Gluha e perëndive në kthetrat e grabitqarëve

Apr 12, 2021 | 8:23
SHPËRNDAJE

NEXHAT MERXHUSHI

Nexhat-Merxhushi

“A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?” Naim Frashër

Dua të zgjeroj hapësirën që më lejohet të trajtoj qëndrimin që ka mbajtur dhe mban elita politike si dhe më specifikisht kisha greke për minoritetin shqiptar mysliman çam në Greqi, si dhe qëndrimin që kanë mbajtur qeveritë shqiptare ndër vite ndaj minoritetit grek në Shqipëri. Problemi i minoriteteve, kudo që ndodhen, është prioritet i BEsë dhe SHBA-së. Në lidhje me minoritetin shqiptar mysliman çam në Greqi, Komisioneri Hahn e ngre si problem kur thotë: “Çështja e minoritetit shqiptar në Greqi njihet si çështja çame, që ekziston si problem i pazgjidhur edhe për ne”. (G. “Telegraf”, 29 shtator 2016).

Hahn vijon: “Veç detit përfshihen edhe tri çështje të tjera:

Kufiri tokësor me Greqinë.

Të Drejtat pronësore që u përkasin minoriteteve. Çështja Çame”.

Shikoni sa i vëmendshëm është Komisioneri Hahn. Këto që tha ai janë paraqitur si kërkesa në Lidhjen e Kombeve më 1923 nga Qeveria e Zogut, por për këtë do të flasim në pjesën e dyte të artikullit.

Më parë, Departamenti i Shtetit Amerikan (1944) del me një deklaratë tronditëse për politikën greke; “Çamët, shqiptarë etnikë, kërkojnë rikthimin e shtetësisë dhe të Drejtat Pronësore”. (G. “Washington Post”, maj 1944, fq.104). Menjëherë, lobi grek në Amerikë bëri një protestë të fuqishme. BE-ja dhe SHBA, në unision për problemin çam. Kurse grekët nuk njohin gjenocidin e tyre ndaj popullsisë shqiptare myslimane çame, nuk njohin ekzistencën e çamëve në Greqi dhe i akuzojnë ata si bashkëpunëtorë me okupatorin.

Shumë kontradiktore këta grekë në lidhje me çamët; nga njëra anë nuk i njohin çamët dhe tani se fundi thonë të “ASHTUQUAJTURIT ÇAMË”, pra, kjo çështje sot nuk ekziston më. Dhe nga ana tjetër ata thonë se këta çamë “inekzistentë”, (sipas konceptit të tyre) paskan bashkëpunuar me okupatorin dhe kanë bërë krime ndaj grekëve. Këto çudira i thonë vetëm grekët. Që të jesh bashkëpunëtor, duhet të nënshkruash një marrëveshje zyrtare me okupatorin, ashtu siç edhe grekët nuk e lanë mangët, por e nënshkruan këtë marrëveshje me gjermanët.

Georgio Papandreu e thotë saktë: “Ata janë racistë të thekur për kombin fqinj”. Papandreu, përpara një grupi studentësh shqiptaro-amerikanë në Universitetin e New York, thotë: “Në vendin tonë vepron një racizëm, por racizmi nuk është gjithmonë manifestim i superioritetit, por në disa raste shfaqet me ndjenja të inferioritetit ose të frikës. Ky është shekulli i shqiptarëve në Ballkan, sepse ata u çliruan një shekull më vonë”. (G. “Panorama” 07.04.2014).

Pretendimet greke për bashkëpunim të çamëve me okupatorin janë bajate, të dala boje. Ja si shprehet shtypi grek për këtë çështje: “Çamët myslimanë, shtetas grekë me kombësi shqiptare, u rekrutuan në Ushtrinë Greke, por në prapavije, sepse të gjithë ishin shqiptarofilë dhe italofilë. Kjo detyroi qeverinë greke që pjesën e mbetur ta internojë në Ishujt e Egjeut Eksoria. (G. “E Përditshmja e Korfuzit e Përndjekjes Kombëtare”, 29.05.1945). Ky ishte një bashkëpunim imagjinar. Pa ardhur akoma okupatori, u gdhimë bashkëpunëtorë. Gjithçka e programuar. Për këtë akuzë absurde, Jani Sharra (historian) thotë: “Vendimi se shqiptarët çamë do të bashkëpunonin me okupatorin, bazohej vetëm në hipoteza”. (J. Sharra “Istoria Periohis Igumenicas” fq. 617, Athinë 1986).

Ndërsa diplomacia greke justifikohet- “Çamët ikën vetë bashkë me okupatorin nga frika e drejtësisë greke”. Natyrshëm lind pyetja: Po ata që mbetën pa ikur, pse u vranë nga Zerva duke përfshirë edhe gra, fëmijë, pleq? Historiani arvanitas Jani Sharra, për të vërtetuar se masakrat u bënë dhe se ato ishin menduar që më parë, jep dëshminë e një oficeri zervist, që e tregon këtë gjë: “Ne e bëmë planin tonë që më parë. Në fillim do të hynim në gjithë Çamërinë dhe pas disa ditësh nuk do të linim as mace gjallë. Por trimat tanë nuk duan dhe bënë atë që bënë”. (J. Sharra, po aty, fq.660).

Shkollat shqipe si iniciativë private. Si ishte fundi i tyre? Edhe sot e kësaj dite, grekët thonë: “Asnjë masakër nuk bëri Zerva ndaj çamëve. Çamët gëzonin të gjitha të drejtat. Ata kishin shkolla në gjuhën e tyre dhe vende në administratë. Kishin tempuj fetarë dhe vakëfe”. (Gazeta e Korfuzit, “Elefterotipia”, 29.05.1949). Për sa u përket shkollave, ato u hapën vetëm në Filat dhe rrethinat nga myftiu i zonës, Mehmet Zeqirjaj, gjë që e pagoi me jetën e tij, duke e masakruar dhe tërhequr zvarrë pas vdekjes nga toga e zervistëve. Këto shkolla nuk u hapën me shpenzimet e shtetit grek. Ato ishin private, në shtëpitë dhe ambientet e tyre. Ndërsa vakëfet (pronat e paluajtura të vendeve të kultit) ishin sekuestruar që në vitin ‘30, duke u shpërblyer me shuma qesharake, jo në valutë, por letër me vlerë. Unë, si Paramithiot, nuk njihja asnjë shkronjë shqip. Ku ishin këto shkolla?!

Disa patriotë çamë që u përpoqën fshehurazi, e bën këtë hap atdhetar në ambientet e tyre të banimit. Dëshira e madhe që t’u mësonin gjuhën shqipe fëmijëve çamë u kushtoi shtrenjtë. Vëllezërit Bako hapën shkollën në shtëpitë e tyre. Abedin Bako, Gani Bako, Fejzo Bakiu, Haxhi Shehi. Këta emra fatkeqësisht patën një fund tragjik. U vranë në mënyrë shtazarake, duke u nxjerrë sytë e më pas ua treguan motrave në burgjet që ndodheshin për t’u rrëfyer fitoren e tyre. Ndërsa djali i pasur Abedin Dino mundi të shpëtoi, por fatin e kishte të trishtë. Më 1923, në Lidhjen e Kombeve në Lozanë ku përkon me qeverisjen e Mbretit Zog, u saktësua e drejta e shkollimit për të dy vendet tona. Minoriteti duhej të shkollohej me gjuhën e vet. Ne e vumë në zbatim shkollimin në gjuhën greke të minoritetit, ndërsa trevat e Çamërisë e përballuan me shpenzimet e tyre private.

*Shënim/
Në numrin e kaluar te shkrimit “Gluha e perëndive në kthetrat e grabitqarëve” ku u fol për patriotin e shquar shqiptar, çamin Abedin Dino mbi fundin e tij të trishtë. Më duhet të korrigjoj një lapsus. Zoti Dino ku ishte shkruar se vdiq në mjerim të plotë dhe si “lypsar” është e pasaktë. Ai vdiq si burrë shqiptarë nga zoti dhe jo si lypsar. Vdiq në  mes familjarëve, miqve me dinjitetin që kjo familje e madhe mbartë nga shekujt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura