Gogoli i paqes në Ballkan

Oct 20, 2018 | 12:31
SHPËRNDAJE

Veton-Surroi

VETON SURROI

1. Është tashmë klishe emërtimi i BE-së si projekti më i suksesshëm i paqes në Europë. Kjo klishe është njëkohësisht thjeshtësim dhe një konstatim i saktë. Është thjeshtësim ngase projekti u zhvillua si një evolucion nga një luftë e tmerrshme dhe si prodhim i Planit Marshall, pra, një Pax Americana, një paqe e krijuar nga Amerika. Por është edhe konstatim i saktë, sepse projekti europian ka krijuar një nivel të paprecedent të bashkëpunimit brenda Europës, që është produkt i paqes, por është njëkohësisht edhe prodhues i paqes. Kur u bë zgjerimi me shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore, që deri atëherë kishin qenë në Bllokun Lindor, u shpreh e njëjta logjikë, pra, zgjerimi i paqes në atë që kishte qenë Luftë e Ftohtë dhe rrjedhimisht, zgjerimi i hapësirës së paqes.

Tashmë kur i ka ardhur radha Ballkanit Perëndimor, ky regjion po paraqet një sfidë konceptuale. Kosova dhe Serbia janë vende që jetojnë në një konflikt të papërfunduar dhe si pjesë e një konflikti të papërfunduar, Bosnjë-Hercegovina është një shtet kushtetutshmërisht i papërmbushur. Kosova dhe Serbia, 19 vjet pas luftës, nuk e kanë formalizuar një marrëdhënie që do ta përfundonte luftën, ndërsa Bosnjë-Hercegovina, 23 vjet pas luftës, funksionon në bazë të Marrëveshjes së Daytonit, por jo në bazë të Kushtetutës, që e ka hartuar e miratuar vetë.

Gogoli i tërë këtyre viteve ka qenë pyetja se a i paraprin paqja integrimit (zgjerimit) siç ka qenë rasti me Traktatin e Romës të para gjashtëdhjetë vjetësh apo siç bëhet përpjekja apo shtirja tani, që të arrihen njëkohësisht paqja dhe zgjerimi.

2. Paramendimi (qoftë si përpjekje a shtirje) se do të ketë paqe dhe zgjerim njëkohësisht është logjika e procesit të udhëhequr nga BE ja në Kosovë. Prejse Kosova shpalli Pavarësinë më 2008 dhe GJND-ja e konfirmoi ligjshmërinë e kësaj shpalljeje, BE-ja ka ndërmjetësuar një proces negociator, që ka si premisë thelbësore idenë se ndonëse shtetet nuk e njohin njëra-tjetrën si shtete të pavarura, pra, nuk e njohin fundin e konfliktit, një proces zgjerimi i BE-së për Serbinë mund të krijojë paqe. Pra, kjo ide thotë që në momentin kur Serbia është një vend anëtar i BE-së (apo një sekondë logjike para se të ndodhë kjo), do të përfundojë konflikti me Kosovën.

Kjo premisë e ka legjitimuar edhe një tjetër premisë udhëheqëse, atë të asimetrisë së perspektivës europiane. Serbia ka kapacitetin negociator për t’u bërë shtet anëtar i BE-së, Kosova nuk e ka. Serbia e ka cakun e prekshëm të anëtarësimit në BE, Kosova nuk është e njohur nga pesë shtete anëtare të BE-së, dhe, edhe po të ishte një shtet funksional skandinav – e jo një shtet i kapur çfarë është – nuk do ta kishte të prekshëm cakun e anëtarësimit.

3. Deri më tani, procesi i zgjerimit të BE-së është udhëhequr nga ideja themelore se zgjerimi vjen si fund i konfliktit, duke zgjeruar më tutje kulturën e paqes nëpërmjet bashkëpunimit. Kjo do të thotë dy hapa bazikë: duhet të ketë paqe para integrimit (zgjerimit) dhe kur të ndodhë integrimi (zgjerimi), kjo do të krijojë rrathë të rinj koncentrikë të paqes. BE-ja është, në rastin e Kosovës dhe Serbisë, duke u përpjekur të krijojë një kategori të re: një konflikt që do të përfundojë pas integrimit (zgjerimit). Serbia dhe Kosova duhet, sipas BE-së, të nënshkruajnë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme” për normalizimin e marrëdhënieve. Brenda këtij formulimi ekziston hapësirë e mjaftueshme për dykuptimësi në mënyrë që konflikti mes Serbisë e Kosovës jo domosdo të përfundojë me një traktat paqeje (në kuptimin kantian, pra, të një traktati që trajton shkaqet e pasojat e luftës dhe eliminon ato që mund të çojnë në një tjetër në të ardhmen). Prandaj, brenda kësaj dykuptimësie ka hapësirë të mjaftueshme për të paramenduar një ardhmëri, në të cilën është një shtet i ri anëtar i BE-së, i quajtur Serbi, duke u përpjekur t’i sjellë paqe një shteti pa kapacitet negociator për anëtarësim në BE, i quajtur Kosovë. Kjo vetvetiu do ta zgjaste konfliktin.

4. Duhet të bëhet një kthim te dialektika bazike e zgjerimit të BE-së: konfliktet duhet të përfundojnë para zgjerimit dhe atëherë zgjerimi vetvetiu do të mundësojë zhvillim të bashkëpunimit që shlyen faktorët nxitës të konfliktit.

Në kontekstin Kosovë-Serbi, kjo do të thotë që dy shtetet duhet ta nënshkruajnë një traktat paqeje, që do të trajtonte shkaqet dhe pasojat e luftës, si dhe shkaqet që mund të çojnë në konflikt të ri.

Në kontekstin Kosovë-Serbi. kjo do të thotë po ashtu që BE-ja dhe shtetet e saj anëtare e konsiderojnë Traktatin e Paqes si parakusht dhe si mjet nxitës për integrimin e të dyja vendeve në BE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura