Grabitja e publikut përmes pushtetit

May 22, 2018 | 11:55
SHPËRNDAJE

gurakuqiROMEO GURAKUQI

Ky shkrim merr shkas nga zbulimi i fundit, i mënyrës sesi vëllai i ministrit të Policisë kishte kontrolluar deri para pak ditësh, territorin që duhej të zotëronte Policia e Shtetit, në hapësirën e Kanalit të Otrantos dhe Kanalit të Korfuzit. Rasti Geron/Agron Xhafa, i krijimit të “autoritetit” privat të marrjes së lejes së drejtimit  dhe operimit të trafiqeve në qarkun e Vlorës, nën mbrojtjen e strukturave ose drejtuesve krahinorë të Punëve të Brendshme, është vetëm një provë dhe një model për të kuptuar sesi menaxhohet hapësira publike në “Shqipërinë që duam”, nga maja e pushtetit qendror, deri në bërthamën e fundit të pushtetit vendor.

Është ky pushtet, që falimenton dhe rrokullis në greminë pa u ndalur, entet publike, klubet, teatrot, qendrat arsimore dhe kulturore nën administrim, për shkak të lëshimit të hapësirës së përbashkët komunitare, të territorit që institucionalisht e kanë për detyrë ta menaxhojnë pastër, ndaj baronëve të krimit dhe korrupsionit. Teza që dua të parashtroj është kjo: Prona dhe paraja publike, e menaxhuar nga pushteti i “zgjedhur”, po përdoret, shqyhet, grabitet, zaptohet dhe kontrollohet në një formë dhe me një mekanizëm piramidal zhvatjeje, që është në një progresion gjeometrik përfitimesh, që fillon nga bazat e pushtetit vendor, drejt majës së pushtetit më të lartë ekzekutiv.

Në Shqipëri, qeveria që votohet për të qeverisur, merr mbi vete tagre që nuk ia jep Kushtetuta, për të tjetërsuar dhe shkatërruar me vendim ekzekutiv, monumentet e kulturës, pronat, hapësirat e lira, institucionet publike. Ky kontroll, ky tjetërsim dhe kjo zhvatje, realizohet me aprovimin dhe drejtimin e ekzekutivit qendror dhe ekzekutivëve krahinorë, përmes grupeve të strukturuara e të licencuara enkas me objektiv grabitës, prej klientelave të formësuara nga pushtetarë të paskrupuj, të vegjël dhe të mëdhenj, drejtorët e tyre, të koncesionarëve të PPP-ve, horrave të bërë “zotërinj”, oligarkisë, që me para të grabitura, jetojnë në vilat e kunorave të qyteteve dhe resorteve të vendit, duke i bërë moral dhe karshillëk shoqërisë së varfër të Shqipërisë.

Kemi të bëjmë me një shkallë hierarkike grabitësish dhe ushtarësh ekzekutues: disa të nivelit lokal që e mbyllin punën brenda urave dhe qendrave të përqendruara urbane, dhe disa të tjerë që shtrihen nëpër autostrada dhe bregdete, forcën e të cilëve mund ta ndalë, për llogari të qytetarëve të thjeshtë, veç një ndërhyrje rrënjësore për zgjidhje politike, e promovuar nga Aleati. Shqipëria po shqyhet nga babëzia e grabitësve dhe e trafikantëve me papionë dhe telekomanda bombash ndër duar, ndërkohë që qytetarët e mbetur në këtë vend, të zanun në kurthin e antishtetit, orvaten të gjejnë mënyrat për të shpëtuar fëmijët e tyre nga skëterra e hordhekut që e ka emrin “Shqipëria që deshën rilindësit”.

Është thelbi i gjithë krizës së sotme institucionale dhe i përplasjes politike, midis shtetit dhe antishtetit, shoqërisë së vakët e të heshtur civile dhe politikës së zaptuar, opozitës demokratike dhe pozitës me thelb komunist e koncesionarë. Është rrjedha logjike e kapjes galopante që pësoi nën vitet e qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama, shteti, territori i tij, autostradat e vetme shtetërore, hapësirat e mbetura publike, institucionet arsimore, hapësirat kulturore, komisariatet e Policisë, parqet publike, stadiumet, sheshet e menaxhimit të mbetjeve urbane, bankat e sajuara për pastrimin e parave të kompanive offshore etj., etj.

Edhe përkuljet politike në aspektet e qëndrimit strategjik ndërkombëtar të Shqipërisë, edhe politikat e dyerve të hapura ndaj depërtimit kulturore antidentitar, janë rrjedhim logjik i detyrimit që Kryeministri dhe grupi i tij i ngushtë shoqëror dhe financiar kanë ndaj satrapëve, që strehojnë paranë publike të grabitur në Shqipëri. Jo rastësisht, ministra të rëndësishëm të qeverisë aktuale janë shndërruar në emisarë e negociatorë privatë të Kryeministrit, që kryejnë udhëtime të fshehta jashtë vendit për përfundimin e marrëveshjeve tinëzare, për kalimin e institucioneve private të arsimit, ose hidrocentraleve malore, nga një grup i huaj ‘investitorësh” në një grup tjetër financiarë të varur nga diktatorët e lindjes që duan të pastrojnë paranë e tyre në këtë parajsë të antiligjit.

Kjo kapje e shtetit dhe pronësisë publike po përmbyllet ose nga organizatat kriminale që operojnë me forcë detyruese mbi pushtetarët, ose nga vetë pushtetarët e pangopur, që kanë ndërtuar enkas shoqëritë e tyre anonime, institucionet financiare të drejtueme prej grave, kurtizaneve të politikës, kushërinjve, shokëve dhe komshinjve, shoqëri këto që fitojnë çdo tender, çdo koncesion, që marrin çdo leje, që kanë kapur çdo ndërmarrje të mundshme dhe nuk mund të hiqen më kurrë. Përmes tyre kalon çdo centim paraje i këtij vendi nën grabitje.

A na bëjnë përshtypje ne tenderët e Ministrisë së Brendshme të fituar nga një djalosh 26- vjeçar, që mbrapa udhëtonte me makinë, duke transportuar para të padeklaruara dhe patentat e kryeskafistit dhe kryepërgjuesit të Punëve të Brendshme? Një sistem i tërë i ndërtuar për të grabitur para dhe për të pastruar para, nën etiketën e shërbimit ndaj qytetarëve dhe integrimit në Europë, nga njerëz që hiqen si shijues të së bukurës dhe si direku më i shëndoshë i shoqërisë, por që në fakt janë zuzarët e limanit të zymtë të Bulevardit ku luhen lojërat më të pista të këtij vendi.

Dhe ironia është se ndërtuesit e këtij sistemi pretendojnë se po reformojnë Policinë e Shtetit, Sistemin e Drejtësisë, Sistemin Politik dhe Kushtetues, Sistemin Arsimor dhe Kulturor dhe njëkohësisht propagandojnë se kanë mbi supe gjithë barrën për hapjen e negociatave me BE në qershor 2018. Ky është mekanizmi që kanë ndërtuar mashtruesit, grabitësit dhe pronarët e kullave të ngrefosur me papionë, që digjen për një çikë aristokratizëm, nën bekimin dhe aprovimin e piramidës shtetërore.

Dhe kjo piramidë është piramida edhe e pengjeve, e përgjimeve masive të çdo qelize të shoqërisë, politikës, medias (çdo bos dhe drejtues ligjzbatues është njëkohësisht edhe kreu i një skeme përgjuese diversive llogarimbajtëse, për çdo rival dhe individ shërbenjës të klaneve kundërshtare brenda së njëjtës llogore dhe jashtë linjës drejtuese). Një skemë e madhe krimi, korrupsioni, komprometimi masiv dhe galopant, që mban peng Shtetin dhe pastrimin e rivendosjen e tij në binarët e Kushtetutës, ligjit, lirive, të drejtave dhe të përgjegjshmërisë publike.

Kjo skemë ka shkatërruar të gjitha organet ligjzbatuese, Policinë e Shtetit, Prokurorinë, Ministrinë e Drejtësisë, burgjet. Secili prej këtyre institucioneve ka një urdhër privat kufizash dhe parimesh, të cilat nuk mund t’i shkele, mbasi përndryshe shkel në domenet që nuk duhet të preken. Jashtë tyre, çdokush mund të shkatërrohet. Shqipëria është në kurthin e madh të antishtetit të ndërtuar nga më finokët e brezit të shqiptarëve të sotëm, që sundojnë, trafikojnë dhe mbysin pa druajtje normalitetin e jetës në këtë vend. Në Shqipërinë e sotme, gjithçka kryhet dhe ekzekutohet, madje duke u tallur, nga këta njerëz të mësuar me rrengje të poshtra.

Liria e popullit dhe shanset për një përparim të vetvetishëm të demokracisë, për shkak të mahisjes të së keqes në përmasa të pangjashme, janë krejtësisht minimale pa një ndërhyrje të kontrolluar korrigjuese. Qeveria e Edi Ramës është praktikisht me mision të kompromentuar rëndë edhe nga këndvështrimi politik socialist dhe europianist. Shpirti i kësaj qeverie, i njollosur pareshtur me dallavere, mashtrime të turpshme e të vazhdueshme, është zvogëluar, zvetënuar, ndryshkur dhe menteshat e banalitetit mbisundojnë veprimin e saj.

Fundi i saj është fundi i njerëzve që të ardhurat e tyre nuk i kanë fituar me djersën e ballit. Pyetja që bëhet është kjo: cili është modeli që do të duhet ta zëvendësojë? Kush mund ta korrigjojë shtetin dhe ta vendosë drejt binarëve normalë europianizues dhe parimeve të lirisë dhe independencës albane? Kjo është një pyetje që kërkon përpunim të studiuar, të konsultuar dhe të mbikëqyrur nga mbrojtësi ynë strategjik. Hapi i parë duhet të jetë largimi i qeverisë së kupolës trafikuese dhe akordimi i një road map dhe një kohë të ndërmjetme për ndërmarrjen e reformave për shpëtimin e shtetit që po bie. Qytetarët e këtij vendi nuk mund të jetojnë më me ankthin se nuk do ta shikojnë më kurrë vendin e tyre të qetë dhe në paqe, për shkak të 40 familjeve dhe 5000 qehajallarëve të tyre me kamxhik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura