Golemi pa ujë, ikin pushuesit

Aug 4, 2015 | 12:36
SHPËRNDAJE

Zona turistike e Golemit dhe Kavaja prej ditësh nuk furnizohen me ujë të pijshëm, duke bërë që pushuesit dhe turistët të largohen në mënyrë demonstrative. Banorët dhe pushuesit që kanë ardhur këto ditë për plazh në zonën e Golemit ngrenë shqetësimin, duke theksuar se prej disa javësh nuk furnizohen me ujë. Sipas tyre, shkak për largimin në masë të pushuesve ka qenë mungesa e ujit të pijshëm, elementit kryesor në këto ditë të nxehta vere.

Pushuesi kosovar, Etrit Istrefi
Pushuesi kosovar, Etrit Istrefi

“Pushuesit po i largojmë vetë ne. Kur nuk ofrohet gjë- ja më elementare për një pushues, siç është uji i pijshëm, atëherë pse duhet t’i shpenzojë lekët këtu, ndërkohë që plazhet e tjera të vendit apo rajonit ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme? E gjithë zona e Golemit, si pjesa e bregdetit, ashtu edhe qyteti i Kavajës e zona rreth fshatit, prej javësh nuk furnizohen me ujë. Kjo situatë e ka dëmtuar shumë sektorin e turizmit dhe nëse nuk merren masa urgjente, atëherë mund të flasim për një sezon të dështuar turistik, vetëm e vetëm se nuk ka ujë të pijshëm”, shprehet Ramiz Daja, banor i Golemit.

Ndërsa një pushues nga Kosova, i cili prej ditësh ka ardhur me familjen e tij, e konsideron të papranueshme situatën. Etrit Istrefi shprehet se është frenuar për t’u larguar për shkak të pagesës që kishte kryer, pasi në të kundërt do ta kishte braktisur bregdetin e Golemit sikurse mjaft pushues të tjerë.

“Ne shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, si dhe shumë nga diaspora, kemi dëshirë të lëmë lekët këtu në vendin tonë. Por shikojmë se autoritetet përgjegjëse për turizmin nuk kanë bërë asnjë hap përpara, por mund të them me siguri se kanë bërë regres në të gjitha drejtimet. Kam disa ditë që pushoj këtu në Golem. Ky është viti i shtatë radhazi që pushoj në këtë zonë, por këtë radhë kemi vuajtur shumë mungesën e ujit të pijshëm. Unë do të isha larguar dhe do ta kisha braktisur këtë zonë, sikurse bënë edhe shumë bashkatdhëtarë të tjerë, por më frenoi fakti se kisha paguar paratë e prenontimit”, pohon Istrefi.

Golemi dhe Kavaja furnizohen me ujë të pijshëm nga rezervuari i Manskurisë, i cili ka prurje të mjaftueshme për të përballuar këto dy zona, qoftë edhe përgjatë muajve të verës. Por, shkak për këtë situatë dyshohet të jetë keqmenaxhimi nga ana e strukturave përgjegjëse, të cilat menaxhojnë Ujësjellësin e Harizajt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura