Fernando Medeiros ishte protagonist i një goli spektakolar në mbrëmjen e djeshme në ndeshjen mes Partizanit dhe Egnatias, e përfunduar me shifrat 1-1. Braziliani mori një top nga një distancë prej rreth 25 metrash dhe pasi e rregulloi me tre xhonglime, lëshoi një goditje me një shpejtësi “skëterrë”, që e bëri të pavlefshëm fluturimin e Alban Hoxhës.
MOMENTI I GOLIT – Në një intervistë për “Panorama Sport” menjëherë pas ndeshjes, braziliani tregon se si e kujton situatën e golit. Ai shprehet se ishte 100% i vendosur për të tentuar portën dhe as që e mendoi të shikonte për një zgjedhje tjetër.
“Në atë moment nuk mendova asgjë. Thjesht doja të gjuaja, sepse isha i bindur se ai top mund të shkonte në rrjetë. Kërkoja vetëm mundësinë dhe hapësirën e goditjes dhe në fund ia dola mjaft mirë”, shprehet fillimisht braziliani.
RENDITJA MES “PERLAVE” – Pavarësisht se shënoi një nga golat më të bukur në Kategorinë Superiore në vitet e fundit, Fernando nuk e rendit si më të bukurin. Brazilianin e kemi parë të shënojë herë pas here gola të bukur, teksa ai zbulon se gjatë karrierës ka shënuar edhe rrjeta më spektakolare se ajo e mbrëmshmja ndaj kampionëve në fuqi.
“Jo, nuk mendoj se është më i bukuri në të gjithë karrierën time. Kam shënuar edhe më të bukur në të shkuarën”.
BARAZIMI – Në fund të prononcimin të shkurtër për gazetën, Fernando foli edhe për ndeshjen. Ai shprehet se Egnatia i kishte rastet për ta fituar këtë sfidë, por edhe një pikë e kënaq brazilianin prej faktit se “Arena e Demave” është gjithnjë fushë e vështirë.
“Mund edhe ta kishim fituar ndeshjen, por e dimë shumë mirë që këtu edhe një pikë është shumë e vështirë për ta marrë, kështu që mendoj se kemi arritur një rezultat të pranueshëm”, u shpreh mesfushori.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al