Grabitja e bankës në ish-Bllok, 2 persona në gjyq. Pse veçohet djali i Nehat Kullës

May 3, 2017 | 7:30
SHPËRNDAJE

Edhe pse me tre persona të arrestuar, duket se dosja e grabitjes së bankës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, do të shkojë në gjyq me vetëm dy të pandehur.

banka

 

Prokuroria e Tiranës është duke kryer veprimet e fundit hetimore për këtë ngjarje, për ta dorëzuar dosjen në gjykatë, duke ndarë veçmas procedimin ndaj djalit të Nehat Kullës për shkak të mungesës së provave, shkruan “Panorama”. 

Pas grabitjes së ndodhur mes datave 5-6 gusht 2016, në filialin e bankës private në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, ku u morën rreth 200 milionë lekë, Policia arrestoi shtetasit Roland Liti (Zekaj), 37 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, Alan Babamato, 23 vjeç, dhe Robert Kulla, 35 vjeç, i dënuar më parë për rrëmbim, mbajtje peng personi dhe armëmbajtje pa leje (Kulla u lirua nga Gjykata në shtator 2016). Pikërisht ky i fundit, sipas Prokurorisë, nuk do të dërgohet për gjykim aktualisht në lidhje me grabitjen e ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Kulla ne gjyq
Kulla ne gjyq

Akuza ndaj tij nuk është arritur të provohet pavarësisht veprimeve hetimore të kryera që nga 31 gushti 2016, kur u arrestua, pasi u la i lirë nga gjykata e deri tani. Dyshimet për implikimin e Robert Kullës në grabitje u lidhën nga Policia me faktin se në momentin e ndalimit, 35-vjeçarit iu gjetën në zotërim shuma të mëdha monetare.

Edhe pse Robert Kulla u tha policëve se paratë që i gjetën ishin të disa qirave e bizneseve që ai menaxhonte në Tiranë, djali i Nehat Kullës nuk i shpëtoi arrestimit. Prokuroria kërkoi krahasimin e numrave të serisë së parave të grabitura në bankë me kartëmonedhat që iu gjetën Robert Kullës, por rezultoi se filiali i grabitur nuk i kishte ruajtur kodet e serive të shumës që morën autorët.

Për këtë arsye, veprimet e tjera hetimore nuk kanë bërë të mundur deri tani gjetjen e provave ndaj Robert Kullës, i cili u la i lirë në shtator 2016. Prokuroria pritet të dërgojë në gjykatë të pandehurit Roland Liti, që, sipas akuzës, ka lënë një gjurmë gishti në vendngjarje, pas grabitjes së bankës.

Grupi i hetimit ka kërkuar nga kompanitë celulare identifikimin e numrave me të cilët Liti ka komunikuar para dhe pas grabitjes së bankës, ku ka rezultuar se ka folur me Alan Babamaton. Gjatë arrestimit të tre personave, në 31 gusht 2016, Policia deklaroi se gjeti një shumë prej 16.730 dollarësh amerikanë, një shumë prej 10.480 eurosh dhe 2.625.000 lekësh të vjetër shqiptarë.

Asnjëri nga tre të dyshuarit nuk e ka pranuar akuzën për pjesëmarrje në vjedhjen e bankës, ku autorët hynë pasi hapën dy faqe muri nga bodrumi ku ndodhet filiali i grabitur.

TRAZHGIM SOKOLAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura