Gjyqi i ish-deputetit Mark Frroku, pse do njoftohet Ambasada Amerikane

May 1, 2016 | 10:55
SHPËRNDAJE

TIRANE – Ambasada Amerikane në Tiranë do të njoftohet zyrtarisht nga Gjykata e Tiranës në lidhje me procesin gjyqësor që po zhvillohet në këtë gjykatë ndaj ish-deputetit, Mark Frroku.

Mark Frroku në Kuvend
Mark Frroku në Kuvend

Shkak është bërë dyshtetësia e të pandehurit Frroku. Në seancën e fundit gjyqësore ku ai akuzohet për “vrasje me dashje” dhe disa vepra të tjera penale, kryesuesja Klorinda Çela i kërkoi të pandehurit të saktësonte shtetësinë e tij. “Kam dy shtetësi,- tha i pandehuri nga kafazi i sallës së gjyqit,- shqiptare dhe amerikane”.

Shtyrë nga ky fakt, në vendimin e ndërmjetëm për ndërprerjen e seancës gjyqësore dhe shtyrjen e saj, kryesuesja Çela ka urdhëruar njoftimin e selisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kryeqytet.

“Gjykata, duke konstatuar se i pandehuri Mark Frroku gëzon dy shtetësi, shqiptare dhe atë amerikane, gjithashtu çmon të domosdoshme që t’i bëhet njoftim edhe Ambasadës Amerikane për këtë shtetas se po zhvillohet një gjykim penal ndaj tij”, thuhej në vendimin e ndërmjetëm.

Në këtë proces gjyqësor, ish-deputeti Frroku është përballë akuzës së Prokurorisë për vrasje të ndodhur në Belgjikë në vitin 1999.

Njëkohësisht, ndaj tij Prokuroria ka ngritur akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurisë” dhe “ndërtim të paligjshëm”.

Në seancën e kaluar, i pandehuri Frroku mohoi gjithë akuzat e ngritura ndaj tij. Ai tha se Prokuroria i bazon akuzat ndaj tij në thashetheme dhe në dëshmitarë anonimë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura