Gjyshja jep shtëpinë me qira, mbesa i vjedh varësen qiraxhiut

Jul 27, 2016 | 15:45
SHPËRNDAJE

Një minorene është shpallur e fajshme nga Gjykata e Tiranës për vjedhjen e banesës së qiraxhiut të gjyshes së saj, të cilit i ka marrë një varëse floriri dhe disa produkte kozmetike. Nxënësja e klasës së nëntë, G.A., 15 vjeçe, është dënuar me 20 ditë burg, por nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli.

Gjykata e Tiranes
Gjykata e Tiranes

Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit të saj me burg me një afat prej 18 muajsh, kohë gjatë së cilës e mitura duhet të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës dhe nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale. Sipas vendimit të shpallur pak ditë më parë në Gjykatën e kryeqytetit, ngjarja për të cilën u fajësua e mitura ka ndodhur në muajin shkurt të këtij viti.

Ajo është futur duke përdorur çelësin në banesën ku jetonte me qira shtetasi B.A., në rrugën “Budi”, pranë Qytetit Studenti në Tiranë.

“Nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se në këtë banesë ka hyrë duke e hapur me çelës shtetasja e mitur G.A. dhe pasi ka hyrë atje, ka marrë një varëse me material floriri, si dhe disa produkte kozmetike. Këto produkte u gjetën në shtëpinë e gjyshes së saj ku ajo banon dhe ku kishte marrë dhe çelësin, pasi banesa e vjedhur është dhënë me qira pikërisht nga gjyshja e autores”, thuhej në vendim.

Sipas Gjykatës, gjatë deklarimeve të dhëna prej minorenes në fazën e hetimeve, ajo ka pranuar marrjen e sendeve në banesën e qiraxhiut të gjyshes së saj. Ajo ka pohuar se ishte futur në banesën e B.A. me idenë për të luajtur në kompjuter, por pastaj ka marrë disa produkte kozmetike, të cilat i kanë pëlqyer. Gjatë gjykimit ajo ka shfaqur pendesë para Gjykatës dhe në fazën e konkluzioneve të mbrojtjes kërkoi një dënim më të butë se ai i kërkuar nga ana e Prokurorisë.

Në masën e dënimit të të miturës, Gjykata mbajti parasysh faktin se ajo nuk ka qenë e dënuar më parë, megjithëse në dy raste nuk është filluar procedimi për shkak se e pandehura nuk kishte mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe faktin se ajo pranoi akuzën dhe shfaqi pendesë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura