Grabitja e vilave VIP, hajdutët u gjetën nga gjurmimi i iPod

Aug 29, 2015 | 7:06
SHPËRNDAJE

Një pajisje elektronike iPod, e vjedhur në një nga banesat e personazheve VIP në kompleksin “Long Hill”, në Farkë të Tiranës, ka zbuluar tre autorët e një serie vjedhjesh në këtë zonë në muajt korrik dhe gusht të këtij viti.

Provat e sekuestruara
Provat e sekuestruara

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për tre shtetasit: Ardian Suti, Armend Krosi dhe Durim Rasma. Ata janë të dyshuar se kanë vjedhur në disa banesa private (vila), në zonën e Farkës dhe Mjull-Bathore, ku kanë marrë sende të ndryshme me vlerë.

Arrestimi i tre të dyshuarve u bë me dije pak ditë më parë nga policia, ndërsa prokuroria theksoi se ngjarja që ka sjellë kapjen e tre të dyshuarve ka ndodhur më 21 gusht 2015, rreth orës 06:00. Në këtë kohë, tre të dyshuarit kanë hyrë në banesën e një biznesmeni ku kanë vjedhur një laptop, një tablet iPod, ngjyrë e bardhë, me mbështjellëse të zezë, si dhe 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Pronari i shtëpisë që ndodhej aty në momentin e grabitjes, u mor në pyetje dhe tha se kishte dëgjuar zhurma natën, por nuk ishte zgjuar, derisa të nesërmen kuptoi se banesa e tij ishte vjedhur. Ai shpjegoi se mes sendeve të vjedhura ishte edhe një iPod, duke i dhënë të dhënat e pajisjes në fjalë policisë. Disa ditë pas ngjarjes, pajisja elektronike në fjalë iu gjet shtetasit E.C. në Durrës dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Personi të cilit iu gjet iPod-i ka thënë se një ditë pas grabitjes në Tiranë, më 22 gusht, në mbrëmje, e ka blerë pajisjen në Fermë Sukth, te një servis celularësh, ku ka dhënë 80 mijë lekë. Mbajtësi i pajisjes ka thënë se “këtë (tablet) iPod, ka tentuar ta ndezë rreth orës 23:00, dhe pasi është ndezur, ka parë një mesazh, ku shkruhej se ‘ky iPod është i vjedhur dhe kishte numrin e telefonit të një personi, ku ai ka komunikuar të nesërmen, më datë 23.08.2015, rreth orës 11:30’ me këtë person dhe i ka thënë që ‘eja merre iPod-in, por më duhen 10.000 (dhjetë mijë) lekë’, vlerë me të cilën e kishte blerë pajisjen e vjedhur në dyqanin e celularëve”.

Më pas mbajtësi i iPod-it është shoqëruar nga punonjësit e policisë ku ka dhënë shpjegime, ndërsa ndjekja e zinxhirit të personave që kishin shitur iPod-in, e çoi policinë te tre personat e dyshuar.

Në lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje tre të arrestuarit, të cilët shpjeguan se në lidhje me këto vjedhje, ka qenë Durim Rama që ka transportuar me mjetin e tij “Mercedez Benz” shtetasit Sajmir Suti dhe shtetasin Armend Krosi, të cilët i kanë thënë që “na dërgo në vendin ku do bëhet vjedhja dhe nuk ke punë që të hysh te vilat dhe të njoftojmë ne kur të mbarojmë punë”. Durim Rama ka qenë dëshmitar i shitjes së iPod-it, pasi i ka çuar tri herë dy personat e tjerë në zonën ku kryheshin vjedhjet.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura