Gjykata Supreme: Rasti i Skocisë është krejt i ndryshëm nga ai i Kosovës

Feb 2, 2023 | 7:48
SHPËRNDAJE

xhezairzaganjoriXHEZAIR ZAGANJORI

Rreth dy muaj më parë, më 23 nëntor 2022, Gjykata Supreme e Britanisë së Madhe shpalli vendimin e saj lidhur me çështjen e miratimit ose jo të një ligji të veçantë në Parlamentin Skocez mbi organizimin e një referendumi të ri mbi pavarësinë e Skocisë, me pyetjen “A mund të jetë Skocia shtet i pavarur?”. Kjo çështje ishte referuar në këtë Gjykatë nga Lordi Avokat (Lord Advocate), i cili në bazë të Aktit Skocez të vitit 1998 është Zyrtari më i Lartë Ligjor në Skoci, dhe për këtë arsye, edhe anëtar i Ekzekutivit (Qeverise) Skocez. Në këtë gjykim, si palë e interesuar u lejua të paraqitej edhe Partia Kombëtare Skoceze, me kryetare politikanen shumë të njohur Nicola Sturgeon, e cila nga viti 2014 vazhdon të jetë ministre e Parë (praktikisht si Kryeministre) e Qeverisë së Skocisë. Pavarësisht këtij fakti, sipas vetë Gjykatës Supreme, legjitimimi i kësaj partie politike u bë me qëllimin për t’i dhënë mundësinë trupit gjykues të organit gjyqësor suprem në Britani që ta shohë problemin në një spektër sa më të gjerë, aq më tepër që Partia Kombëtare Skoceze që është në pushtet në Skoci prej vitit 2007, nga themelimi i saj në vitin 1934 ka si pikë kryesore të programit politik pavarësinë e Skocisë. Megjithëse pikërisht për këtë çështje është organizuar në vitin 2014 një referendum i veçantë në Skoci, përmes të cilit 55,3 % e votuesve i thanë Jo shkëputjes nga Britania e Madhe (pra, vetëm 44,7 % ishin pro), ajo u rifut në agjendën politike për shkak të daljes përfundimtare të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian më 1 janar 2021. Kjo, sepse nga sondazhet e zhvilluara, rezulton qartësisht tashmë se shumica e popullsisë skoceze janë aktualisht kundër këtij akti të njëanshëm (daljes nga BE), dhe se vlerësohet që pas pavarësisë së mundshme të Skocisë, ajo menjëherë do të kërkonte të futej në këtë organizatë ndërkombëtare. Siç do ta trajtojmë shkurtimisht më poshtë, vendimi i Gjykatës Supreme e ndalon miratimin e një ligji të ri mbi riorganizimin e një referendumi të dytë mbi këtë çështje. Megjithatë, në këtë vendim interesant, të bën përshtypje pjesa fundore e tij, paragrafët ‘88–‘89, në të cilët ajo u jep përgjigje pretendimeve të subjektit të interesuar, Partisë Kombëtare Skoceze, sipas së cilës edhe në rastin e Skocisë duhet të zbatohet parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, ashtu siç është vepruar edhe në rastin e Kosovës. Gjykata Supreme argumenton mjaft mirë se bazuar në standardet tashmë të njohura të së drejtës ndërkombëtare të theksuara edhe në vendimin e Gjykatës Supreme të Kanadasë lidhur me çështjen e pavarësisë së krahinës së Kebekut (Quebeck), rezulton qartësisht se rasti i Skocisë është krejt i ndryshëm nga ai i Kosovës. Megjithatë, në interes të lexuesit, le ta shohim disi më gjerë këtë problem.

Skocia është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Në termin Britani e Madhe përfshihen Anglia, me sipërfaqe rreth 131 mijë kilometër katrorë dhe popullsi rreth 50 milionë banorë; Wellsi me sipërfaqe rreth 21 mijë kilometër katrorë dhe popullsi rreth 3 milionë banorë, si dhe Skocia me sipërfaqe rreth 80 mijë kilometër katrorë dhe popullsi rreth 6 milionë banorë. Irlanda e Veriut si pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, ka një sipërfaqe prej 14 mijë kilometër katrorë dhe rreth 1,7 milionë banorë. Nga statistikat e mësipërme konstatohet lehtësisht se Skocia zë rreth 1/3 e territorit të Mbretërisë së Bashkuar të vendosur kryesisht në Ishullin Britanik (konkretisht pjesën veriore të këtij ishulli, që laget kryesisht nga Oqeani Atlantik dhe Deti i Veriut) dhe ka rreth 1/10 e popullsisë së këtij shteti. Kjo do të thotë se ndërsa në Angli densiteti i popullsisë është mbi 400 banorë për kilometër katrorë, në Skoci është vetëm 70 banorë për kilometër katrorë.

Mbretëria Skocisë është krijuar në shekullin e IX të erës sonë. Ka ekzistuar si shtet i pavarur deri më 1 maj të vitit 1707, kur së bashku me Anglinë krijuan Mbretërinë e Britanisë së Madhe. Me këtë rast u realizua bashkimi politik mes dy vendeve, pasi u shkrinë parlamentet respektive, Parlamenti Skocez dhe Parlamenti Anglez, duke krijuar Parlamentin e Britanisë së Madhe. Godina e Parlamentit Britanik u vendos të jetë Pallati i Westminsterit, që deri në atë kohë kishte qenë në dispozicion të Parlamentit Anglez. Bashkimit (Unionit) politik Angli – Skoci iu bashkëngjit në vitin 1801 edhe Mbretëria e Irlandës, por në vitin 1922, Shteti i Lirë i Irlandës u shkëput nga Mbretëria e Bashkuar. Nga viti 1927, bashkimi në fjalë u quajt Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

Në fakt, është me interes të vihet në dukje se bashkimi i Skocisë me Anglinë ka filluar më herët. Ai starton praktikisht në vitin 1603, me vdekjen e Mbretëreshës së Anglisë, Elisabeth I, quajtur ndryshe edhe “Virgin Queen”, pasi nuk u martua asnjëherë. Pikërisht për këtë arsye, duke mos pasur fëmijë, fronin e trashëgoi kushëriri i parë i saj, James VI-të, i cili ishte në atë kohë Mbret i Skocisë. Të dy ishin pasardhës në vijë të drejtë të Mbretit të njohur anglez, Henry VII. Për shkak të bashkimit të kurorave mbretërore në një person të vetëm, nga viti 1603 ai quhej James VI i Skocisë dhe James I i Anglisë. Kjo do të thotë se të dyja shtetet, Anglia nga njëra anë dhe Skocia nga ana tjetër, ruanin pavarësinë e tyre, duke pasur krejtësisht më vete parlamentin, legjislacionin, pushtetin gjyqësor dhe institucionet e tjera shtetërore. Thjesht në krye të të dy shteteve ishte një monark i vetëm, gjë që në të drejtën ndërkombëtare quhet bashkim personal. Ne këtë lloj bashkimi, të dyja shtetet qëndrojnë krejtësisht më vete si subjekte të së drejtës ndërkombëtare, saqë në parim mund të imagjinohet jo vetëm politikë e jashtme apo aleanca shtetërore më vete, por edhe luftë mes tyre. Megjithatë, për shkak të këtij zhvillimi, James zhvendoset menjëherë, që në vitin 1603, nga Edinburgu në Londër. Për më tepër, ai përpiqet që bashkimin personal mes Skocisë dhe Anglisë ta kthejë në bashkim real, duke unifikuar jo vetëm kurorën, por edhe parlamentet dhe qeveritë e dy vendeve. Në këtë mënyrë do të krijohej një shtet i vetëm si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, duke folur në Parlamentin Anglez në vitin 1604, James I vuri në dukje se “… Perëndia jo më kot na ka vendosur në një ishull të vetëm, të rrethuar nga i njëjti det, e që për vetë natyrën e tij është i pandashëm…”. Parlamenti anglez e hodhi kategorikisht poshtë në atë kohë propozimin e tij.

Siç kemi vënë në dukje më sipër, bashkimi i dy shteteve në një të vetëm u bë realitet në vitin 1707, duke krijuar kështu Mbretërinë e Britanisë së Madhe. Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, pozita e Skocisë brenda Mbretërisë së Bashkuar ka ndryshuar vazhdimisht sa u përket raporteve me pushtetin qendror, Kuroren, titujve e simboleve shtetërore e të tjerë. Megjithatë, në thelb, Skocia ka gëzuar gjithnjë një autonomi të zgjeruar, që i ka dhënë mundësinë të mbrojë e zhvillojë identitetin kombëtar, ekonominë e vendit, traditat kulturore, fetare, sportive, arsimore e të tjerë. Për më tepër, ajo ka pasur gjithnjë një rend të pavarur ligjor, që dallon në mjaft drejtime nga ai i Anglisë, Wellsit dhe Irlandës së Veriut. Mjafton të përmendim që vitin që kaloi, përmes referendumit, vetëm Skocia arriti të rrisë moshën e përgjegjësisë penale të të miturve, nga 10 në 12 vjeç, problem ky shumë i debatueshëm në Britani. Sidoqoftë, dokumenti aktual kryesor që rregullon marrëdhëniet kushtetuese mes Skocisë dhe Mbretërisë së Bashkuar është Akti Skocez, miratuar nga Parlamenti Britanik në vitin 1998. Miratimi i tij u bë në vijim të referendumit skocez të vitit 1997, përmes të cilit u arrit të jepej pëlqimi popullor për krijimin e Parlamentit Skocez dhe Ekzekutivit te Skocisë, me kompetenca të rëndësishme në fusha të ndryshme të jetës politike, ekonomike e shoqërore, veçanërisht në fushën e taksave, pa cenuar fuqinë dhe kompetencat e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. E gjithë kjo marrëdhënie bazohet në konceptin tepër të rëndësishëm britanik të sovranitetit parlamentar dhe në parimin kushtetues të subsidiaritetit. Mbi këtë bazë, në kuadër të Unionit Skoci – Angli u krijuan menjëherë më 1998: Parlamenti Skocez me 129 deputetë si dhe Ekzekutivi Skocez (me funksione të rëndësishme të një qeverie), në përbërje të të cilit janë Ministri i Parë (në detyrën e Kryeministrit) si dhe ministrat e tjerë të emëruar prej tij. Përveç tyre, në Ekzekutivin Skocez janë gjithashtu edhe a) Lordi Avokat (Lord Advocate) që shërben si Zyrtari më i Lartë për Çështjet Ligjore, apo si Prokuror i Përgjithshëm Publik i Skocisë, si dhe b) Avokati i Përgjithshëm (Solicitor General), që konsiderohet si Përfaqësues i Lartë Ligjor i Kurorës Mbretërore, i cili ka për detyrë kryesore të këshillojë Parlamentin Skocez dhe Ekzekutivin Skocez për çështjet lidhur me miratimin e legjislacionit dhe përputhshmërinë e tyre me aktet e pushtetit qendror.

Akti Skocez i vitit 1998 përcakton megjithatë në paragrafin 1 të Shtesës nr.5 të tij, që Parlamenti Skocez, megjithë autonominë e zgjeruar qe gëzon, nuk mund të merret me probleme e të miratojë legjislacion në fushat që konsiderohen si “çështje të rezervuara” për Kurorën dhe Parlamentin Britanik, që konkretisht janë: a) Çështjet e Kurorës Britanike b) Çështjet e Bashkimit (Unionit) të Mbretërive të Skocisë e Anglisë c) Çështjet që i përkasin ekskluzivisht Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar; si dhe d) Çështjet lidhur me parimet kryesore të funksionimit të pushtetit gjyqësor.

Ndryshimet e mundshme në Aktin Skocez të vitit 1998 parashikohet të bëhen me Urdhër në Këshill (Order in Council), që do të thotë me dijeninë dhe pëlqimin e drejtpërdrejtë të Mbretit (apo Mbretëreshës), pas konsultimit paraprak me këshilltarët më të afërt të tij ne te ashtuquajturin Privy Council (Këshilli Mbretëror). Si rregull, propozimet për këto ndryshime ligjore vijnë nga Qeveria Britanike dhe përdoren shpesh në funksion të shpejtësisë së zbatimit të masës ligjore që kërkohet.

Në fakt, pas insistimit të Partisë Kombëtare të Skocisë, në vitin 2013, me Urdhër në Këshill u bë ndryshimi i pikës b) të paragrafit 1 të Shtesës 5 të Aktit Skocez, duke shtuar me këtë rast se kjo pikë nuk përjashton mundësinë e organizimit të një referendumi mbi pavarësinë e Skocisë nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar, por vetëm nëse plotësohen disa kritere. Mbi këtë bazë u organizua edhe referendumi i vitit 2014 përmendur më sipër, në të cilin, siç kemi vënë në dukje, 55,3 % e votuesve i thanë jo idesë së pavarësisë së Skocisë. Por ndërkaq, ndryshimi i bërë me Urdhër në Këshill në vitin 2013 nuk është tani në fuqi dhe se ky Këshill nuk e mbështet më idenë e bërjes së ndryshimeve të reja që do të mundësonin angazhimin e Parlamentit Skocez për organizimin një referendumi të ri për pavarësinë. Në këto kushte, Ekzekutivi Skocez, përmes Lordit Avokat i është drejtuar me kërkesë Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, përmes së cilës ajo pyetet nëse Parlamenti Skocez mund të miratojë një ligj mbi organizimin e një referendumi popullor me pyetjen “A mund të jetë Skocia një vend i pavarur?”. Pra, pyetja kryesore ka të bëjë me mundësinë e miratimit të ligjit për referendumin në fjalë. Për këtë qëllim, Gjykatës Supreme i duhet të vlerësojë nëse çështja e paraqitur konsiderohet apo jo “çështje e rezervuar”, në kuptim të pikës 1 të Shtesës 5 të Aktit Skocez të vitit 1998.

Në vendimin e dhënë nga trupi gjykues i Gjykatës Supreme të Britanisë, i përbëre nga pesë gjyqtarë dhe i kryesuar nga Presidenti i kësaj Gjykate, Lordi Robert Reed, konstatohet se fillimisht është vlerësuar nëse çështja ka të bëjë ose jo me delegimin e kompetencave nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar në drejtim të Parlamentit të Skocisë, si dhe nëse Lordi Avokat legjitimohet të paraqesë kërkesë në rastin konkret. Një gjë e tillë i duhet për të argumentuar edhe juridiksionin e saj (Gjykatës Supreme) mbi këtë çështje. Për të dy këto vlerësime ajo konkludon shpejt në mënyrë pohuese, duke vënë në dukje ndër të tjera se përderisa i gjithë debati ligjor përqendrohet në sqarimin e konceptit “çështje të rezervuara” në kuptimin e gjerë të tij, vetiu arrihet në përfundimin se kemi të bëjmë me delegim kompetencash. Nga ana tjetër ajo thekson se vënia në lëvizje e Gjykatës Supreme nga Lordi Avokat është në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës dhe me vetë qëllimet që synon të arrijë Akti Skocez i vitit 1998, që është qartësimi i kompetencave legjislative të Parlamentit Skocez, para miratimit përfundimtar të projektligjit të propozuar, që në rastin konkret është ligji mbi referendumin për çështjen e pavarësisë. Më pas ajo vë në dukje gjithashtu se kërkesa duhet të pranohet për gjykim, pasi ajo nuk ka thjesht natyrë akademike, nuk është hipotetike dhe nuk është e parakohshme, përkundrazi është shumë e rëndësishme, aktuale dhe mjaft e dobishme.

Pasi ka bërë arsyetimet e mësipërme, Gjykata Supreme shqyrton me kujdes nëse problemi qendror që shtrohet në gjykim futet në konceptin “çështje të rezervuara” apo jo. Për ta bërë një gjë të tillë ajo vlerëson se duhet të analizohen qëllimi dhe synimet që dëshirohet të arrihen përmes ligjit për referendumin e pavarësisë, si dhe pasojat e efektet e tij ligjore e objektive në tërësi dhe në afate të ndryshme kohore. Mbi këtë bazë, ajo vë në dukje ndër të tjera se qëllimi i ligjit të propozuar është mbajtja e një referendumi të ligjshëm mbi çështjen nëse Skocia mund të jetë vend i pavarur ose jo. Kjo do të thotë se në rastin e një përgjigje pohuese, pasojat në vijim do të çonin në shkrirjen e Bashkimit (Unionit ) Skoci – Angli si dhe në ndërprerjen e veprimit të vendimmarrjes së Parlamentit Britanik mbi Skocinë. Pra, efektet e ligjit mbi referendumin nuk kufizohen thjeshtë vetëm në organizimin e këtij evenimenti. Pasojat e tij ligjore e politike, edhe nëse nuk do të ishin të menjëhershme, do te ishin shumë të rëndësishme e me natyrë thelbësore në periudhën në vijim. Ndaj është e qartë se ligji i propozuar mbi referendumin për pavarësinë e Skocisë ka lidhje të shumëfishta e të drejtpërdrejta si me Çështjet e Bashkimit (Unionit) Skoci – Angli, ashtu edhe me Çështjet e Sovranitetit të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. Të dyja këto grup çështjesh janë të përfshira në konceptin “çështje të rezervuara”, përmendur shprehimisht në paragrafin 1 të Shtesës 5 të Aktit Skocez të vitit 1998. Prandaj, mbi këtë bazë, duke iu përgjigjur pyetjes kryesore të shtruar nga Lordi Avokat, vihet në dukje se Parlamenti Skocez nuk mund të miratojë një ligj për organizimin e një referendumi mbi pavarësinë e Skocisë, pasi problemi që shtrohet futet qartësisht në konceptin “çështje të rezervuara”, të cilat, sipas Aktit Skocez të vitit 1998 i përkasin tërësisht Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.

Në pjesën e fundit të vendimit të Gjykatës Supreme i jepet përgjigje subjektit të interesuar Partia Kombëtare Skoceze lidhur me pretendimin e nevojës së zbatimit të parimit të vetëvendosjes deri në shkëputje edhe në rastin e Skocisë, ashtu siç është vepruar edhe në rastin e Kosovës.

Për këtë qëllim, që në fillim të paragrafit 88 të vendimit të Gjykatës Supreme të Britanisë theksohet se parimi i vetëvendosjes është elaboruar mjaft mirë në vendimin e Gjykatës Supreme të Kanadasë të vitit 1998, lidhur me çështjen e mundësisë së shpalljes së njëanshme të pavarësisë së krahinës kanadeze të Kebekut (Quebeck). Çështja ishte referuar në këtë Gjykatë nga Guvernatori i kësaj krahine. Vihet ne dukje më pas se në vendimin e Gjykatës Supreme të Kanadasë theksohet shprehimisht që “Kanada është një vend sovran dhe i pavarur, që respekton parimin e të drejtave të barabarta për të gjithë banorët e saj si dhe parimin e vetëvendosjes së popujve…. Rregullimet kushtetuese e ligjore në Kanada nuk i vendosin qytetarët e Kebekut në pozita inferiore…. Nga ana tjetër, duhet ditur se e drejta ndërkombëtare e vetëvendosjes deri në shkëputje zbatohet më së miri në: a) Situata të ngjashme me ish kolonitë e mëparshme; b) Kur një popull shtypet, siç është rasti i okupatorit te huaj, ose c) Kur një grupi të caktuar i mohohet aksesi thelbësor në qeverisjen e vendit si dhe kushtet për zhvillimin e vet politik, ekonomik, social e kulturor. Në të tre këto situata popullit respektiv i jepet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje, pasi në planin e brendshëm këtij grupimi i mohohet e drejta e ushtrimit të këtyre të drejtave… Këto rrethana përjashtimore janë qartësisht të pazbatueshme në krahinën e Kebekut… Prandaj një shtet, qeveria e të cilit përfaqëson të gjithë popullin apo të gjithë popujt që banojnë brenda territorit të tij, duke u bazuar në parimin e barazisë dhe të mosdiskriminimit… ka të drejtë të ruajë integritetin e tij territorial në përputhje me normat e të drejtës ndërkombëtare… Popullsia e Kebekut nuk vuan nga kolonializmi dhe nuk është një popull i shtypur. Këtij grupi nuk i mohohet gjithashtu aksesi thelbësor në qeverisje, i nevojshëm për përmbushjen e objektivave të zhvillimit të tyre politik, ekonomik, social e kulturor. Në këto kushte, sipas së drejtës ndërkombëtare, Asambleja Kombëtare, Legjislatori apo Qeveria e Kebekut nuk gëzojnë të drejtën për të deklaruar në mënyrë të njëanshme shkëputjen e kësaj krahine nga shteti i Kanadasë…”

Pasi ka bërë këtë përshkrim, në vendimin e Gjykatës Supreme të Britanisë së Madhe theksohet në vijim se pikërisht këto standarde të zbatuara për krahinën e Kebekut duhet të njihen e zbatohen tërësisht edhe në rastin e Skocisë, si për sa i përket pozitës së saj si pjesë përbërëse e Mbretërisë së Bashkuar, ashtu edhe për sa i përket të drejtave që gëzon populli skocez brenda kësaj Mbretërie. Më pas argumentohet gjithashtu qartësisht se pikërisht mbi bazën e këtyre standardeve të cituara fjalë për fjalë nga i njëjti vendim i marrë nga Gjykata Supreme e Kanadasë në vitin 1998, është mbajtur edhe qëndrimi zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar në ndërhyrjen e saj në procesin e zhvilluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010 lidhur me pavarësinë e Kosovës. Por vihet në dukje se atëherë, të njëjtat standarde të çonin natyrshëm në konkluzione të kundërta, pasi provohej qartësisht se populli i Kosovës nuk gëzonte aspak asnjë nga të drejtat më elementare njerëzore, për të cilat flitet në vendimin e cituar më sipër (Gjykatës Supreme të Kanadasë). Prandaj në këtë rast nuk mund të kishte zgjidhje tjetër përveçse zbatimit konsekuent të parimit të mirënjohur të së drejtës ndërkombëtare të vetëvendosjes së popujve, deri në shkëputjen përfundimtare nga shteti serb. Pikërisht këtë standard do ta konfirmonte edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vendimin e saj të vitit 2010.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura