Globalizimi, Bashkimi Europian dhe coronavirusi

Mar 30, 2020 | 18:18
SHPËRNDAJE

Pëllumb Nako 

pellumbnako

Nëse do të shihnim përkufizimin e fenomenti të globalizimit, do të kuptonim se pandemia coronavirus do të karakterizohej si termi ushtarak që shkakton “ dëme anësore, kolaterale,” të pa parashikuara. Pra duket që pandemia e këtij virusi është një tribut për t’u paguar nga mbarë kombet.

Si një proces ndërkombëtarizimi financiar, ekonomik, tregëtar, industrial në kuadrin një tregu të lirë për të qarkulluar, globalizimi praktikisht i ka kthyer distancat e largëta që ndajnë gjithë kombet nga njëri-tjetri thjesht në simbolika.

Ndërkohë, në anën tjetër të medaljes, egoizmi i politikave të kombeve e kastave më të mëdha inspiruese të këtij fenomeni të gjerë ekonomoko-social i kanë kushtuar vëmëndjen absolute përfitimit ekonomik, zhvillimit të tij pa u përqëndruar në shumë në aspektin human të shoqërisë.

Dhe me konkretisht në gjetjen e mekanizmave të duhur institucional për parandalimin e rreziqeve madhore që lehtësohen pikërisht nga globalizmi dhe që aktualisht na ka pllakosur të gjithëve.

Autore dhe viktimë e këtij globalizmi të sotëm, në arenën ndërkombëtare është edhe vetë shteti italian, protagonistët politik të të cilit në këto ditë të vështira për vendin e tyre po masakrojnë Bashkimin Europian duke e kritikuar ashpër lidhur me paaftësinë e tij për t’ju gjendur këtij vendi pranë në këto momente.

I njëjti qëndrim i tyre edhe kur ishte rasti i njërës prej krizave të shumta migratore që pllakosin në këtë vend ku kohë më parë si rezultat i bllokimit të mjeteve të lundrimit që kishin shpëtuar emigrantët e ardhur nga Afrika në Mesdhe u vëretjën çarje të thella ndërmjet tyre dhe BE-së.

Pra Bashkimi Europian nuk iu gjend pranë përsëri Italisë dhe si zakonisht në të tilla raste aty afër rregullisht zë pusinë Kryeministri ynë për të realizuar strategjitë e tij të nivelit global. Nëse Europa nuk është pranë Italisë, jemi ne shqiptarët dëshmon shefi ynë me nismat e tij. Por nëse Europa nuk i hap derën Shqipërisë, thotë përsëri ai, do jenë të tjerët, por jo europianët ata që do të vijnë tek ne në Shqipëri.

Më shumë se i pari, akti i dytë i Kryeministrit fitoi tmerrësisht vëmëndje dhe beri mirë. Edhe vendit tonë i bëri realisht mjat mirë, kurse mbarë kombi italian u mallëngjye. Megjithatë politika italiane e njeh mirë politikën shqiptare që nga kohët më të hershme kur një historian i tyre u shpreh për mbretin Zogi I se është një princ tipik oriental i cili ose nuk e thotë kurrë atë që mendon , ose thotë gjithmonë të kundërtën e asaj që mendon.

Edhe në kontekstin e Bashkimit Europian, njëlloj si në atë të globalizimit, shteti dhe politika italiane janë dhe mbeten zë i fuqishëm brenda këtij organizmi.

Ata janë bashkautorë të dimensioneve të tij qoftë burokratike e qoftë humane apo dhe johumane, Coronavirusi goditi edhe Gjermaninë, Spanjën, Francën, shtete këto po ashtu kollona të Bashkimit Europian. Secili prej tyre po e përballon situatën në mënyrën, mjetet dhe metodat e tij specifike.

Pra diçka e lidhur me shëndetin publik dhe që e ndihmon pacientin nga coronavirusi njihet në Paris, por nuk dihet në Romë, dihet në Berlin, por nuk njihet në Madrid. Me fjalë të tjera kemi të bëjmë me një pandemi e cila ka prekur pjesën dërrmuese të vendeve të Bashkimit Europian dhe po përballohet nga secili prej tyre në mënyrë kombëtare.

Është e qartë që pandemia e papritur e coronavirusit e gjeti Bashkimin Europian të papërgatitur për t’i dhënë fatkeqësisë një përgjigje komunitare, të përbashkët. Fatkeqësi kjo që në thelb përmban komplikacione të tilla sociale që mund ta hedhin në erë edhe vetë këtë komunitet. Dhe përgjigja e Komisionit Europian është ajo që shpesh përdoret në raste të tilla, një bankomat që shpërndan euro.

Dihet nga të gjithë që Italia dhe vendet e tjera europiane, në procesin e ndërtimit të Komunitetit të tyre Europian sigurisht që kanë menduar për kërcënimet apo rreziqet që mund t’i vijnë nga jashtë hapësirës duke kuptuar me këtë rast vende të tjera në kufi apo më larg tyre. Dhe për t’i dhënë përgjigje të njësuar këtyre rreziqeve të përbashkëta ata kanë ndërtuar institucione të përbashkëta, komunitare.

Ndërtimi i këtyre institucioneve nuk ka qenë i vështirë për të folur me të njëjtën gjuhë pasi bëhej fjalë për të mbrojtur standardet e jetës së një familjeje të pasur,siç është Europa, nga mizerja ekonomike e gjithë vendeve të varfëri, përfshi dhe vendin tonë. Dhe në fakt kjo është në të drejtën e tyre. Kështu për të parandaluar rrezikun e përhershëm të migracionit ilegal që sigurisht vjen nga jashtë mureve, u ndërtua FRONTEX-i.

Për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar u ndërtua EUROPOL-i. Si dhe organizma të tjerë të fushës. Italia ankohet se përse Komisioni Europian nuk po e ndihmon në rastin e kësaj pandemie duke e karakterizuar atë si një institucion me një mungesë ndjeshmërie alarmante, por kur ishte rasti për të prapësuar emigrantët në det, Komisioni Europian ishte aty, në ndihmë të Italisë. Sepse janë faqe të së njëjtës fytyrë dhe rrezikun e kanë parë nga varfëria e të tjerëve dhe jo nga natyra dhe pandemia e saj.
Është vetë egoizmi i politikës italiane si dhe ajo e shumë vendeve të Bashkimit Europian që në ndërtimin europian nuk menduan dhe nuk e parashikuan që e gjithë kjo hapësirë përbashkët një ditë do të mund të goditej nga një pandemi e rrezikshme e cila po dëmton gjithçka, që nuk përballohet as me fondet stratosferike që ka Europa në mbrojtje ndaj rreziqeve migratore që sjellin fatkeqësitë njerëzore të mizerjes në botë e as me armatimet e prodhura prej tyre.

Është egoizmi i vendeve të pasura si Italia që për rrezik kanë parashikur gjithmonë mizerjen ekonomike të të varfërve të kësaj bote dhe jo natyrën. Solidariteti faktik mbi të cilin Shuman mendoi të ndërtonte Europën egziston, por i transformuar në një unitet kundër të tretëve dhe jo kundër të keqes.

P.S. Ky shkrim mori shtytje nga një postim në fb i një mjeku në Napoli i cili në mënyrë të thjeshtë dhe humane nuk akuzon globalizimin për pandeminë, por mungesën e frikshme të strategjive globale si përgjigje ndaj tyre. Ai e cilëson të papranueshme që një mjek në Napoli nuk e di se në Tokio të Japonisë paska lloj medikamenti që mund të shërojë coronavirusin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura