Maskat grabisin me armë biznesin “Neranxi” në autostradë. Dhunuan rojën e arkëtaren, marrin 130 mijë lekë

Feb 18, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

Foto nga momenti i zbritjes se autoreve nga mjeti i tyre duke hyre ne ambientet e marketit

Dy persona të maskuar e të armatosur grabitën dje zyrat qendrore të një biznesi privat në autostradën Tiranë- Durrës, duke bashkëpunuar me një të tretë që i priste në makinë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:00, në zyrat e kompanisë “Neranxi”, në pronësi të ish-deputetit të LSI, Nikollaq Neranxi.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se autorët e grabitjes kanë qenë të maskuar dhe të armatosur, njëri me automatik kallashnikov dhe tjetri me një shufër hekuri. Ata fillimisht kanë dhunuar dhe lidhur rojën e më pas kanë kërcënuar 5 punonjësit që ndodheshin brenda, duke goditur edhe arkëtaren. Të dyshuarit kanë realizuar grabitjen brenda 4 minutave dhe janë larguar me një automjet tip “Benz”, ngjyrë gri, ku i priste bashkëpunëtori i tretë. Shuma e grabitur dyshohet të jetë rreth 130 mijë lekë të rinj. Ndërsa Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë, të cilat kanë filmuar të gjithë momentin e ngjarjes.

GRABITJA SIPAS KAMERAVE
Në orën 15:02 një automjet tip “Benz”, ngjyrë gri, me targa që nuk i shquhen saktë nga kamerat e sigurisë, kalon portën kryesore dhe futet në oborrin e kompanisë private “Neranxi”, në autostradën Tiranë – Durrës. Sapo makina ndalon, një person i veshur me xhup, me kapuç në kokë dhe me automatik del nga sedilja e parë e automjetit dhe njëkohësisht me të, del edhe një tjetër person i veshur njësoj, nga sedilja e pasme, prapa shoferit, i cili mban në dorë një shufër të gjatë hekuri. Të dy autorët drejtohen te dera kryesore e godinës dhe njëri nga grabitësit godet disa herë me shufrën e hekurit rojën që ndodhej aty, ndërsa tjetri e kërcënon me automatik. Në këtë kohë, bashkëpunëtori i tretë i tyre, ai që drejtonte makinën, kthen automjetin që ta kishte gati për të ikur pas grabitjes.

Për disa sekonda, dy grabitësit dhunojnë rojën në kabinën ku ai qëndron dhe pasi e lënë pa ndjenja, drejtohen te hyrja e zyrave qendrore të kompanisë. Pasi është njoftuar për atë që ndodhte jashtë, një nga punonjëset e zyrës së pritjes futet me nxitim brenda për të lajmëruar tre kolegët e saj që ndodheshin aty dhe një punonjës që ishte i pozicionuar tek arka. Njëra nga punonjëset kap menjëherë telefonin dhe njofton policinë në numrin 129. Në këtë kohë, dy autorët futen brenda dhe punonjësit që ndodheshin aty nxitojnë të fshihen, duke u futur poshtë banakut dhe tavolinave.

Grabitësit futen brenda dhe njëri drejtohet te banaku ku ishin të fshehura tri gratë, ndërsa tjetri shkon te personi që ndodhej te zyra e arkës. Personi që kishte automatik i drejtohet arkëtarit duke e kërcënuar që t’i jepte paratë, ndërsa ai që kishte shufrën e hekurit kërcënon gratë poshtë banakut, madje njërën prej tyre e godet, derisa ajo i tregon se ku ishin paratë. Pasi marrin paratë tek arka, të dy autorët kthehen sërish aty ku ishin fshehur 3 punonjëset, marrin edhe aty një shumë parash dhe largohen. Grabitja ka zgjatur rreth 4 minuta dhe në orën 15:06, autorët dalin te porta kryesore ku i priste automjeti, hipin me nxitim dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

 

Neranxi: Ngjarja e rëndë, Policia do t’i kapë autorët

Nikollaq Neranxi

Pas grabitjes së kompanisë së tij nga dy persona të maskuar dhe të armatosur, pronari i këtij biznesi, ishdeputeti i Himarës Nikollaq Neranxi, shprehet se ka besim te forcat e rendit për kapjen e autorëve. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, Neranxi tregon se punonjësit e tij kanë përjetuar terror nga ngjarja që ndodhi. Sipas tij, terrori dhe frika që ata kanë përjetuar edhe nga goditjet me tytën e armës, është shumë herë më e rëndë sesa vetë vjedhja që ka ndodhur. “Grabitja është kryer nga persona të armatosur, të cilët sapo kanë hyrë në kompani, fillimisht kanë goditur dhe kanë lidhur rojën. Më pas janë futur brenda dhe kanë bërë terror derisa kanë marrë paratë e xhiros ditore. Për mua, ajo që është më rëndë është terrori ndaj punonjësve se sa shuma e grabitur që është 125 mijë lekë të rinj dhe 82 euro. Në kompani ndodheshin gjithsej 5 punonjës. Punonjësit e tjerë që kanë qenë te zyra e pritjes dhe tek arka janë futur poshtë banakut nga frika. Unë kam besim se Policia do t’i gjejë. Kam vënë gjithçka në dispozicion të hetimit. Ne jemi një vend i varfër dhe ngjarje të tilla do të ketë, por rëndësi ka që të kapen autorët dhe që në këtë ngjarje nuk pati viktima”, u shpreh dje Neranxi për gazetën. Më tej, ai sqaroi se pamjet e kamerave të sigurisë janë shumë të qarta, edhe pse autorët kanë qenë të maskuar mirë në mënyrë që të mos identifikohen. Ndërsa sipas tij, makina që i priste jashtë, me të cilën ata kanë ardhur dhe janë larguar, është një automjet që është përdorur edhe për ngjarje të tjera, së cilës autorët i ndërrojnë targat. Në kamera makina duket që është e targuar, por sipas tij targat janë false.

  

[portfolio_slideshow]

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura