Grabitja e bankës, ja dyshimet e policisë për dy vëllezërit nga Lushnja

Feb 13, 2017 | 13:00
SHPËRNDAJE

Policia e kryeqytetit ka shoqëruar dhjetëra persona për grabitjen spektakolare të ndodhur mesditën e së enjtes në rrugën e Rinasit, ku persona ende të paidentifikuar morën 3.2 milionë dollarë të bankës që shoqëroheshin në dy automjetet e “Jaguar Security”.

Grabitja

Por mes të shoqëruarve që janë pyetur dhe janë lënë sërish të lirë kanë qenë edhe dy vëllezër nga Lushnja, të cilët vijojnë prej më shumë se 24 orësh të mbahen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, si të dyshuar për ngjarjen, raporton “Panorama”. 

Njëri prej tyre është punonjës i një policie private. Burime të rezervuara nga Policia thanë se ende nuk ka ndonjë provë konkrete që të ngrihet akuzë ndaj dy vëllezërve, megjithatë dyshimet që kanë çuar në shoqërimin e tyre lidhen me faktin se ata ndodheshin pranë vendngjarjes ditën kur ndodhi grabitja.

Nga verifikimet që janë kryer nëpërmjet antenave të telefonisë celulare, ka rezultuar se të dy vëllezërit kanë qenë të pranishëm 30 minuta para dhe pas grabitjes, në zonën përreth Qafës së Kasharit dhe Rinasit.

Burimet thanë se ata nuk kanë pranuar në asnjë moment të japin shpjegime për arsyet pse ndodheshin aty, duke mbajtur qëndrime mohuese para hetuesve.

Megjithatë, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ata kanë vijuar të mbahen në Drejtorinë e Policisë, ndërsa familjarët e tyre kanë pritur të shqetësuar jashtë, duke mos u lejuar që të futen brenda apo të marrin kontakt me ta.

Sipas hetimeve, grupi i personave që kryen grabitjen e 3.2 milionë dollarëve në rrugën e Rinasit, më 9 shkurt 2017, ka përdorur veshje me mbishkrimin “Policia”. Ky fakt është bërë me dije nga deklarimet që u janë marrë gjashtë efektivave të policisë private, që shoqëronin vlerën monetare në dy automjetet e “Jaguar Security”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë drejtuar Gjykatës së Tiranës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj të akuzuarve, Policia e Shtetit ka qenë e informuar në lidhje me lëvizjen e shumës së parave.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës, Prokuroria e Tiranës ka zbardhur krejt dinamikën e ngjarjes së ndodhur më 9 shkurt në rrugën drejt aeroportit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura