Goditjet ndaj “News24” dhe “Hysenbelliu Group”, Rama mashtron hapur në Britaninë e Madhe: Asnjëherë nuk kemi gjobitur një media

Mar 25, 2023 | 7:24
SHPËRNDAJE

Edi RAma-sulmi ndaj news24Sulmi nga Focus Media dhe bizneseve të Hysenbelliu Group është kthyer në çështje dhe në Britani të Madhe.

Gjatë gjatë vizitës zyrtare në Britaninë e Madhe, kryeministri Edi Rama është pyetur në një bashkëbisedim në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, “Chatham House” nga gazetarët e BIRN për sulmin dhe gjobat ndaj bizneseve dhe mediave të Hysenbelliu Group.

Rama ka mohuar mungesën e lirisë së shprehjes dhe gjobitjen ndaj organeve mediatike, ndërkohë që vetëm pak javë më parë News 24 ka marrë një gjobë prej 200 milion lekë me argumentin qesharak se pagat në disa sektorë ishin më të ulta se ato mesatare në treg.

Gazetarja e BIRN: Një pyetje nga BIRN. Disa organe shtypi i kanë thënë organizatës sime që liritë e shtypit kanë pësuar përkeqësim. Gazetarët nuk lejohen që të bëjnë pyetje të vështira dhe ndërkohë, televizionet e mëdha janë gjobitur. Kur BIRN pyeti qeverinë për arsyet, qeveria u përgjigj se çështja ishte teknike. A nuk është liria e shtypit thelbësore për funksionimin e demokracisë? A mund ta komentoni?

Edi Rama: Ka një stereotip. Nëse je gazetar në Shqipëri mund të thuash çdo gjepur që të shkon nëpër mend dhe po të jesh politikan dhe të thuash gjithçka që do, je e dyshimtë. Unë nuk pranoj nga askush epërsi morale kur vjen fjala për asnjë çështje.

Nuk shoh asnjë epërsi morale si të pranueshme. Unë kam unë kam përgjigjet e mia, ju kemi pyetjet tuaja. Por të thuash se iliri e medias është liri që të të thuash gjithçka që të shkon ndërmend, dhe çdo akuzë dhe më pas të thuash; kjo është një gjepur, mungesë e kuptimit të lirisë, këtë nuk e ha.

Ju thoni diçka që është gënjeshtër. Organet mediatike gjobiten në Shqipëri?
Më jepni një shembull. Ah pronarët e medias, që janë pronarë kompanish, që bëjnë evazion fiskal dhe që çohen në prokurori për prova të qarta evazioni fiskal, apo pronarët e mediave që nuk paguajnë për vite qiranë e objekteve publike dhe janë në gjyq për këto objekte, janë dy gjëra të ndryshme.

Ti do që unë të paguaj qiranë se unë jam kritik? Ti do që unë të paguaj taksat dhe tatimet se unë jam kritik? Janë gjera ndryshe! Duhet të paguash sigurimet shoqërore, tatimet, që nuk e bën, duhet të paguash qiranë që nuk e bën, të ndërtosh në mënyrë të ligjshme, ndaj më vjen keq, por duhet të përgjigjesh si çdo qytetar tjetër. Ti nuk ke imunitet në emër të lirisë që të bësh gjithçka do pas ekranit. Ajo se çfarë bën në ekran është puna jote.

Ne nuk kemi gjobitur asnjëherë një media, edhe pse duhet. Edhe pse ka një problem të madh me pagat e gazetarëve. Shkoni dhe shihni pagat e gazetarëve dhe shqetësohuni pak më tepër për ta, pasi janë të nënpaguar. Paguhen shumë me para në dorë, e kështu me radhë. Ka një problem të madh me këtë përzierje mes lirisë së medias dhe lirisë për të mos vepruar në përputhje me ligjin në emër të të qenit pronar i medias.

Kjo nuk do të tolerohet! Thoni çfarë të doni. Nuk do tolerohet. Është toleruar për një kohë të gjatë dhe ka qenë e gabuar. S’do të ndodhë! Kjo gjëja që gazetarët nuk lejohen të bëjnë pyetje të vështira, nuk është e vërtetë.

Gazetarët mund të drejtojnë çfarëdo pyetje që duan, mund të jenë si të duan. Nuk është kjo. Është e qartë. Unë kam rrezikuar jetën për lirinë e fjalës në Shqipëri. Kam ende vraga në kokë. Kështu që epërsia morale dhe leksionet nga gjithkush që ka një laps dhe i thotë vetes ‘gazetar’, nuk i pranoj. Por kemi pikëpamje të ndryshme. Ideja është se ti je kryeministër dhe s’duhet të kesh pikëpamjen tënde dhe gazetari të ketë shumë pikëpamje, nuk e pranoj. Shkruani ça të doni, lapsin e keni ju. Por kur flisni me mua, unë s’do e pranoj./BW

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura