Goditi Taulant Ballën në Romë? Ja çfarë tha Jamarbër Malltezi në polici

Jun 27, 2016 | 12:02
SHPËRNDAJE

Jamarbër Malltezi nuk ka pranuar të ketë qëlluar deputetin Taulant Balla në aeroportin e Romës, në Itali. Pas marrjes në pyetje për më se dy orë, pas denoncimit nga deputeti socialist, hetuesit e Policisë nuk kanë mundur të shënojnë në procesverbalin e dëshmisë së Malltezit as pohim, as mohim nga ana e tij.

balla-malltezi

Burime të hetimit nga Policia kanë thënë për “Panorama” se marrja në pyetje e Malltezit është bërë në praninë e bashkëshortes së tij në lidhje me denoncimin penal të bërë nga Taulant Balla.

Malltezi, duke thënë se nuk ka asnjë gjë për të shpjeguar, mësohet se ka pranuar një debat verbal me deputetin socialist në aeroportin e Romës. Sipas hetuesve, Malltezi ka pretenduar se Balla kishte bërë “provokim politik” ndaj tij dhe bashkëshortes, pa shpjeguar nëse fjala është për episode të ndodhura në aeroportin e Romës apo për debatet e deklaratat politike të personazheve në vazhdimësi.

Pas seancës në Polici, Malltezi është lënë i lirë, ndërsa dosja ndaj tij është referuar në Prokurorinë e Tiranës për akuzat “dëmtime të tjera me dashje” dhe “goditje për shkak të detyrës”.

Nga ana tjetër, grupi i hetimit i ka dhënë denoncuesit të ngjarjes, deputetit Taulant Balla, një vendim ekspertimi. Më konkretisht hetuesit kanë plotësuar letrën që e drejton deputetin te Mjekësia Ligjore në Tiranë, ku duhet të bëjë ekzaminimet përkatëse në lidhje me dëmtimet që pretendon se ka pësuar në fytyrë në momentin e goditjes nga Jamarbër Malltezi.

Në vendimin e ekspertimit, theksohet ndër të tjera nga oficerët që ata kanë vërejtur disa dëmtime, të cilat është e nevojshme të ekspertohen për t’u vlerësuar kur kanë ndodhur, të cilës shkallë janë.

DENONCIMI

Policia e Tiranës tri ditë më parë ka nisur procedim penal në lidhje me goditjen për shkak të detyrës ndaj deputetit Taulant Balla. Vetë deputeti ka shkuar në Komisariatin e Rinasit, pas kthimit nga Roma të premten, dhe ka denoncuar Malltezin për dëmtime të tjera me dashje dhe goditje për shkak të detyrës.

Të premten, para mesnatës, pas mbërritjes me avion nga Italia, në Komisariatin e Rinasit, tek oficeri i gatshëm është paraqitur deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Taulant Balla. Ai ka bërë kallëzim penal për ngjarjen e ndodhur në dëm të tij në ambientet e tranzitit në aeroportin e Romës.

Taulant Balla ka pohuar në padinë e tij se ka arritur që t’i identifikojë personat që e kanë goditur, të cilët kanë qenë Jamarbër Malltezi dhe e shoqja. Burimet zyrtare të Policisë theksuan se më datë 25.06.2016, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasin Jamarbër Malltezi, 44 vjeç, banues në Tiranë.

Procedimi filloi pasi në tranzitin e aeroportit të Romës ka goditur për shkak të detyrës deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Taulant Balla, 38 vjeç, banues në Librazhd. “Deputeti është paraqitur në PKK Rinas, ku ka bërë kallëzim në lidhje me këtë ngjarje”, ka thënë Policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura