Grabitja e 100 mijë eurove, policia dyshon se ortaku i kambistit informoi hajdutët

Jul 29, 2015 | 23:02
SHPËRNDAJE

Policia merr në pyetje në cilësinë e të dyshuarit ortakun e kambistit, të cilit iu grabitën 100 mijë euro tri ditë më parë pranë Rinasit. Burime nga Policia e Krujës thanë dje se në cilësinë e të dyshuarit për informim të grabitësve ka qenë edhe ortaku i 61-vjeçarit, Cen Hyseni. Kambisti ka qenë duke i dërguar shumën e parave pikërisht ortakut të tij në një qendër tregtare në autostradën Tiranë– Durrës.

Kambisti Cen Hyseni pas grabitjes
Kambisti Cen Hyseni pas grabitjes

Ortaku i kambistit është shoqëruar në Policinë e Fushë–Krujës mëngjesin e djeshëm, ku është marrë në pyetje për disa orë në lidhje me grabitjen. Dëshmia e tij nuk u ka ardhur në ndihmë hetuesve, pasi ai ka mohuar kategorikisht përfshirjen e tij, qoftë edhe në mënyrë indirekte, në këtë ngjarje.

Burimet thanë se në deklarimet e tij, ortaku i Hysenit është shprehur se nuk ka pasur në dijeni për orarin kur do t’i dërgonte paratë 61-vjeçari. Madje, sipas tij, nuk ka pasur dijeni as për shumën që po transportohej nga Laçi drejt Tiranës.

Nga ana tjetër, ekspertët kriminalistë kanë ekzaminuar hollësisht dy automjetet, atë tip “Benz”, me targa AA 621 ES, që është përdorur nga autorët dhe “Mercedez Benz ML”, me targa TR 7755 T, në pronësi të kambistit.

HETIMI

Përveç dyshimeve se dy grabitësit e 100 mijë eurove të kambistit Cen Hyseni mund të jenë nga Laçi, policia ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete rreth identitetit të tyre. Autorët e ngjarjes janë treguar tepër të kujdesshëm që të mos lënë pas asnjë gjurmë të tyre, qoftë në makinën që kishin vjedhur në Durrës, të cilën e përdorën për grabitjen, qoftë në mjetin e të dëmtuarit që e morën bashkë me paratë.

Burimet thanë se në asnjërën prej makinave nuk është gjetur asnjë gjurmë apo provë që mund t’i çonte drejt identifikimit të autorët.

Grabitësit janë treguar mjaft të kujdesshëm, pasi kanë mbajtur maska dhe doreza, në mënyrë që të mos linin pas asgjë që mund t’i lidhte me krimin. Policia e Krujës ka nisur verifikimin e pamjeve që kanë regjistruar kamerat e sigurisë së “Exchange” në pronësi të Cen Hysenit, që ndodhet përballë Komisariatit të Policisë së Laçit, për të verifikuar nëse autorët e dyshuar mund të jenë afruar aty.

Burimet thanë se nuk po verifikohen vetëm pamjet e ditës së hënë kur ndodhi grabitja, por edhe të ditëve të mëparshme, pasi autorët dyshohet se kanë studiuar prej kohësh lëvizjet e kambistit dhe mund të kenë qenë në dijeni të shumave të parave që ai transportonte. Megjithatë, momentalisht mësohet se nuk ka asnjë emër konkret personash të dyshuar për këtë ngjarje.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura