të mirë dhe në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon hetimin e pandërprerë për zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të grabitjes së vlerave monetare në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas”, vijon deklarata.

“Panorama” shkruante sot se operacioni që Policia e Tiranës po kryente disa ditë më parë për arrestimin e autorëve të grabitjes spektakolare në Aeroportin e Rinasit, ka dyshime se është dekonspiruar. (lexo këtu)

Në kohën që Policia ishte informuar për vendndodhjen e furgonit të bardhë, që ishte përdorur nga grabitësit për t’u larguar nga vendngjarja, dikush ka informuar autorët dhe ata janë larguar para se Policia të mbërrinte në adresën ku ata ndodheshin.

Për këtë arsye ka nisur një tjetër hetim për mundësinë e dekonspirimit të operacionit të Policisë. Furgoni i përdorur nga grabitësit e 1 milion eurove në pistën e Aeroportit të Rinasit është gjetur i braktisur në afërsi të “Pallatit me Shigjeta”, në Tiranë.

Automjeti i bardhë, tip “Ford”, pa targa, ndodhet i sekuestruar prej afro 10 ditësh, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ekspertët po kryejnë ekzaminimet e nevojshme për administrimin e provave.

Burimet thanë se deri tani ende nuk është gjetur asnjë gjurmë gishtash apo ndonjë mbetje biologjike që të çojë në identifikimin e autorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura