Goditet grupi i strukturuar kriminal që shiste drogë në Korçë e Fier, policia jep detajet nga hetimet

Apr 8, 2021 | 15:49
SHPËRNDAJE

Policia e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Finish” ku është goditur një grup i strukturuar kriminal, i cili ushtronte aktivitetin e paligjshëm të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në qarqet Korçë dhe Fier.

Në të tria fazat e operacionit janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 12 shtetas.

Sot, gjatë fazës së tretë dhe përfundimtare të këtij operacioni janë ndaluar 4 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në total 32,5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Pas një hetimi dinamik prej një viti, në kuadër të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në fazën e fundit të operacionit, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë bënë ekzekutimin e masave të sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, për shtetasit:

• A. P., 49 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, organizimit të lotarive të palejuara dhe armëmbajtjes pa leje), në rolin e organizatorit të grupit;

• O. P., 31 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”), në rolin e organizatorit të grupit;

• E. M., 32 vjeç, banues në fshatin Vreshtas, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”);

• K. H., 35 vjeç, banues në Ballsh, Mallakastër (i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”):

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit:

• T. B., 47 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje), në rolin e organizatorit të grupit, njëri prej të arrestuarve gjatë operacionit “Domosdova” në Elbasan, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Detyrim paraqitjeje” të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në “Arrest në burg”;

• Sh. G., 40 vjeç, banues në fshatin Ngjegjan, Roskovec, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Nga hetimet dhe provat e grumbulluara u bë e mundur që të dokumentohej me prova ligjore, bashkëpunimi i këtyre shtetasve me personat e arrestuar më parë nga Policia, konkretisht më datë 04.06.2020, në Elbasan, me operacionin e koduar “Domosdova”, por edhe hetimeve të mëtejshme të kryera në vijim të tij, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 5 shtetas, midis tyre edhe shtetasi T. B., si dhe u sekuestruan 28.5 kg kanabis.

Gjithashtu edhe lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 19.12.2020, në Korçë, ku në afërsi të Qafë-Plloçës, u kapën 2 shtetas të tjerë, duke transportuar me mjet, 4 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Nga gjithë hetimi i kryer është provuar se shtetasit A. P., O. P., T. B. dhe E. M., në rolin e organizatorëve dhe njëkohësisht pritës të lëndës narkotike, nëpërmjet lidhjeve të tyre shoqërore në qarkun e Fierit, me shtetasit G. G., E. M. dhe R. M., siguronin lëndën narkotike dhe nëpërmjet shtetasve të tjerë bashkëpunëtorë, si Y. S., I. D. dhe P. Sh., në rolin e transportuesve, lëndën narkotike të sekuestruar duhet ta sillnin në rrethin e Korçës për llogari të A. P., O. P., T. B. dhe E. M.

Gjithashtu gjatë hetimit është provuar se posedues të lëndës narkotike në qarkun e Fierit kanë qenë shtetasit Sh. G. dhe K. H.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura