‘Goli i humbur’, Roshi: Ja pse nuk pasova në fund

Sep 5, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Odise Roshi ngriti peshë zemrat e miliona shqiptarëve me atë galopim të jashtëzakonshëm në minutën e 92-të, por kur i vetëm përballë portierit nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë, i zhgënjeu disi.

largea_bildschirmfoto-2015-09-04-um-23-50-411441403598Pa dyshim disa syresh edhe e kanë kritikuar fort për egoizëm të tepruar apo për nxitim, por mesfushori kuqezi shpjegon arsyet e atij vendimi në të qindin e sekondës, që mund të kishte bërë diferencën nëse topi do të kishte përfunduar në rrjetë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai deklaroi pas ndeshjes se nuk kishte parë asnjë shok në momentin që hyri në zonë. Cana ndërkaq e mbron, duke thënë se vetëm një si Roshi mund ta bënte atë depërtim, ndaj duhet pranuar me të mirat dhe defektet e tij.

Odise, përse nuk pasuat tek aksioni i fundit?
Unë e mora topin dhe vrapova me sa fuqi pata. Në momentin që hyra në zonë hodha vështrimin anash, por nuk pashë asnjë nga shokët, kështu që vendosa të gjuaja vetë.

Nuk i patë shokët tuaj që po ju ndiqnin?
Jo, e ktheva kokën dy herë dhe nuk pashë asnjë. Pastaj u gjenda vetëm me portierin dhe vendosa të gjuaja. Nuk kisha ndonjë mundësi tjetër, më besoni!

Ju vjen keq më shumë që nuk pasuat, apo që s’e mundët dot portierin kundërshtar?
Tani pas ndeshjes mund të diskutojmë shumë gjëra, por mos harroni se aty është thjesht çështje sekonde. Nuk ke kaq shumë kohë për të analizuar…

Po trajneri ju tha gjë pas ndeshjes?
Nuk e kam takuar trajnerin dhe nuk kam folur me asnjë.

Çfarë ju thanë pas atij rasti?
Më këshilluan disa herë që të qetësohesha, sepse u nervozova tej mase me veten time. Isha shumë i mërzitur, për një moment besova se mund të shënoja.

A ju kënaq barazimi?
Mendoj se ne ia arritëm qëllimit dhe ky është një rezultat pozitiv, por mund edhe të kishim fituar…

Nga i dërguari ynë në Kopenhagen FATION SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura