Gjykatësja që liroi të fortët kërkon “pakt” me KLGJ/ Avokati: Të ndëshkohet me marrëveshje

Feb 26, 2021 | 9:02
SHPËRNDAJE
Gjyqtarja Enkeleida Hoxha
Gjyqtarja Enkeleida Hoxha

Seanca dëgjimore e planifikuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGj, mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha për lirimin e padrejtë të disa të dënuarve për krime të rënda, filloi me një përpjekje të gjyqtares për të shtyrë procesin.

Gjyqtarja Enkeleida Hoxha, e cila është në paraburgim që prej 11 shkurtit kur u arrestua së bashku me 11 persona të tjerë në akuzat e korrupsionit, nuk u paraqit në seancën e së enjtes, ndërsa i kishte kërkuar KLGj-së shtyrjen e seancës për shkak të gjendjes dhe pozitës ku ndodhej. Hoxha u arrestua së bashku me disa zyrtarë të Gjykatës së Krujës, një avokat dhe disa qytetarë, që dyshohen si pjesë të një strukture kriminale që synonin të lironin disa të dënuar që e vuajnë dënimin e burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, kundrejt përfitimeve monetare. Të njëjtat motive për të cilat ajo po gjykohet në procesin disiplinor në KLGJ, ku ILD-ja kërkon shkarkimin e saj për vendimet e lirimit të Hekuran Billës, i dënuar me burgim të përjetshëm në Mbretërinë e Bashkuar për një vrasje të kryer në 2006-ën; Endrit Dokles, një prej krerëve të “Bandës së Durrësit”, edhe ky i dënuar me burgim të përjetshëm dhe lirimin e Ilir Pajës, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 17 vjet burg.

PËRPJEKJA PËR SHTYRJE

KLGJ-ja lexoi fillimisht se kishte marrë një kërkesë të Hoxhës për shtyrje të seancës. Në mbledhje u lexua se ajo kishte kërkuar të mos ishte e pranishme. “Deklaroj se nuk dua të shoqërohem ditën e nesërme”, ka deklaruar Hoxha prej ambienteve të paraburgimit ku gjendet e izoluar prej 11 shkurtit. Por veç Hoxhës, në fillim të seancës dëgjimore në KLGj të enjten, u konstatua se nuk ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi ligjor i gjyqtares Hoxha, avokati Ardian Visha. KLGj-ja konstatoi se avokati ishte njoftuar, por nuk kishte pasur kontakt nga ana e tij. Inspektori i lartë i Drejtësisë, Artur Metani, tha se e kuptonte situatën e gjyqtares së proceduar dhe se nuk do të kishte dashur të kishte një proces ku magjistrati të gjendej në një situatë të tillë. “Do t’i kërkoja të mbledhë veten dhe të bëjë një mbrojte dinjitoze”, tha ai, por refuzoi shtyrjen, duke theksuar se procesi ishte shtyrë 4 herë dhe arsyet nuk ishin të ligjshme.

QËNDRIMI I ILD-SË

Më pas seanca vijoi në mungesë të avokatit. Metani lexoi shkeljet e konstatuara prej tij gjatë hetimit administrativ lidhur me lirimet e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i cilësoi ato si mos përmbushje e pajustifikuar e funksioneve. Ai tha se vendimet ishin marrë “në mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal”. Sipas Metanit, hetimi disiplinor i ILD-së ka analizuar 6 vendimmarrje të Hoxhës nga viti 2017 deri në 2019- ën, nga ku ka rezultuar se nga ana e saj janë zhvilluar procese gjyqësore tërësisht të njëanshme. Ai tha se këto vendime nuk ishin pasojë e paaftësisë, por ishin marrë me dashje.

QËNDRIMI I MBROJTJES

Pasi Këshilli u tërhoq për pak minuta, në seancë dëgjimore u paraqit avokati Ardian Visha. Ai kundërshtoi qëndrimin e Metanit për zvarritje të procesit nga ana e tij dhe e gjyqtares Hoxha, ndërsa u përpoq të lidhte kërkesën për shkarkim me sulmin ndaj gjyqtares prej Kryeministrit Edi Rama. Në fillim të fjalës së tij, Visha citoi se Rama në 13 shkurt 2021, e kishte quajtur magjistraten “mostër”. “Etiketimi ‘mostër’ është i papranueshëm dhe është detyrë edhe juaja të mbani qëndrim”, tha Visha. Ai po ashtu tha se disa prej çështjeve të ngritura nga ILDja ishin ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit dhe se ato nuk mund të ishin pjesë e hetimit administrativ. “Përmend Doklen dhe Tafilajn, kur ato çështje janë ende në gjykim në Apel”, tha Visha.

Ndërkohë, ai këmbënguli se lirimet e Billës dhe të Ilir Pajës nuk kishin prodhuar asnjë rrezikshmëri shoqërore të shtuar. “Dy subjektet e liruara nuk kanë prodhuar asgjë”, tha Visha, duke shtuar se vrasja në atentat në një prej zonave më të populluara të Tiranës e Hekuran Billës në qershor të vitit të kaluar nuk ishte pasojë e lirimit të tij të parakohshëm. “Billa fatkeqësisht një vit e gëzoi lirinë e tij, por nuk ka kryer asnjë ngjarje. Rasti Billa është qesharak, aq sa është tragjike edhe vdekja e tij”, pohoi Visha, ndërsa tha se “Shteti duhej t’i ruante jetën dhe nuk e ka bërë këtë gjë”, shtoi përfaqësuesi i Hoxhës. Avokati Visha po ashtu i mëshoi në proces qëndrimeve nga institucionet në varësi të qeverisë dhe prokurorët që kishin mbështetur lirimet me kusht. Ai tha se për të realizuar lirimet ishin përfshirë Drejtoria e Burgjeve, Shërbimi i Provës dhe prokurorët e çështjeve.

“Ka një union të qëndrimeve të tyre”, tha Visha. Ai kërkoi që të thirreshin si dëshmitarë në këtë proces edhe zyrtarë të institucioneve të tjera, që sipas tij kanë pasur të njëjtin qëndrim me gjyqtaren në vendimet e saj të lirimeve të parakohshme. Ai kërkoi që të thirrej si dëshmitar drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, përfaqësuesi i Shërbimit të Provës Arjan Kulluri, prokurori në pension Bujar Çipi, i liruari Ilir Paja dhe prokurori Bujar Memia, ndaj të cilit po ashtu ka një proces disiplinor të nisur nga ILD-ja. Visha po ashtu pretendoi se mendimi i mjekëve ligjorë që nuk ishte marrë në këto raste nuk kishte qenë i nevojshëm, pasi ata janë të paaftë dhe mjekët e marrë ishin më të mirët. “Asnjë prej tyre nuk kanë aftësitë profesionale, nuk kanë asnjë aftësi.

Gjyqtarja ka marrë dy mjekët më të mirë të fushës dhe kanë dhënë përvojën e sëmundjes”, tha Visha. Visha megjithatë pranoi disa shkelje nga gjyqtarja, por tha se ato vinin nga mungesa e njohurive dhe i konsideroi lapsuse. Ai kërkoi kohë për një marrëveshje që do e ndëshkonte gjyqtaren për këto shkelje, por jo me shkarkim, ndërsa tha se vendimet nuk kishin pasur pasoja. “Vetë lirimi nuk ka sjellë pasojë për të dëmtuar imazhin e gjyqtarit. Agresiviteti i medias ka qenë në ekstrem dhe ka ndikuar tek inspektori”, tha avokati Visha dhe këmbënguli se këto shkelje se nuk mund të prodhojnë shkarkim./Birn

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura