Goditet shefi i shërbimit të Toksikologjisë në QSUT. Sulaj denoncoi në polici: Më sulmoi një i afërm i pacientit të shtruar

Mar 25, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

Shefi i Shërbimit të Toksikologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Zihni Sulaj, është dhunuar gjatë ushtrimit të detyrës.

Shefi i shërbimit të Toksikologjisë, Zihni Sulaj

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur mëngjesin e djeshëm, ku i afërmi i një pacienti të alkoolizuar ka goditur mjekun toksikolog pas një konfrontimi verbal që ka pasur mes tyre. Burime nga QSUT bëjnë me dije se shkak për këtë është bërë radha e krijuar në Shërbimin e Toksikologjisë.

DENONCIMI
Ngjarja nuk është bërë publike nga Drejtoria e QSUT, duke synuar që të rreshtohet në radhët e rasteve të izoluara me argumentin se situata të tilla janë të zakonshme në një pavijon që pret pacientë të etiketuar si “problematikë”.

Ndërkohë, mësohet se shefi i Shërbimit të Toksikologjisë ka denoncuar sulmin e ndërmarrë ndaj tij në Komisariatin Nr. 4, në kryeqytet. Nga uniformat blu ende nuk ka të dhëna për identitetin e personit i cili goditi mjekun, por po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Zihni Sulaj mban postin e shefit të Shërbimit të Toksikologjisë. Ai njëkohësisht është pedagog në Fakultetin e Mjekësisë…

DHUNA

Sulmet e ndërmarra ndaj bluzave të bardha janë kthyer në një fenomen shqetësues kohët e fundit. Në jo pak raste, jo vetëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por edhe në rrethe profesionistët e shëndetësisë janë bërë pre e dhunës. Rastet e regjistruara kanë ngjallur edhe reagimin e bluzave të bardha. Në protestat që ata zhvilluan përgjatë muajit shkurt, një ndër kërkesat që parashtronin për Ministrinë e Shëndetësisë ishte rritja e sigurisë në ambientin e punës. Ata ngritën zërin për faktin që ndiheshin jo rrallëherë të kërcënuar në vendin e punës dhe kjo ishte rrjedhojë edhe e denigrimit të figurës së tyre përballë qytetarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura