Grabitja e dy bankave, zbulohet shuma që iu sekuestrua autorëve

Feb 15, 2017 | 9:46
SHPËRNDAJE

Si provë materiale në arrestimin e autorëve të dyshuar për grabitjet e parave të bankave në “Tiranë-Rinas” policia ka sekuestruar edhe sasi të konsiderueshme parash në banesën ku kreu arrestimet.

arrestimet

Drejtori i Policisë së Tiranës tha dje se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale vlera monetare të konsiderueshme në valutën paund, dollarë amerikanë, kanadezë dhe australianë, euro dhe lekë shqiptare (kartëmonedha këto të deklaruara në transportet monetare të vlerave të bankave respektive). “Panorama” mësoi dje se bëhet fjalë për një shumë prej rreth 1 milion euro.

Në pranga përfunduan Fation Xhyliu, 33 vjeç, lindur në Lushnjë e banues në Tiranë, ish-punonjës në SHPSF “Rogat”; Ditjon Memlika, 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, ish-efektiv në Forcat Ushtarake; Neim Avdulaj, 28 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish-ushtar profesionist në Forcat Ushtarake të Zall-Herrit dhe Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat.

U shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M.A. dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre.

“Është provuar tërësisht mekanizmi dhe roli i të gjithë të dyshuarve të përfshirë në këto 2 ngjarje, duke nisur nga marrja e informacionit mbi lëvizjen e eskortës, vëzhguesit dhe personat që kanë kryer goditjen me armë. Grupi hetimor vijon me intensitet punën për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm, të implikuar në këto ngjarje, por edhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale”, tha dje drejtori i policisë së Tiranës, Hodaj.

Dy grabitjet ndodhën më 3 dhjetor 2015, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare ‘Rogat Security’, në aksin Tiranë – Rinas, në afërsi të Qafës së Kasharit dhe më 9 shkurt 2017, ku u sulmua me armë eskorta e vlerave monetare ‘Jaguar’, në aksin Tiranë-Rinas, afër universitetit ‘Epoka’”.

ETLEVA DELIA/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura