“Gjyshi im, Mehdi bej Frashëri, ish-kryeministër, i ndihmonte komunistët, kurse ata tentuan ta vrisnin me atentat”/ Dëshmia e rrallë e nipit të tij dhe fotot e panjohura

Mar 20, 2023 | 14:50
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Mehdi bej Frashërit një prej politikanëve dhe diplomatëve më të famshëm të historisë së Shqipërisë, në gjysmën e parë të shekullit të kaluara, i cili për 15 vite përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve dhe para se të kthehej në atdheun e tij, për vite me radhë kishte shërbyer si nënprefekt i Thrakisë dhe Guvernator i Jerusalemit dhe i gjithë Palestinës. E gjithë historia dhe karriera politike e Mehdi beut që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912-ën, e deri në largimin e tij nga Shqipëria, në nëntorin e vitit 1944, e cila vjen nëpërmjet dëshmive të rralla të nipit të tij, Tefik Çelo, i biri i Sheriarit, vajzës që i mbeti në Shqipëri dhe që bashkë me familjen e saj, e kaloi të gjithë jetën në internim në fshatrat e Myzeqesë, ku regjimi komunist i Enver Hoxhës kishte degdisur të gjitha familjet dhe pasardhësit e atyre që i konsideronte si “familje reaksionare” apo “armiq të popullit”!

IMG-20200210-WA0001

Kush ishte Mehdi Frashëri?

Sipas dëshmive të Tefik Çelos, Mehdi Frashëri u lind në fshatin Frashër të Përmetit, më 28 shkurt të vitit 1872. Familja Frashëri nga e cila rridhte dhe Mehdiu, ishte një familje fisnike bejlerësh dhe një nga më të dëgjuara në Jugun e Shqipërisë. Të parët e asaj familje kanë qenë të njohur si feudalë të mëdhenj dhe pronat e tyre shtriheshin deri në malin e Tomorrit. Pas disa konflikteve të karakterit politik që ajo familje pati me Portën e Lartë në Stamboll, ata u internuan familjarisht në Turqi. Në atë kohë që ndodhi internimi i familjes nga fshati Frashër për në Turqi, Mehdiu ishte nxënës në shkollën e mesme të qytetit të Manastirit, (Bitola) të cilën ai e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1894. Pas mbarimit të kësaj shkolle Mehdiu, fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur mësimet në Universitetin e Stambollit për Shkencat Politike dhe Ekonomike, ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1898. Duke u nisur nga rezultatet e larta që ai arriti në ato degë, qeveria turke e ftoi të punonte në administratën e saj dhe ai u emërua si N/Prefekt i Thrakisë e më pas i Maqedonisë e Sanxhakut, të cilat asokohe ishin nën sundimin otoman. Në funksionin e N/Prefektit të këtyre krahinave, Mehdi Frashëri, shërbeu deri në vitin 1911, kur u emërua Guvernator i Jerusalemit dhe i gjithë Palestinës. Pas një viti ai u transferua përsëri me detyrën e Nën komisarit të Turqisë në Misir të Egjiptit. Në shtatorin e atij viti ashtu si shumë patriotë shqiptarë, që asokohe punonin në administratën e lartë osmane, edhe Mehdi Frashëri u kthye në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe shpalljen e Pavarësisë.

IMG-20200210-WA0002

Përfaqësues i Qeverisë shqiptare pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit

Në vitin 1912, ai u caktua Përfaqësues i Qeverisë shqiptare, pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë dhe disa vite më vonë, në 1919-ën ai u caktua në postin e Ministrit të Brendshëm dhe më pas si delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Pas Kongresit të Lushnjës, në funksionin e Ministrit të Brendshëm, Mehdi bej Frashëri dha një kontribut të madh në organizimin e mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 1921, ku ai u zgjodh deputet, të cilat nga qarqet e huaja diplomatike u konsideruan zgjedhje të lira e demokratike. Në atë kohë ai u morr shumë dhe me problemet ekonomike, të vendit dhe me iniciativën e tij personale, bëri të mundur ndryshimin e monedhës shqiptare nga “Leka i madh” në “Lek”. Në atë periudhë që ishin duke u hedhur themelet e para të shtetit të ri shqiptar, Mehdi beu kryesoi të gjitha komisionet parlamentare për hartimin e ligjeve (kodeve) ekonomike dhe ishte i pari që paraqiti nevojën e Reformës Agrare e themelimin e një Banke në Shqipëri. Nga viti 1923 e deri në vitin 1939, me disa ndërprerje të shkurtër, Mehdi bej Frashëri ishte në funksionin e deputetit të Parlamentit shqiptar dhe përfaqësuesit të Shqipërisë, pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë të Zvicrës.

IMG-20200210-WA0005

Në 1929-ën në postin e Kryetarit të Këshillit të Shtetit

Në vitin 1929, ai u zgjodh në postin e Kryetarit të Këshillit të Shtetit dhe disa vjet më vonë në 1935-ën, Mbreti Zog e thirri dhe e emëroi në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Caktimi i tij në atë detyrë u bë nga ana e Mbretit Zog me qëllim që të kalonte situata e vështirë në të cilën ndodhej vendi. Ardhja e Mehdi Frashërit në krye të qeverisë shqiptare, asokohe u përshëndet nëpërmjet shtypit nga shumë intelektualë të njohur si p.sh. Padër Gjergj Fishta etj., të cilët e konsideruan atë si një qeveri me frymë thellësisht liberale dhe e kohës. Më 6 prill të vitit 1939, kur Italia filloi agresionin fashist ndaj Shqipërisë, Mehdi Bej Frashëri i cili në atë kohë ishte deputet i Parlamentit Shqiptar, u takua me Mbretin Zog që e kishte mikun më të ngushtë dhe i kërkoi atij që të fillonte rezistenca e armatosur ndaj italianëve, duke i thënë që Shqipëria nuk duhej të ndiqte shembullin e Tunizisë e cila nuk shtiu asnjë pushkë kur u pushtua nga Italia. Pas takimit me Mbretin Zog, Mehdi Bej Frashëri shkoi dhe mori një takim me Ministrin Fuqiplotë të Italisë në Tiranë, duke i kërkuar atij që të ndërhynte pranë Qeverisë së tij, që Musolini të tërhiqte ultimatumin që i kishte dhënë Qeverisë shqiptare. Mbasi nuk e bindi dot atë, Mehdi beu ndërmori dhe disa takime të tjera me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, duke u kërkuar atyre që të ndërhynin pranë qeverive përkatëse me qëllim që të dënohej agresioni fashist që Italia po ndërmerrte ndaj një vendi të vogël e sovran siç ishte Shqipëria. Në mëngjesin e 7 prillit 1939, kur u dha lajmi se anijet luftarake italiane mbërritën në Portin e Durrësit, Mehdi bej Frashëri shkoi vetë në Radio-Tirana dhe që andej me anë të një fjalimi iu drejtua gjithë popullit shqiptar, duke i bërë thirrje që të ngrihej me armë kundra pushtimit fashist. Gjatë atij fjalimi i cili u ndoq me interes të madh, nga mijra qytetarëve, Mehdi beu duke folur në emër të popullit shqiptar, e quajti Musolinin dhe trupat e tij “Atila oksidenta”.

IMG-20200210-WA0007

Internimi në Itali pas fjalimit në Radio Tiranë më 7 prill ‘39

Pas atij fjalimi patriotik dhe tepër prekës, Mehdi beu, nuk u largua nga Shqipëria ndonëse i kishte të gjitha mundësitë, por preferoi të qëndronte në krye të detyrës së tij, deri në minutën e fundit dhe u fut në Legatën turke në Tiranë, duke u kërkuar atyre strehim politik. Më pas autoritetet italiane që u vendosën në Shqipëri, duke e konsideruar Mehdi beun, si një antifashist e person politik me mjaft rrezikshmëri dhe kundërshtar potencial të tyre, e internuan atë në Itali, duke e mbyllur në kampet e përqendrimit, ku ai qëndroi deri në vitin 1943. Në 1943-in kur kapitulloi Italia fashiste dhe në Shqipëri hynë trupat gjermane, disa personalitete të politikës shqiptare të asaj kohe, si: Rexhep Krasniqi, Xhafer Deva, Bedri Pejani etj., gjatë bisedimeve që patën me përfaqësuesin fuqiplotë të Hitlerit në Ballkan (Nojenbauer), i kërkuan atij që të ndërhynte pranë qeverisë së tij, që Mehdi bej Frashëri, i cili ndodhej i internuar në Itali, të sillej në Tiranë për të kryesuar Këshillin e Lartë të Regjencës, pasi ai konsiderohej si një nga politikanët, më të aftë që kishte Shqipëria në atë kohë. Autoritetet gjermane u bindën për këtë dhe e sollën Mehdi Frashërin, në Tiranë dhe ai së bashku me Lef Nosin, Patër Anton Harapin dhe Fuat Dibrën, të cilët konsideroheshin si personat polikë me të kaluar të pastër, kryesuan Këshillin e Lartë të Regjencës, i cili u zgjodh pas mbajtjes së një Kuvendi Kushtetues, ku për herë të parë morën pjesë, me mandat të rregullt dhe përfaqësuesit e Kosovës. Në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, Mehdi Frashëri qëndroi deri në fillimin e nëntorit të vitit 1944, kur erdhën në pushtet komunistët me në krye Enver Hoxhën. Gjatë asaj periudhe, si dhe më përpara në viteve e Monarkisë së Zogut, Mehdi bej Frashëri, kishte banuar në Tiranë në një shtëpi tek Rruga e Dibrës, të cilën ua kishte marrë me qera familjes Petrela, sepse shtëpinë e tij (vila afër RTSH-së ku prej shumë vitesh ka qenë rezidenca e Ambasadës Ruse), ai e kishte lëshuar me qera për të përballuar jetesën e familjes.

IMG-20200210-WA0010

Largimi i Mehdi beut nga Shqipëria në nëntorin e ’44-ës me familjen e tij

Në fillimin e nëntorit të vitit 1944, kur forcat partizane të Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, Mehdi Frashëri së bashku me gruan e tij Nejre (Biçaku) dhe tre fëmijët Vehbiun, Medihan dhe Ragipin, u largua nga Shqipëria dhe nëpërmjet Shkodrës kaluan dhe u vendos në Itali, e cila në atë kohë kontrollohej nga Forcat Aleate. Në Itali, Mehdi Beu me familjen e tij përfituan statusin e azilantit politikë dhe kur mbërritën në Romë u vendosën në një apartament (afër stacionit të trenit) në Piaca “Rexhina Margarita”. Në atë periudhë Mehdi Bej Frashëri ishte në një moshë të thyer (75 vjeç) dhe nuk preferoi të vazhdonte më politikën, por iu përkushtua vetëm veprimtarisë studimore, duke hartuar një libër me titull “Historia e Shqipërisë” i cili i mbeti në dorëshkrim, pasi nuk arriti që ta botonte dot. Gjatë gjithë karrierës së tij politike, Mehdi Frashëri arriti të botonte rreth 600 artikuj publicistikë e studimorë në gazeta e revista të ndryshme, si dhe disa libra si “Koka e Prerë e Ali Pashë Tepelenës”, “Tirana Kryeqytet i Shqipërisë” etj. Mehdi Bej Frashëri ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Romë, në 25 maj të vitit 1963, kur ishte 91 vjeç, dhe në varrimin e tij ku fjalën e rastit e mbajti Dhimitër Berati, morën pjesë shumë personalitete politike të diasporës shqiptare në Europë e Amerikë, si dhe disa përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Itali.

IMG-20200210-WA0012-1

Familja e Mehdi Bej Frashërit, bashkëshortja dhe fëmijët

Nipi i tij, Tefik Çelo, (djali i vajzës, Shehriarit, i vetmi trashëgimtar i mbetur gjallë nga pasardhësit e tij deri pas viteve ’90-të), kujtonte: “Ndonëse gjyshi im Mehdi Frashëri kishte lindur në fshatin Frashër të Përmetit (në 1872), ai nuk ka pasur në Shqipëri asnjë njeri tjetër të familjes apo nga farefisi, sepse familja e tij u shpërngul për në Turqi aty nga vitet e fundit të shekullit të XIX-të dhe të gjithë pjesëtarët e saj mbetën atje me përjashtim të Mehdiut, i cili u kthye në 1911-ën së bashku me shumë patriotë të tjerë shqiptarë që erdhën në kuadrin e Shpalljes së Pavarësisë. Familja e gjyshit tim nuk kishte asnjë lidhje farefisnore me familjen e vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit e Samiut, ose më saktë duhet të kenë pasur një lidhje gjaku shumë të largët. Gjyshi, Mehdiu, që kur shërbente në administratën e lartë otomane, aty nga viti 1903 u martua me Nejre Biçakun, e cila (dt. 25 maj 1886), ishte një vajzë e re dhe rridhte po nga një derë fisnike bejlerësh të Elbasanit, nga Aqif Pashë Elbasani dhe Ahmet Zogun e kishte kushëri të parë (djalë daje). Nga kjo martesë, Mehdiut e Nejres, iu lindën katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. I pari i fëmijëve ishte Vehbiu (1906) e dyta nëna ime Sheriari (1907) e treta Medihaja (1911) i dhe i katërti Ragipi (1913). Ashtu siç ishte dhe tradita e familjes, gjyshi Mehdi beu u kujdes që t’i shkollonte të gjithë fëmijët e tij në shkollat dhe universitetet e Europës. Kështu djali i madh Vehbiu u diplomua në Gjermani në një shkollë Tregtare, kurse Ragipi u shkollua në Itali duke u diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Romë, si dhe në Akademinë Ushtarake në Torino. Po kështu edhe Medihaja ishte diplomuar në një Universitet të Gjermanisë, kurse nëna ime Shehriari, nuk i kishte kryer studimet e larta, por kishte mbaruar shkollën amerikane të Dakos në Kamëz”, dëshmonte Tefik Çelo, mbi përbërjen e familjes së nënës së tij, që ishte vajza e parë e Mehdi Bej Frashërit.

IMG-20200210-WA0008

Pozita shoqërore politike e familjes Frashëri

Cila ishte pozita shoqërore dhe politike e familjes së Mehdi Frashërit që nga koha e Monarkisë e më pas gjatë periudhës së pushtimit fashist? Lidhur me këtë, nipi i tij, Tefik Çelo dëshmonte: “Që nga viti 1911 kur gjyshi Mehdi beu së bashku me gjyshen Nejre, dhe tre fëmijët që u kishin lindur atje, erdhën nga Turqia në Shqipëri dhe u vendosën në Tiranë duke banuar në shtëpi të ndryshme si qiraxhinj. Nga fundi i viteve 1920, Mehdi beu filloi të ndërtonte shtëpinë e tij, (afër Radio Televizionit Shqiptar) e cila pas viteve ’90-të shërbeu për shumë kohë si rezidenca e Ambasadës Ruse. Për ndërtimin e asaj shtëpie Mehdi beu shfrytëzoi tokën që iu dha nga shteti (me vendim qeverie në periudhën e Monarkisë), ashtu si shumë funksionarë të tjerë të lartë deputetë e politikanë të cilët i blenë ato troje për të ndërtuar banesat e tyre. Për ndërtimin e asaj shtëpie përveç kursimeve nga të ardhurat që kishte si deputet, Ministër e Kryetar i Këshillit të Lartë të Shtetit, ai u ndihmua edhe nga familja e tij që ishte në Turqi, ashtu dhe nga ajo e gjyshes, (Biçaku) që po ashtu ishte familje e pasur. Gjatë viteve që Mehdi beu qëndroi në Gjeneve të Zvicrës, si përfaqësues i shtetit shqiptar pranë Lidhjes së Kombeve, ai e linte me qera atë shtëpi me qëllim që të përballonte jetesën e familjes dhe fëmijëve të cilët shkolloheshin me pagesë në universitetet e Europës. Nga katër fëmijët e Mehdi Beut, vetëm nëna ime Shehriari u martua me Remzi Çelon, (babanë tim me origjinë nga Leskoviku), i cili në atë kohë punonte si sekretar i Legatës shqiptare në Selanik, kurse tre të tjerët: Vehbiu, Medihaja dhe Ragipi, kanë qenë beqarë e nuk u martuan asnjëherë. Daja i madh Vehbiu, pas shkollimit në Gjermani, u kthye në Tiranë dhe gjatë viteve të Monarkisë është marrë pothuaj vazhdimisht me tregti, dhe të ardhurat që nxirrte ishin baza kryesore që mbahej familja. Po kështu edhe Ragipi mbasi qëndroi për afro dhjetë vjet në Itali ku mbaroi dy fakultete, erdhi në Tiranë dhe pasi punoi për disa kohë në administratën shtetërore, më pas u largua që andej dhe doli si avokat. Në vitet e fundit të Monarkisë dhe gjatë periudhës së pushtimit, Ragipi punonte në një studio ligjore së bashku me avokatin Haki Karapici, të cilin e kishte ortak. Kurse halla Medihaja, ka qëndruar gjithmonë në shtëpi duke u marrë me punët e shtëpisë. Gjatë periudhës së pushtimit 1939-1944, daja i madh Vehbiu ka shërbyer disa kohë në postin e zv / ministrit të Jashtëm të Shqipërisë”, dëshmonte Tefik Çelo, lidhur me pozitën shoqërore dhe politike të familjes së gjyshit të tij, Mehdi bej Frashërit, gjatë kohës së Monarkisë.

IMG-20200210-WA0011

Mehdi beu, ndihmonte komunistët

Lidhur me periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë kur Mehdi bej Frashëri ishte një ndër politikanët më të lartë të shtetit shqiptar, nipi i tij Tefik dëshmonte: “Ndonëse gjyshi im Mehdi Bej Frashëri gjatë viteve të pushtimit fashist kishte pranuar postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, ai nuk kishte asnjë lloj urrejtje për komunistët, përkundrazi në shumë raste ai i ka ndihmuar ata. Mehdi beu ka pasur bindje antifashiste dhe që me ardhjen e Italisë ai u internua prej tyre. Gjatë viteve 1943-‘44 familja e gjyshit banonte tek Rruga e Dibrës së bashku me familjen e avokatit të njohur Koço Dilo, në një shtëpi që ua kishin marrë me qera familjes Petrela. Familja e Koço Dilos me të cilën ne kishim një miqësi shumë të ngushtë, ishte e lidhur e gjitha me Lëvizjen Antifashiste dhe e kishin kthyer atë shtëpi në bazë të sigurt të komunistëve ku strehoheshin eksponentë kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, e shokë të Koços, si: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Nako Spiro etj., pasi dhe Telemaku, Melpomeni e Ksanthipi, ishin komunistë apo të lidhur ngushtë me ta. Siç më ka treguar nëna ime, (gjë të cilën e mbajnë mënd dhe familja Dilo), një natë dimri të vitit 1944, daja i vogël Ragipi, dëgjoi zhurmë në dritaren e banjës dhe shkoi menjëherë aty e ndezi dritën e pa se aty në banjë ishte futur motra e Koços, Ksanthipi. Ragipi e pyeti atë se pse kishte hyrë aty dhe ajo iu përgjigj se shtëpia ishte e rrethuar nga gjermanët, të cilët kishin ardhur për kontroll dhe donin të arrestonin Telemakun e komunistët e tjerë që ishin strehuar aty.

IMG-20200211-WA0002

Ndërsa Ksanthipi ishte duke i shpjeguar dajës se aty kishte hyrë për të kërkuar ndihmën e Mehdi beut që të dilte dhe të fliste me gjermanët e t’i merrte në mbrojtje ata, gjyshja Nejre, e cila kujtoi se mos komunistët kishin ardhur për t’i bërë atentat Mehdiut, iu drejtua Ksanthipit duke i thënë: ‘Nga kjo dritare që ju keni hyrë për t’ë vrarë këtë plak patriot, ne do t’u shpëtojmë juve jetën’?! Dhe ashtu ndodhi me të vërtetë; Mehdi beu u zgjua dhe doli të fliste me gjermanët duke iu thënë atyre se jo vetëm në atë shtëpi, por në të gjithë lagjen nuk kishte këmbë komunisti. Pas fjalëve të Mehdi beut, gjermanët u larguan menjëherë duke e besuar atë dhe duke menduar se kishin informacion të gabuar mbi vendndodhjen e bazës së komunistëve. Ndërsa Mehdi beu ishte duke u fjalosur me gjermanët, Telemaku dhe disa komunistë të tjerë që ishin strehuar aty, dolën nga ajo dritare dhe u larguan në thellësi të shtëpive të lagjes, duke i shpëtuar arrestimit të sigurt”, kujtonte nipi I tij, Tefiku lidhur me atë periudhë kohe kur gjyshi I tij banonte tek Rruga e Dibrës në një shtëpi me qera me familjen Dilo.

IMG-20200210-WA0004

Atentati i dështuar ndaj Mehdi beut

A ishte e vërtetë që komunistët donin t’i bënin atentat Mehdi bej Frashërit?! Lidhur me këtë, nipi i tij, Tefiku na dëshmonte: “Gjatë pranverës së vitit 1944, katër komunistë të “Njësitit Gueril” të Tiranës, hartuan një plan për t’i bërë atentat Mehdi beut, por ai plan dështoi pasi njëra nga vajzat e familjes Petrela, që kishte dijeni për atë atentat, e tregoi në shtëpinë e saj dhe i ati menjëherë e njoftoi Mehdi beun, i cili mori masa duke lajmëruar komandantin e truprojave të tij Sali Vatën nga Mati. Që nga ajo ditë Sali Vata i shtoi rojet si në shtëpi ashtu dhe në zyrë dhe kur e çonte Mehdi beun nga shtëpia në zyrë dhe anasjelltas, ai rrinte vetë në makinë me të, kurse dy motoçikleta e shoqëronin para veturës. Siç më ka treguar nëna, gjyshi ato roje nuk i mbajti më shumë se dy-tre ditë dhe i dha urdhër Sali Vatës që t’i hiqte duke i thënë: ‘Kush të dojë le të vij e të më vrasë’. Më pas për arsye sigurie ai u zhvendos me gjithë familjen nga banesa e Petrelasve dhe erdhi aty ku sot janë zyrat e Shoqatës së të Përndjekurve Politik, me qëllim që të ishte afër zyrave të Këshillit të Lartë të Regjencës, të cilat ndodheshin disa metra më larg aty ku sot është Biblioteka e vjetër”, kujtonte Tefik Çelo, atë periudhë kohe kur Mehdi bej Frashëri ishte në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, dhe shpëtoi nga atentati që i kishin kurdisur komunistët të cilët ai i ndihmonte vazhdimisht

Si u largua Mehdi beu nga Shqipëria

Tefiku kujtonte: “Ndonëse në vitin 1944 unë nuk kam qenë më shumë se shtatë vjeç, e mbaj mënd shumë mirë gjyshin tim, Mehdi beun dhe shpesh herë i vetëm nga shtëpia i shkoja në zyrë, pasi Lef Nosi që punonte bashkë me të si anëtar i Regjencës më donte shumë dhe më falte ndonjë gjë. Një ditë tek ato zyra të Regjencës më gjeti dhe Mithat bej Frashëri, i cili pasi i pyeti rojet: ‘Ç’do ky fëmijë këtu, më mori për dore dhe më çoi tek një shkollë që ishte aty afër ku ai shkonte dhe takohej shpesh me mësuesit e saj. Mbaj mënd që Mehdi beu kishte miq të ngushtë Patër Anton Harapin dhe Lef Nosin, të cilët pothuaj çdo natë vinin për darkë kur banonim tek shtëpia e Petrelasve në rrugën e Dibrës dhe diskutonin për orë të tëra me gjyshin, e kishte raste që flinin dhe aty tek ne. Po kështu në atë shtëpi vinin dhe shumë njerëz të tjerë, si nga rrethi familjar i babait tim, ashtu dhe të panjohur që kishin halle dhe probleme me qeverinë. Mehdi beu nuk i kthente asnjëherë mbrapsht, por e ndërpriste punën e tij në studio dhe i priste gjithmonë, në çfarëdolloj ore që vinin natën apo ditën. Aty nga fillimi i nëntorit të vitit 1944 kur partizanët e Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, periudhë në të cilën ne më shumë rrinim në bodrumin e shtëpisë nga frika e bombardimeve, Mehdi beu vendosi që të largonte jashtë Shqipërisë, Medihanë, dhe dy prindërit e mi, Remziun e Shehriarin, bashkë me mua. Për këtë gjë ai preu dhe biletat e avionit, por kur e mori vesh babai im këtë gjë, nuk pranoi të largohej nga Shqipëria dhe pas kësaj me biletat tona, përveç Medihasë, u nisën dhe Ragipi e Vehbiu. Pak ditë pas largimit të tyre, diku aty rreth ditëve të para të nëntorit 1944, edhe Mehdi beu bashkë me gjyshen Nejren, u larguan nga Shqipëria nëpërmjet Shkodrës dhe dolën në Itali. Nga Tirana për në drejtim të Shkodrës e deri në kufirin me Malin e Zi, gjyshi Mehdi beu u largua i shoqëruar nga një kompani me ushtarë, e cila ishte caktuar apostafat për mbrojtjen e tij dhe siç më ka treguar shoferi personal i tij Osman Baraku, që gjyshi e kishte një nga njerëzit më besnik, gjatë atij udhëtimi ata ranë disa herë në pritat e partizanëve. Osmani e përcolli me makinë Mehdi beun deri në kufi dhe pastaj u kthye përsëri në Tiranë së bashku me komandantin e truprojave Sali Vatën dhe shoferin tjetër që quhej Qazim”, kujtonte Tefik Çelo për ditët e fundit të gjyshit të tij, Mehdi bej Frashërit në Shqipëri në nëntorin e ’44-ës.

Konfiskimi nga komunistët i pronave të Mehdi bej Frashërit

Çfarë ndodhi me Shehriarin, vajzën e madhe të Mehdi bej Frashërit, e cila pas ikjes së babait dhe familjes së saj për në Itali mbeti e vetme në Tiranë? Çfarë qëndrimi mbajtën ndaj saj komunistët që erdhën në pushtet dhe cili qe fati i Hanëme Shehriarit dhe i familjes gjatë viteve të regjimit komunist? Lidhur me këtë, djali i saj, Tefiku dëshmonte: “Në nëntorin e vitit 1944 pas largimit nga Shqipëria të gjyshit Mehdi bej Frashërit, gjyshes Nejre dhe tre fëmijëve të tyre Vehbiut, Medihasë dhe Ragipit, në Shqipëri mbeti vetëm vajza e madhe e tyre Sheriari, që është nëna ime. Në atë kohë që ikën ata, babai im Remzi Çelo, së bashku me nënën vendosën që të largoheshim nga shtëpia e Petrelasve në Rrugën e Dibrës ku kishim banuar me qera së bashku me familjen e gjyshit Mehdi beut, dhe u vendosëm në një vilë të vogël aty ku sot është Qyteti i Studentit. Atë vilë që u bë pronë e përbashkët e dy prindërve të mi, ne e blemë me kursimet e babait, i cili kishte punuar për shumë kohë si Sekretar në Legatën shqiptare të Selanikut, si dhe me disa të holla që i kishte trashëguar nëna ime nga i ati i saj, Mehdi beu. Pas ikjes së gjyshit me gjithë familje, nëna u interesua për fatin e asaj pasurie të pakët që ata kishin lënë në shtëpinë e tyre, por nuk mundi që të merrte dot asgjë, për arsye se komunistët që erdhën në pushtet, vendosën shtetëzimin e shtëpive të të arratisurve politikë dhe si rezultat i saj u shtetëzua dhe vila e Mehdi beut. Interesimi i nënës sime Shehriarit, nuk kishte të bënte me ato pak plaçka që kishin ngelur aty, por sipas porosisë që i kishte lënë gjyshi, ajo donte të merrte vetëm bibliotekën ku ndodheshin qindra tituj librash të cilët Mehdi beu i kishte ruajtur që nga koha e Turqisë. Por edhe biblioteka u shtetëzua dhe për fat të mirë të gjithë librat e saj përfunduan në Bibliotekën Kombëtare, ku ndodhen dhe sot”, kujton Tefik Çelo atë periudhë të vitit 1944-45 kur nëna e tij Shehriari mbeti e vetme në Shqipëri pas largimit të familjes së saj për në Itali dhe biblioteka e pasur me qindra libra që kishte lënë ish-Kryeministri i Shqipërisë, përfundoi në fondin e Bibliotekës Kombëtare.

Largimi nga Tirana

Por ç’ndodhi më pas me familjen e vajzës së Mehdi bej Frashërit? Lidhur me këtë, Tefik Çelo dëshmonte: “Regjimi komunist që erdhi në fuqi në nëntorin e vitit 1944, nuk e ngacmoi fare familjen tonë dhe deri nga viti 1946 ne qëndruam në vilën e vogël te Qyteti i Studentit, pa pasur ndonjë problem të karakterit politik. Vetëm në vitin 1946 na njoftuan se Bashkia e Tiranës kishte marrë një vendim që në shtëpinë tonë do të vinte të banonte një ushtarak i lartë shumë i njohur që kishte qenë një nga heronjtë e luftës dhe familja jonë do të shkonte të banonte në shtëpinë e tij që ishte diku në Lagjen Brrakë. Pas këtij vendimi, ne nuk kishim se çfarë të bënim dhe babai shkoi ta shikonte atë shtëpi, por ato ditë ajo shtëpi u shemb nga që ishte shumë e vjetër dhe ne nuk hymë dot për të banuar aty. Megjithë këtë urdhri i Bashkisë së Tiranës u zbatua dhe ne ne nxorën nga shtëpia ku u fut për të banuar familja e oficerit të lartë. Pas kësaj për familjen tonë nuk u muar ndonjë vendim se ku do të banonim, por na thanë që të shkonim ku të donim, në Përmet apo në ndonjë qytet tjetër, veçse nga Tirana duhet të largoheshim. Vendimi i Bashkisë së Tiranës për të na nxjerr ne nga shtëpia që e kishim pronë tonën, padyshim që ishte si rrjedhojë e asaj që nëna ime ishte vajza e Mehdi Bej Frashërit të cilin regjimi komunist e kishte shpallur si “armik të popullit”, ndonëse në të gjitha listat ku jepeshin emrat e atyre që quheshin “kriminelë të arratisur”, dhe që nuk lejoheshin të ktheheshin në Shqipëri, emri i tij nuk figuronte asnjëherë. Edhe pse emri i gjyshit Mehdi bej Frashërit nuk figuronte në listat e atyre që regjimi komunist i quante “Kriminelë të Luftë” dhe që u ndalohej kthimi në Shqipëri, në vitin 1945 u arrestuan dhe u dënuan me 5 vjet burg, shoferi i tij Qazimi, dhe me 25 vjet Sali Vata, Komandanti i Rojeve. Të ndodhur përpara kësaj situate, aty nga fundi i vitit 1946 familja jonë së bashku me shumë familje të tjera të cilat quheshin të deklasuara, si: Dostët, Vrionët etj, u larguam nga Tirana dhe u vendosëm diku në periferi të Durrësit, ku banuam për katër vjet me radhë. Pas katër vjetësh qëndrimi në Durrës, duke përfituar nga një ulje apo më mirë të them një zbutje e dallgës së luftës së klasave, aty nga viti 1950 familja jonë dhe shumë familje të tjera me të cilët kishim shkuar nga Tirana në Durrës, u kthyem përsëri në Tiranë. Pas kthimit në Tiranë, duke qenë se nuk kishim asnjë shtëpi se ku të banonim, na mori në shtëpinë e tij aty në Rrugën e Kavajës, Osman Baraku, ish-shoferi dhe njeriu më besnik i Mehdi beut, i cili në nëntorin e 1944 e kishte përcjellë gjyshin me gjithë familje deri në kufirin shtetëror me Malin e Zi. Ato vite të para të pasluftës, nëna vazhdoi të komunikonte me letra me gjyshin, Mehdi bej Frashërin, dhe me dy vëllezërit e saj, Vehbiun e Ragipin e motrën e Medihanë. Letrat që na vinin nga Italia gjithmonë mbanin firmën e dajave apo tezes Medihasë, sepse gjyshi Mehdi beu, asnjëherë nuk shkruante vetë. Në atë kohë regjimi komunist na lejonte që të merrnim dhe ndonjë pako të vogël me rroba apo me ushqime që na i dërgonin ata nga Italia, por më pas kjo gjë u ndalua rreptësisht dhe jo vetëm pako që nuk na i lejuan më, por na e ndaluan dhe komunikimin me letra”, kujtonte Tefik Çelo periudhën e viteve të para të pasluftës, kur familjes së tij pasi i shtetëzuan vilën, e përzunë nga Tirana për në Durrës së bashku me shumë familje të tjera të atyre që regjimi komunist i quante “klasa të përmbysura” dhe nuk i lejonte që të merrnin letra nga njerëzit e familjes që ishin arratisur nga Shqipëria.

Internimi në fshatrat e Lushnjes deri në 1991-in

Sa kohë qëndroi në Tiranë familja e së bijës së ish-kryeministrit shqiptar të periudhës së Monarkisë që ishte arratisur që në nëntorin e ’44-ës? Lidhur me këtë, nipi Tefiku kujtonte: “Në atë shtëpi aty tek Rruga e Kavajës ne qëndruam deri në vitin 1953 kur pas një acarimi të situatës politike që erdhi pas vdekjes së Stalinit, na nxuarrën që andej dhe sipas një vendimi zyrtar të Komisionit të Internim-Dëbimeve na dëbuan nga Tirana duke na internuar në fshatrat e Fierit dhe të Vlorës. Në ato kohë familja jonë u nda në dy pjesë, sepse babanë Remziun e internuan në fshatin Kuç të Kurveleshit së bashku me 80 persona të tjerë nga familjet më të dëgjuara të Shqipërisë, kurse nënën Shehrirain, së bashku me motrën time Mimikën, i çuan në Shtyllas. Në atë kohë vetëm unë munda të qëndroj në Tiranë, pasi më mbajti në shtëpinë e tij, ish-shoferi i gjyshit, Osman Baraku dhe vazhdoja shkollën në Politeknikumin “7 Nëntori” (sot Harry Fultz) së bashku me fëmijët e tij. Pas disa vjetëve qëndrimi në kampet e internimit në Kuç të Kurveleshit, Shtyllas të Fierit dhe Savër të Lushnjes, babai Remziu me nënën dhe motrën, në vitin 1957 u bashkuan në fshatin Gradishtë të Lushnjes, ku ishte një nga kampet më të mëdhenj të internimit në të cilin ndodheshin shumë nga familjet më të dëgjuara të Shqipërisë, si: Dostët, Mirakajt, Gjonmarkajt, Demat, e shumë të tjerë. Nga familja ime vetëm unë munda që të shpëtoj pa shkuar që në fillim në ato kampe internimi, sepse pasi mbarova Politeknikumin në Tiranë, bëra një kurs për teknik të aparaturave mjekësore dhe duke fshehur biografinë, e rregullova që të shkoja në spitalin e qytetit të Korçës, si specialist i mirëmbajtjes së aparateve të atij spitali. Gjatë asaj periudhe që punova në spitalin e Korçës, ku për mua kujdesej Dr. Polena sikur të më kishte djalin e tij, unë bëja kujdes që të mos zbulohesha dhe nuk i tregoja as njeriu që e kisha familjen në internim në Gradishtë të Lushnjes. Kur ikja nga Korça për në Gradishtë për të takuar njerëzit e familjes, gjithmonë shkoja natën dhe pa u zbardhur dita ikja që andej që të mos më shikonte njeri. Pas disa kohësh që punova në atë spital, filluan dyshimet ndaj meje pas një letre që më erdhi nga nëna, e cila mbante vulën e fshatit Gradishtë. Disa ditë pas kësaj teksa kisha shkuar pranë familjes aty në barakat e Gradishtës, natën erdhi për kontroll operativi i Sigurimit dhe më gjeti brenda. Ai pasi i bëri presion nënës që nuk kishte treguar se e kishte djalin e madh, lajmëroi në Degën e Brendshme të Lushnjes për atë që kishte zbuluar. Pas kësaj erdhi letra në Korçë (ku më zbuluan që e kisha familjen në internim) ku u muar vendim dhe më dërguan edhe mua pranë familjes në Gradishtë. Në kampin e Gradishtës ne dhe të gjithë familjet e tjera që ishin të internuara aty, banonim në disa baraka të vjetra gjysëm të rrënuara dhe të mbuluara vende-vende me katrama. Në ato baraka ku ne jetonim bashkërisht me shumë familje të tjera, kishte, ish-ballistë, legalistë, komunistë të dënuar, gjermanë, kosovarë, prostituta jugosllave e të tjerë me të cilët punonim në punët më të rënda të bujqësisë në kanalet e moçalishtet e fushave të pafundme të Myzeqesë. Përveç asaj jetese në kushtet e mizerjes, ajo që na e bënte akoma e më të padurueshme jetën tonë aty, ishte apeli që bëhej tre herë në ditë, ku ne duhet të paraqiteshim para punonjësve të Degës së Brendshme, ku shpesh vinte dhe vetë Kryetari i Degës, Nuçi Tira, I cili e kishte porosi të veçantë nga Tirana që “të kujdesej” më shumë për ne të internuarit që ishim “armiq të pushtetit popullor”, kujtonte Tefik Çelo, periudhën e internimit të familjes së tij në kampet e internimit të Vlorës, Fierit e Lushnjes, për të vetmin shkak se nëna e tij Sheriari, ishte vajza e Mehdi Bej Frashërit, ish-Kryeministrit të Shqipërisë dhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës gjatë pushtimit gjerman, të cilin regjimi komunist në fuqi e kishte shpallur armik të popullit.

Burgosja e Tefikut, nipit të Mehdi beut

Çfarë ngjau më pas me familjen e Tefik Çelos, pinjollit të vetëm të familjes së Mehdi bej Frashërit që kishte mbetur në Shqipëri? Lidhur me këtë: Tefiku kujtonte: “Gjatë viteve të para të internimit unë u dënova me një vit e gjysëm burg, pasi u zura dhe qëllova një Operativ të Sigurimit, i cili na ishte bërë tepër i padurueshëm. Pasi e qëllova atë më arrestuan e më dërguan në Degën e Brendshme të Lushnjes, ku vetë Kryetari, Nuçi Tira, mori një dru të madh dhe filloi të më binte ku të mundte. Nga të bërtiturat e mia dolën në ballkone të gjitha familjet e oficerëve që banonin aty pranë dhe një grua i foli Nuçit duke i thënë: ‘Mjaft e qëllove atë djalë se po turpëron jo vetëm veten tënde, por dhe të gjithë ne familjet e oficerëve’. Pas fjalëve të asaj gruaje, Nuçi nuk më qëlloi më dhe kur më dënuan me një vit e gjysëm burg për rrahjen e Operativit, ai nuk më dërgoi në burg, por më mbajti aty në Degën e Brendshme, ku punoja me prapavijën. Në atë kohë që u dënova unë, familjen ma hoqën nga barakat e Gradishtës dhe ma dërguan thellë në kënetë ku jetesa ishte në kufijtë ekstrem të mizerjes”, kujtonte Tefik Çelo ato vite kur ai u dënua me burg për rrahjen e Operativit të Sigurimit, aty në internim ku familja e tij qëndroi nga viti 1953 deri në vitin 1991 kur u shemb regjimi komunist.

IMG-20200210-WA0017-1 IMG-20200210-WA0018 IMG-20200210-WA0017 IMG-20200210-WA0016 IMG-20200210-WA0015 20200211_101911 IMG-20200210-WA0006 IMG-20200210-WA0000 IMG-20200211-WA0003 IMG-20200211-WA0005

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura