Grabitja në Rinas: Dështim i shtetit apo vepër e shtetit?

Jul 1, 2016 | 12:40
SHPËRNDAJE

markuMARK MARKU

Grabitja e djeshme në Aeroportin e Rinasit, ku një grup i armatosur kanë arritur të depërtojnë në sheshin e nisjes së avionëve, ka lënë pa mend të madh e të vogël. Ka lënë pa mend e pa fjalë madje edhe tellallët e propagandës zhurmëmadhe qeveritare të vendosjes së shtetit, rendit dhe qetësisë. Ministri Tahiri, i cili, pas çdo goditjeje që ka marrë siguria dhe rendi në vend, është shfaqur para qytetarëve shqiptarë duke u përpjekur t’ua shesë këto goditje si dëshmi të vendosmërisë së shtetit për t’u përballur me krimin, këtë radhë nuk po ndihet.

Një deklaratë lakonike e dalë nga Policia e Shtetit ka mjaftuar për t’i “qetësuar” qytetarët shqiptarë dhe thelbi i deklaratës ka qenë ky: Përgjegjës për sigurinë e aeroportit shqiptar na qenka një kompani private! Mirë që nuk doli me këtë rast edhe ndonjë rilindas mendjendritur të na shpjegonte suksesin e madh të partneritetit shtet-privat! Nëse ndonjë skenarist filmash policeskë do të kishte paraqitur ndokund një skenar të tillë, me siguri do t’i ishte kthyer mbrapsht si tepër fantastik.

Sepse edhe fiksioni artistik më i harbuar e ka një kufi, ndryshe shndërrohet në parodi. Kemi parë nëpër filma, por edhe në kronika informative vjedhje spektakolare bankash, supermarketesh, arkivash, kemi parë terroristë të maskuar që marrin peng avionë, kemi parë me sytë tanë përplasjen e avionëve me kullat binjake, por deri tani nuk di të ketë ndodhur një grabitje e organizuar me makina mu në sheshin e nisjes së avionëve.

Të vjedhësh një makinë me para brenda zonës së fluturimit është gjëja më e pamundur për t’u realizuar. Por ja që u realizua dhe fare thjesht, në mes të ditës: grabitësit hyjnë në aeroport nga një portë, sulmojnë makinën që transportonte shumën prej tre milionë eurosh, marrin paratë, largohen si përherë në drejtim të Fushë-Krujës, dhe si përherë aty djegin makinën e zhduken…

Gjëja bëhet edhe më e pabesueshme kur mendon se vetëm një ditë më parë ekranet televizive u çanë me pamje që tregonin “gatishmërinë e lartë” të Policisë së Shtetit, në Aeroportin e Rinasit, për shkak të atentatit terrorist në aeroportin e Stambollit. Nga pamjet e kronikave televizive dukej qartë se Aeroporti i Rinasit ishte “blinduar” me forca speciale dhe trupa komando, me qen e roje, me kontrolle të “imta” të çdo personi të dyshuar që mund të kërcënonte sigurinë e aeroportit.

Një shef i këtyre forcave madje dha një intervistë ku shpjegonte gjerë e gjatë arsyen e këtij përqendrimi forcash dhe mënyrën se si ata po garantonin aeroportin nga çdo tentativë akti terrorist. Me siguri banda e grabitësve ose ka qenë e zënë me përgatitjen e grabitjes, ose nuk e merr seriozisht propagandën qeveritare për rendin. Ka dhe një mundësi të tretë dhe kjo sado e pambështetur në fakte dhe e paverifikueshme, për momentin duhet marrë në konsideratë.

Ka mundësi që grabitja të jetë bërë pikërisht nga segmente të shtetit dhe ata nuk kanë qenë aty një ditë më parë për të ruajtur aeroportin, por për të garantuar suksesin e grabitjes. Hipotezë e çmendur, po a nuk jetojmë në një realitet të çmendur? A nuk po përjetojmë gjëra të paimagjinueshme? A nuk po na e thonë ditë për ditë në turi se këtu mund të ndodhë gjithçka? Dhe pikërisht për këtë arsye kemi të drejtë të mendojmë se vjedhja në aeroport mund të jetë vepër e atyre strukturave që kanë për detyrë mbrojtjen e aeroportit.

Jeta është më krijuese sesa ne krijuesit, thoshte një shkrimtar. Shteti shqiptar është më batakçi se ç’do ta parashikonte edhe mendja më perverse – do të thosha unë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura