“Gjyqtari Kallço gjakatar e xhepist, u tall me dhimbjen”

Dec 1, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

“Gjyqtari Stavri Kallço tallej me dhimbjen tonë. Ai shikonte vetëm avokatin dhe qeshte. Ai nuk është gjyqtar, por gjakatar, xhepist që fiton mbi gjakun e djalit tonë”.

Nevzat Hoxhallari, babai i inspektorit të Punës, vrarë në mënyrë makabre një vit më parë në Pogradec, ka denoncuar dhe një herë procesin në Gjykatën e Apelit në Korçë, ku trupa gjykuese, e drejtuar nga Stavri Kallço, la të lirë Redi Kazermën, personin që familja Hoxhallari e cilëson personin që kërcënoi, nxori në pritë dhe më pas vrau në bashkëpunim 28-vjeçarin. Bashkë me të shoqen, Adelinën, Nevzat Hoxhallari ishte dje në emisionin “Me zemër të hapur” në News 24, për të treguar dhe denoncuar fakte të reja të dosjes së djalit. Shpresa e tyre mori fund në momentin kur gjyqtari i Apelit nuk e mori parasysh akuzën e bashkëpunimit në vrasje, por la në fuqi akuzën e moskallëzimit të krimit për Kazermën. Ndërsa për autorin e vetëm të akuzuar dhe që është dënuar për vrasje, Elton Bregu, u vendos dënimi me 12 vjet burg, me akuzën e vrasjes së çastit, jo me paramendim.

mendi1

BABAI: GJYQTARËT, GJAKATARË!

“Vrasja e djalit tonë nuk është e zbardhur. Është komplet e manipuluar, e mbuluar. Nuk kemi qenë dakord as në Gjykatën e Faktit e as në atë të Apelit. Edhe Apeli këtë punë vazhdoi, punën e këtyre të parëve. Këta nuk janë gjyqtarë, por janë gjakatarë, kriminelë. Nuk janë të gjithë kështu ndoshta, por këta që bënë gjyqin e djalit tonë kështu janë: Janë gjakatarë, janë xhepistë! Se ata që mbuluan gjakun e djalit tonë kështu janë”, u shpreh Nevzat Hoxhallari, i cili humbi djalin e vetëm më 9 qershor të vitit të shkuar. “Nuk ka si të jetë ndryshe, se që ta mbulojnë që në fillim e deri në fund krimin dhe autorët, do të thotë se ata janë të lidhur.

Edhe atë ditë në gjyq, këta të Apelit, janë sjellë shumë keq me ne. Atë ditë ne thoshim ndonjë fjalë, ata na shikonin keq, qeshnin me ne. Nuk pranonin asgjë nga fjalët tona, por qeshnin me fatkeqësinë tonë, me dhimbjen tonë. Pranuan vetëm të dëgjonin avokatin, se avokati sekser ka qenë. Nuk është avokat ai.

Në dy gjyqe të pranohet ai avokat. Ai thoshte se ka qenë biçak me të cilin u godit djali ynë, por të gjithë e dinë se ka qenë thikë e madhe, e ka nxjerrë ekspertiza, dukej plaga”, thekson babai i 28- vjeçarit.

Më tej ai vazhdon me të tjera pyetje që duan përgjigje, por që nuk u sqaruan asnjëherë: “Si arrijnë të thonë se vrasja ka ndodhur në 6 e gjysmë kur ne e dimë që ka qenë herët? Mjekët kanë thënë se vrasja është e paramenduar, se thikat kanë qenë të mprehura mirë. Policia dhe gjykatat duhet të hapë tabulatet e të gjithë personave, vëllezërve Çekiçi, Redi Kazerma, Elton Bregu. Ka kamera sigurie, se aty afër ka një bankë, dëshmitarët nuk janë marrë në pyetje. Si ka mundë- si?! Që në fillim u dhanë miliona për ta, që ta mbyllnin këtë çështje që në nisje”.

mendi2

NËNA: VRASJE E DYTË PËR NE!

“Na vrau për së dyti Gjykata e Apelit të Korçës. Pas vrasjes së djalit nga kriminelët, ishin gjyqtarët që na vranë ne”, shprehet Adelina Hoxhallari, e cila ndonëse e sëmurë, thotë se nuk do të reshtë së kërkuari të drejtën për djalin e saj.

“I thashë trupit gjykues, kur thanë se do të lirohet Redi Kazerma: Redi Kazerma është krimineli kryesor. Ma mori djalin për të pirë kafe, por ma vrau. Kujt ia dorëzoi djalin tim? Kush e thirri kriminelin nga Korça që bëri vrasjen e Kelmentit? Kush ia mbajti duart Kelmentit? Por ka qenë Petrit Çekiçi, Agron Çekiçi dhe Gëzim e Neta Çekiçi.

Të hapen tabulatet. Kush e thirri Kelmentin për kafe dhe kush e thirri këtë nga Korça që të bënin vrasjen e djalit tim? Kanë qenë këta, qenë dajallarët dhe nipërit bashkë në këtë vrasje makabër të djalit tim, që ma mbyllën derën. Gjykatësi Stavri Kallço buzëqeshi. E kanë parë edhe gazetarët. Këtë ka bërë ai kur ka dhënë vendimin”, tha dje ajo në emisionin “Me zemër të hapur”. “U ngrit avokati Nevzat Tarelli. Tha ishte biçak, ka mbrojtur veten Elton Bregu. Ishte jetim, kishte dhëmbët e vënë. Jepte këto gjëra dhe iu drejtua trupit gjykues. I thoshte këto dhe shihte nga gjykatë- si Kallço.

Unë u ngrita vetë si nënë dhe i thashë: Ju që po lironi Kazermën, por kush e thirri Elton Bregun nga Korça që bëri vrasjen? Unë djalin tim e pata me shkollë, pa vese. Ndërsa këta janë të dënuar për krime të tjera, të dy. Janë të dy djem tezesh. Pas tyre fshihen Çekiçët. Zbardh tabulatet, i thashë prapë. Unë flisja e avokati me gjyqtarin shiheshin sy më sy. U ngrit prokurorja, por kush e dëgjoi. Këta vetë vendosnin e vetë vulosnin. Sa më thanë dhe mua: Nënë mbylle gojën se do të të nxjerrim përjashta! Kështu më tha trupi gjykues. Kur do ta lironin Redi Kazermën për moskallëzim krimi, u thashë: Pse e lironi për moskallëzim krimi? Ky nuk ma shpëtoi djalin”.

KELEMNDIII

MUNGUAN DËSHMITARË KYÇ

Prindërit e Klement Hoxhallarit thonë se ka shumë dëshmitarë që nuk janë marrë në pyetje, por janë anashkaluar. “Në lokalin ku është pirë kafja e fundit, ka pasur edhe njerëz të tjerë aty: Vali Dervishi me të vëllanë doktor, ka qenë kamerier Erjon Hoxhallari, nga Starova. I thashë Erjonit: Kur pinit kafe, pse nuk ma shpëtove Mendin? Më tha se Mendin e ngjitën lart, pinë kafen dhe siç debatuan, pastaj e vranë poshtë në shkallë”.

Pyetjes se a është thirrur dëshmitar kamerieri, Adelina Hoxhallari tha se është interesuar vetë për këtë. “Policia më ka thënë se Erjon Hoxhallari duhet të hyjë me duart brenda se ai ka çuar kafet dhe ka bërë gjithçka. Por prokuroria thotë: Çfarë të bëjmë ne, ai nuk na tregon. Dorina Bejko është e manipuluar. Ajo e mbuloi krimin e djalit tonë, që ia mbylli derën nënës. Gjithmonë thoshte: biçak, biçak, biçak. Po ata i kanë manipuluar provat”, shprehet nëna e inspektorit të vrarë. “Dëshmitar kam dhe mjekun Hasan Laha. Mjeku tha se kanë qenë thika të mprehura, thika kasapi. Unë jam burrë tha dhe nuk e mohoj. I thamë prokurorit Sotir Kllapi për ta marrë dëshmitar. Më tha: Thuaj doktorit se do ta çoj të pi kafe me Elton Bregun në burg. Që atëherë nisën manipulimet”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura