Gomonia 9 metra në Seman, dyshohet se përdorej për trafik droge

Dec 17, 2015 | 7:02
SHPËRNDAJE
Kapet gomonia 9 metra e gjatë në grykëderdhjen e Semanit bashkë me dy persona, të cilët dyshohet se po përgatiteshin për trafik droge.

gomonja-e1447246673398_0

Policia Kufitare e Vlorës kishte marrë informacione në rrugë operative për mjetin lundrues që po aktivizohej me qëllim trafiku.

Menjëherë është organizuar një operacion, dhe në grykëderdhjen e lumit Seman u bllokua dhe sekuestrua mjeti lundrues gomone, si dhe u shoqëruan dy personat që gjendeshin në të.

Sipas Policisë, ata janë shtetasit A. Dhrami, 49 vjeç dhe A. Jaho, 50 vjeç, që të dy nga Vlora. “Mjeti lundrues gomone, 9 metra e gjatë dhe me dy motorë 225 kw, është konstatuar nga Policia Kufitare në orët e para të mëngjesit në grykëderdhjen e lumit Seman dhe më pas është kapur nga forcat e policisë. Në gomone janë gjetur dhe dy shtetas. Më pas mjeti lundrues është sekuestruar dhe transportuar në Portin e Vlorës, ndërsa dy shtetasit janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje”, bëri të ditur dje Policia e Vlorës.

Të dy shtetasit e kapur në gomone nuk kanë pasur asnjë dokumentacion shoqërues për mjetin lundrues. Më pas është bashkëpunuar edhe me Policinë Kufitare të Fierit për krehjen e zonës, pasi nga informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se këta shtetas të kenë ardhur në këtë vend për të marrë lëndë narkotike dhe për ta transportuar drejt brigjeve italiane.

Por, deri në orët e mbrëmjes nuk është gjetur ndonjë sasi lënde narkotike përgjatë bregdetit të Vlorës dhe të Fierit. Burime nga Policia bënë të ditur se dy personat e ndaluar nuk kanë pasur një alibi bindëse për prezencën e tyre në grykëderdhjen e Semanit.

Kjo zonë është mjaft e frekuentuar nga trafikantët e lëndëve narkotike, pasi nëpërmjet saj vijojnë lundrimin në det të hapur drejt Italisë me tonelata lënde narkotike kanabis sativa. Pak ditë më parë, policia e Vlorës zbuloi një mjet që kishte ngecur në det, në zonën e Plazhit të Vjetër.

Mjeti ishte pa targa dhe me timon anglez, dhe dyshohet se kishte tentuar të afrohej sa më shumë për të transportuar drogë në ndonjë mjet lundrues gjatë natës. Por drejtuesi i saj nuk ka mundur ta nxjerrë më në breng, pasi gomat kishin ngecur në rërë, dhe ai është detyruar ta braktiste.

Makina në det u zbulua të nesërmen nga banorët, të cilët sinjalizuan policinë. Blutë mbërritën në vend dhe pasi nxorën makinën nga uji, nuk konstatuan asnjë send të dyshimtë në të. Paraprakisht u dyshua se ishte futur në det për të transportuar drogë në një mjet lundrues.

Ngjarja ende nuk është zbardhur. Ndërsa në lidhje me gomonen e djeshme, Policia e Vlorës bëri të ditur se është duke hetuar, por ende nuk ka të dhëna konkrete rreth veprimtarisë së saj dhe nëse ka të tjerë persona të implikuar.

QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura