Grabitja në Qafë Kashar/ Kamera kapi makinën ku u vendosën tetë thasët plot me para

Feb 16, 2017 | 17:14
SHPËRNDAJE

TIRANE- Policia dhe Prokuroria duket se kanë pasur prova të forta për autorësinë e grabitjes së 3.2 milionë dollarëve në rrugën e Rinasit që prej ditës së parë të ngjarjes së rëndë.

banka

Burime të sigurta nga hetimi i thanë gazetës “Panorama” dje se që prej ditës kur ndodhi grabitja, policia ka administruar pamjet e marra nga një kamera sigurie në zonën e Qafë- Kasharit.

“Janë administruar pamjet e targave të një automjeti tip ‘Golf’, në të cilin janë vendosur tetë thasët me para pas largimit të autorëve nga vendi i grabitjes”, thanë burimet e hetimit.

Sipas tyre, pasi kanë bërë një copë rrugë, autorët e grabitjes kanë djegur makinat e përdorura në skenën e krimit dhe kanë vendosur thasët në automjetin tip “Golf”, targat e të cilit u verifikuan më pas nga Policia dhe Prokuroria.

Pikërisht ky verifikim ndihmoi grupin e hetimit në gjurmimin jo vetëm të autorëve të ngjarjes, por edhe në përcaktimin e drejtimit ku mund të fshiheshin autorët në zonën e Vorës.

Mësohet se makina në fjalë ende nuk është gjetur, edhe pse ajo ka qenë një pikë referimi për grupin hetimor të ngjarjes në drejtim të identifikimit të autorëve të supergrabitjes së ndodhur shtatë ditë më parë.

Kërkimet për automjetin në fjalë vazhdojnë, ndërsa bëhet me dije se shtetasi Ernest Kupa, i cili është djali i xhaxhait të Ilir Kupës, po hetohet nëse ka qenë apo jo pjesë e “bandës së babagjyshëve”.

Ky grup kriminal u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për dhjetëra grabitje në Tiranë e rrethe, por mendohet se Ernest Kupa i ka shpëtuar identifikimit në hetimin e parë, edhe pse ka qenë pjesëmarrës në krimet e realizuara nga grupi i “babagjyshëve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura