Grabitja e banesës/ Flet nëna e ministrit Gjiknuri: Ja çfarë më vodhën

Oct 12, 2017 | 13:16
SHPËRNDAJE

Nëna e ministrit të Infrastrukturës, Energjisë, Inovacionit dhe Zhvillimit Urban duke folur per grabitjen ka deklaruar dje për gazetarët se shumën që i kanë vjedhur e kishte të mbledhur nga pensioni i saj.

Damian-Gjiknuri-678x381

“Nuk ka as miliona, asgjë. Kanë marrë 3 milionë lekë të vjetra të mbledhura nga pensioni im. Kam një pension prej 40 mijë lekësh në muaj dhe ato kanë vjedhur. Ngjarja nuk ka ndodhur para dy ditësh në darkë, por dje ditën (të martën). Për më tepër duhet të interesoheni në polici, sepse ata i kryen veprimet”, u shpreh dje Liri Gjiknuri, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve.

Nga ana tjetër, Policia e Tiranës sqaroi se të martën është konstatuar që në rrugën “Maliq Muça”, persona të paidentifikuar kanë vjedhur banesën e shtetases Liri Gjiknuri, 67 vjeçe, ku kanë marrë një sasi të hollash rreth 300 mijë lekë, si dhe disa bizhuteri. Policia tha se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërsa mësohet se janë sekuestruar kamerat e sigurisë së disa bizneseve në zonë, për të verifikuar çdo person të dyshimtë që mund të ketë lidhje me ngjarjen. Janë shoqëruar disa persona të dyshuar, por nuk ka ende emra të personave konkretë që mund të jenë autorë të vjedhjes.

Nisur nga deklarata të ndryshme për fshehje të lajmit nga ana e Policisë, në deklaratën zyrtare sqarohet se njoftimi policor është pasqyruar në komunikatën përkatëse në përputhje me procedurat standarde.

ETLEVA DELIA/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura