Godina e Teatrit është një copëz parajse në ferrin që jetojmë!

Jul 22, 2018 | 12:41
SHPËRNDAJE

pdGwmYvKJORIDA TABAKU

Në Tiranë, nga të vjetrit, rëndom mund të dëgjosh historinë e gjyqit që Musa Juka (atëbotë ish-krahu i djathtë i mbretit Zog) humbi me komshiun e tij për një rrugë që donte ta ndërtonte te shtëpia e sapondërtuar. Një shembull i mirë për të kuptuar se si shteti i së drejtës është shumë herë më i rëndësishëm se sa shteti ligjor, pasi në fund të ditës drejtësia është agu i peshores, që vendos nëse një vend ka rend demokratik apo totalitar.

Pak a shumë në të njëjtën periudhë edhe pasardhësit e Servet Libohovës do të nënshkruanin një kontratë në prani të noterit Muntaz Kokalari, për t’i shitur 10,625 metra katrorë tokë plus shtëpi banimi përfaqësuesit të Mbretërisë Italiane, Francesco Jacomoni. Kjo blerje me vlerë 74 mijë franga ari, në një kohë ku në vend qarkulloheshin 12 milionë franga ari, ishte një nga më të shtrenjtat e asaj periudhe.

Ironikisht, blerësit e tokës, që më pas edhe pushtuan Shqipërinë në 1939-n, ishin të detyruar nga një marrëveshje për të ndërtuar në këtë pronë të sapoblerë projektin racionalist të godinës që sot është teatër. Jo vetëm kaq, por nuk përdorën asnjë klauzolë ekstra ligjore apo vetë shteti i ri i asaj kohe nuk prodhoi asnjë ligj të veçantë, që investitorët italianë ta përfitonin falas pronën private.

Logjika na thotë që kjo godinë, nuk duhet dhe nuk ka pse të prishet, pasi amaneti i atyre, që e kanë shitur, ka qenë për të ndërtuar një vepër publike në shërbim të qytetarëve. Aq më tepër që kjo godinë, sikundër edhe shumë prej nesh e kanë mësuar së fundmi, nuk ka qenë vetëm streha e teatrit, por edhe streha e kulturës dhe dijes shqiptare. Me pak fjalë, godina ka prodhuar historinë e saj, por edhe të shqiptarëve.

Ajo çfarë kombet e civilizuara i ka çuar përpara, është aftësia për të ruajtur trashëgiminë, për të mbajtur gjallë amanetin e paraardhësit dhe për të trashëguar atë çfarë të parët na lanë ne trashëgimi. Nëse një komb apo një shoqëri harron këtë pikë tejet të rëndësishme që lidh dy breza me njëri-tjetrin, atëherë ky komb është i vdekur apo pa identitet.

Ndoshta, kur flas për këtë çështje jam pak më emocionale se ç’duhet, e ndoshta lidhja ime me Tiranën e vjetër, atë që nuk është më, është shumë e fortë, por ndërkohë që po përpiqen të prishin një godinë identitare të Tiranës më vjen në mend Montanelli i 1939- s: Tirana është një qytet pa të shkuar, veç të tashme e të ardhme.

Por për këtë qeveri dhe natyrisht as për ujqërit e dhelprat që qëndrojnë krah e pas saj; logjika, tradita, trashëgimia dhe aq më pak ligji e Kushtetuta nuk janë as pengesë, edhe as tërheqja. Prandaj njëqind vjet më pas, Rama dhe Fusha kanë vendosur të përsërisin së prapthi historinë. I pari duke prodhuar një tjetër ligj me emër biznesi përfitues dhe i dyti duke dalë garant për të prishur trashëgiminë kulturore dhe identitare; e mbi të gjitha për të mbytur edhe më Tiranën e betonuar me shumë kulla.

Praktikisht, kjo është diçka e pritshme nga një qeveri e dalë nga slogani “Jepmëni tepsinë se e di unë si e katandis Shqipërinë”. E cila pasi u sigurua që të vriste drejtësinë, duke e lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese, u angazhua në zbatimin e planit personal të krijuesit dhe drejtuesit të saj. Në kundërshti me çdo ligj dhe normë kulturore e tradicionale, angazhoi një Parlament që të votonte dhe mbronte ligjin “Fusha”.

Sa më shumë që ditët kalojnë, akoma më shumë qytetarët zbulojnë se si kjo firmë, që zotëron vetëm 298 metër katrorë pronë, do të ndërtojë në mbi 8 mijë e kusur metër katrorë sipërfaqe. Paskëtaj i teket e vendos që të ndërtojë kulla në to dhe në skajin e tyre të ngrejë një ngrehinë që e ka quajtur teatër.

Por kjo ngjarje, siç edhe lexuesit mund ta vërejë, bie në kundërshti me ato ngjarjet naive që Shqipëria 100 e kusur vjeçare ka përjetuar në rininë e saj si shtet. Pasi, ndryshe nga sa shumëkush prej nesh mund të elaborojë në llogaritë e veta me të shkuarën, tradita dhe dëshira për të zhvilluar vendin ka qenë më shumë se sa sot. Kjo dhe për faktin se publikja nuk ndërtohej në kurrizin e privates dhe as privatja nuk zhbënte të mirën tonë të përbashkët.

Ky rregull i artë është, në fakt, mësimi që komunizmi çrrënjosi nga shqiptarët e Shqipërisë, për të na instaluar megalomaninë dhe betejën për të krijuar njeriun e ri. Pra, njeriun e veprave të Partisë apo një individi. I cili përpara 30 viteve ishte i mbushur me dogmën komuniste, ndërsa sot është projektuar për të mbajtur dogmën rilindëse të tepsisë Rama-Veliaj.

Por në fakt, çfarë do të ndodhë nesër nëse ne e tolerojmë edhe kësaj radhe Kryeministrin? Gjithsecili prej nesh e mori përgjigjen gjatë videos që na shpjegoi atë çfarë Rama do të bëjë me kavjen Tiranë. Cilido që mendon se ligji apo Parlamenti mundet ta ndalë duhet të mos harrojë që Kryeministri është i gatshëm të prodhojë nga një ligj me emër oligarku për çdo shëmti dhe barbari ndaj qytetit.

Prandaj rëndësia e kësaj kauze është shumë herë më e madhe sesa ne e mendojmë apo përfytyrojmë. Në vitet e para të qeverisjes Rama si kryebashkiak ishin të paktë ata që u ngritën dhe kundërshtuan shkatërrimin sistematik dhe të planifikuar që ai i bëri qytetit. Sot, shumë prej nesh e kanë të qartë misionin e Kryeministrit Rama dhe oligarkëve rreth tij. Sundimin përfundimtar të shqiptarëve përmes dhunës së betonit dhe parasë. “What’s next?” përsëriste arkitekti Maas, ndërsa na shfaqte në projeksion vrasjen barbare të qytetit ku ne duam të rrisim fëmijët tanë!

Calvino, ndërsa përshkon qytetet e padukshme që shihte Marco Polo, fliste për njërin prej tyre që ishte kthyer në i pajetueshëm. Ferri i atyre që jetonin, shkruan ai, nuk është diçka që do të vijë në të ardhmen, – nëse do të ketë një të tillë – por është ajo që sot jetohet, ferri në të cilin ne jetojmë përditë. Ka vetëm dy mënyra për t’i ikur vuajtjes së tij. E para është më e kollajta dhe e praktikojnë të gjithë; të pranuarit e ferrit dhe të banuarit në të deri në pikën që të mos e shohim më si të tillë. E dyta, që në fakt është më e vështira dhe që kërkon vëmendje dhe ndërmarrje të vazhdueshme, është të kuptuarit se çfarë dhe kush në këtë ferr nuk është i tillë, e më pas ta ruajmë e t’i japim hapësirë.

Ka ardhur koha që këtij ferri urbanistik dhe këtij qyteti të mbytur t’i ruajmë atë pak parajsë e të djeshme që i ka mbetur. Sot ne duhet të ngrihemi dhe të lëvizim nga grupi i parë për te grupi i dytë për të ruajtur një nga oazet e pakta në shkretëtirën e kullave dhe betonit që ka gllabëruar Tiranën time, Tiranë tonë, Tiranën e fëmijëve tanë. Kështu që nesër ata të mos na gjykojnë keq për atë që mund të bënim dhe nuk e arritëm dot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura