Grabitësit mësyjnë Lalëzin, përveç Ristanit vidhet shtëpia ku banonte një deputet tjetër i PD

Jul 29, 2015 | 6:00
SHPËRNDAJE

Vidhen gjatë natës tri vila në një kompleks privat në Gjirin e Lalazit. Bëhet fjalë për vilën e deputetit dhe sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Arben Ristanit, atë të ish-inspektorit të Përgjithshëm të SHISH, Sajmir Kodra dhe vila ku pushonte ish-ministri i Brendshëm, deputeti aktual i PD-së Flamur Noka.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:20, në ambientet e kompleksit “Lura”, ku përgjegjësinë kryesore për sigurinë e ka një kompani e rojeve private e kontraktuar nga pronarët.

Policia bëri të ditur se dy persona, tashmë të arrestuar, Arnold Karaj dhe Donald Vatnikaj, banues në Kodër Kamëz, kanë vjedhur me thyerje tri vilat verore, në të cilat pushonin familjet e tre zyrtarëve.

Foto e nje vile ne Gjirin e Lalzit
Foto e nje vile ne Gjirin e Lalzit

REAGIMI

Burime nga policia sqaruan se është vjedhur vila e Ristanit, ajo e ish-inspektorit të Përgjithshëm të SHISH, Sajmir Kodra, si dhe e një miku të Flamur Nokës, ku ai po pushonte bashkë me familjen e tij. Pas ngjarjes, Arben Ristani reagoi me anë të një postimi në Facebook. “Shtëpia ku po pushon gruaja dhe kunata ime, së bashku me fëmijët në Lalëz, është vjedhur mbrëmë (në orët e para të mëngjesit të së hënës), ndërkohë që njerëzit flinin.

Nuk ka pasur gjë për të vjedhur përveç ndonjë celulari. Do kisha thënë fatmirësisht dëm i vogël, por ndërkohë janë vjedhur edhe disa shtëpi të tjera, ku përveç dëmit, frika dhe trembja e njerëzve ka qenë e madhe. Kam denoncuar shpesh në emër të PD-së se vjedhjet dhe grabitjet janë shtuar shumë dhe ky është tregues i qartë jo vetëm i përmasave të varfërisë, por edhe i gjendjes mizerabël të rendit dhe sigurisë në vend”, thuhej ndër të tjera në postimin e Ristanit. Ndërsa Flamur Noka pohoi se familja e tij po pushonte në vilën e një mikut të tij.

durres, hyrja e vilave1

GRABITJA

Ora regjistronte 03:20 kur në kompleksin “Lura” në Gjirin e Lalzit në harkun e pak minutave u vodhën tri banesat. Sikurse shihet qartë nga sekuencat filmike të fiksuara nga kamerat e sigurisë, të sekuestruara nga policia, dy të rinjtë Karaj dhe Vatnikaj futen në tri banesat, në të cilat pushonin familjet e dy politikanëve Ristani e Noka, si dhe ish-inspektorit të Përgjithshëm të SHISH, Sajmir Kodra. Në banesën e familjes Ristani, autorët hynë brenda duke u futur nga dritarja, pasi kishin thyer më parë xhamin. Aty ata mundën të vidhnin një telefon celular dhe 10 mijë lekë. Edhe në banesën ku pushonte familja Noka, autorët përdorën të njëjtën metodë, duke thyer xhamin, por kanë dalë duarbosh.

Nuk kanë mundur të vjedhin asnjë gjë, pasi kanë kontrolluar vetëm në katin e parë të vilës, ndërsa familja Noka ndodhej në katin e dytë. Në banesën e ish-inspektorit të Përgjithshëm të SHISH, Sajmir Kodra, autorët arritën të merrnin vetëm një celular dhe rreth 10 mijë lekë të rinj. Edhe këtu, hyrja për në vilën verore është realizuar nëpërmjet thyerjes së një xhami. Më pas, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Të tri vilat verore ndodhen pranë njëra-tjetrës.

/DURRES/ LEONIDHA MUSAJ/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura