Gjylameti: Basha premtoi internet falas për të gjithë qytetarët, por mashtroi

Apr 28, 2015 | 13:04
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste përmes deputetes Blerina Gjylameti ka akuzuar Lulzim Bashën se nuk ka mbajtur premtimet elektorale që e sollen në krye të Bashkisë Tiranë dhe se ka mashtruar qytetarët me projektin e krijimit të zonave të lira WI-FI. 

“Të numërosh premtimet e pambajtura të Lulzim Bashës në Tiranë është vërtet punë e gjatë. Të numërosh premtimet e mbajtura të Lulzim Bashës nga ana tjetër është punë e lehtë sepse për të thënë “asgjë” duhen veç pak sekonda. Një nga premtimet e bujshme që bëri Luli për Tiranën ishte krijimi i zonave të lira Wi-fi, pra i zonave me lidhje interneti falas për të gjithë qytetarët, e veçanërisht rininë. Sot nga ky projekt nuk ka mbetur më asgjë. Me shumë gjasa e ka harruar edhe vetë Luli”, tha deputetja në një deklaratë.

Blerina Gjylameti

Sipas deputetes: “Nuk është çudi që pas pak të shihni në ekrane ndonjë zëdhënëse të Lulit duke e përgënjeshtruar këtë të vërtetë e duke na treguar se sa çun me vizion është Luli, e sesi i ka dhënë Tiranës fizionominë e një qyteti modern europian, sesi ka realizuar jo vetëm zonat e lira WI-FI por edhe projektin e tramit e të bulevardit. Prandaj, i ftojmë qytetarët të mos na besojnë ne, por të provojnë vetë të lidhen me internetin falas të Lulit.

E vërteta natyrisht është se Lulzim Basha i mashtroi qytetarët e Tiranës me gjithfarë premtimesh që nuk kishte kurrë ndërmend t’i mbante. Të mos kishte mbajtur një apo dy premtime, edhe i falej. Problemi është se s’ka mbajtur asnjë duke filluar që nga më ambiciozet e duke vazhduar deri tek ato më modestet, siç është rasti i internetit falas.  Në fakt, e vetmja punë që ka arritur të bëjë Luli në bashki është të paguajë rrogat e administratës së bashkisë.

Luli i iku garës së Tiranës duke u fshehur pas një kandidati që nuk e merr njeri seriozisht. Por në 21 qershor vota e qytetarëve të Tiranës gjithsesi do të jetë një votë kundër Lulit. 21 qershori do të jetë një votë që do ta rikthejë Tiranën në drejtimin e duhur pas në makthi katërvjeçar me Lulin kryetar bashkie”, tha ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura