Gjyqtari Miri prej 5 ditësh në spital, Apeli s’e nxori nga qelia. Ç’tha avokati

Nov 28, 2017 | 11:50
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Apeli i Krimeve të Rënda ka vendosur të mos e ndryshojë masën e sigurisë ndaj gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri.

Miri

Seanca në Apel u zhvillua ditën e djeshme pa praninë e të pandehurit, i cili sipas avokatit Ardian Visha gjendet prej 5 ditësh i shtruar në spitalin e burgut për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Megjithatë, Apeli nuk i mori parasysh këto rrethana dhe vendosi të lërë në fuqi masën e Shkallës së Parë për gjyqtarin e akuzuar për korrupsion. Në këtë mënyrë, Shkëlqim Miri do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Avokati i tij listoi një sërë arsyesh se përse duhej një masë më e lehtë sigurimi për gjyqtarin Miri. Sipas tij, gjyqtari është treguar mjaft bashkëpunues me drejtësinë dhe nuk ka tentuar në asnjë moment që të largohet apo t’i shmanget asaj.

Para arrestimit, Shkëlqim Mirit, sipas avokatit, i është kontrolluar banesa dhe zyra e tij e punës. Më pas ai është thirrur në Prokurori për të dorë- zuar telefonin celular dhe këtë gjë e ka bërë pa asnjë hezitim.

Po kështu, avokati argumentoi se këto sjellje të gjyqtarit tregojnë se ai në asnjë moment nuk ka tentuar t’i shmanget drejtësisë dhe as nuk përbën rrezik për shoqërinë dhe prishjen e provave.

Avokati ka ritheksuar gjendjen shëndetësore të gjyqtarit tashmë të pezulluar me vendim KLD-je, por rrethanat janë hedhur poshtë nga Apeli.

AKUZAT

Gjyqtari i Apelit të Tiranës akuzohet për korrupsion dhe fshehje të të ardhurave. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 33 milionë lekë të rinj të padeklaruara. Ai ishte nën hetim për një rast korrupsioni, ku dyshohet se ka marrë 30 mijë euro në këmbim të votës pro lënies në fuqi të një vendimi.

Bëhet fjalë për vendimin për shtetasin Gentian Doda, i akuzuar më parë për vrasje. Ky i fundit, pas vitesh në arrati u kap në SHBA dhe u ekstradua në Shqipëri me kushtin që t’i bëhej rigjykim, pasi ishte dënuar në mungesë për vrasje. Gjatë rigjykimit, Shkalla e Parë e Matit vendosi të rikualifikojë veprën penale, nga “vrasje me paramendim”, në “plagosje të rëndë me dashje me pasojë vdekjen”, pasi sipas Gjykatës së Matit, Doda dhe viktima nuk kishin pasur konflikte më parë dhe se personi i qëlluar me armë zjarri nga Doda humbi jetën disa ditë më vonë në spital.

Ky vendim u apelua në qershor nga Prokuroria dhe Shkëlqim Miri dyshohet se ka marrë 30 mijë euro nga Doda që të votojë pro lënies në fuqi të vendimit të Matit. Edhe Gentian Doda është në kërkim nga Policia për “korrupsion”, ndërsa i afërmi i gjyqtarit, Kujtim Miri, është prangosur si person që ka luajtur rolin e sekserit në aferën e korrupsionit.

Gjithashtu, në kërkim është edhe Alban Buci, i afërm i Gentian Dodës, i cili është takuar me Kujtim Mirin në një lokal në Fushë-Krujë për ndërmjetë- simin e “pazarit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura