Gjykata Speciale, ironia e hidhur me UÇK

Aug 4, 2015 | 12:45
SHPËRNDAJE

Agim Baci
Agim Baci
Maxhoranca Thaçi-Mustafa vendosën dje t’u tregojnë ndërkombëtarëve se nuk janë telashesjellës me partnerët, duke i hapur rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë lidhur me akuzat për krime kundër njerëzimit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pavarësisht dëshirës për të treguar vullnet të mirë me partnerët ndërkombëtarë, hapi i djeshëm rrezikon të rikthejë UÇK-në në qendër të debateve, jo si pjesë e luftëtarëve çlirimtarë, por e hetimit ndaj krimeve.

E si ndodh rëndom, fokusi i një rasti të vetëm i krimit të kryer nga UÇK-ja (që edhe nëse është, duhet ndëshkuar), do të bëhet më i rëndë se dhjetëra krime të serbëve mbi shqiptarët e Kosovës. Kështu, një rast i vetëm që mund të gjendet, mund të vihet përballë mbi 270 masakrave e mbi 550 varrezave masive që janë gjetur në Kosovë. Dhe këto varre masive e masakra i kanë bërë serbët, të cilët në Kosovë kanë qenë pushtues, ndërkohë që UÇK-ja mbrojtëse e shtëpive të veta.

Gjykata e mbështetur nga ndërkombëtarët duket si një ledhatim ndaj serbëve dhe gjithë mbështetësve të tyre, të cilët, duke futur këtë gjykatë në Kosovë, u japin një hov të ri akuzave ndaj UÇKsë, ndërkohë që krimet ende të pazbardhura serbe do të vijojnë të shihen si “të barabarta”. Kjo është një shaka e hidhur për Kosovën. Madje, edhe duke besuar se në fund të proceseve nuk do të ketë as edhe një rast të vetëm të krimeve të UÇK-së, ideja se janë futur në një hulli hetimesh, edhe pse kanë mbrojtur trojet e veta, e fut procesin e së shkruarës në qorrsokakun e leximeve të gabuara.

Në fakt, ka qenë një sinjal jo i vogël nga shumë njerëz të historisë, që i kanë kërkuar Kosovës qysh pas çlirimit, në vitin 1999, që të argumentonin pareshtur krimet serbe ndaj tyre, që të mbështesnin botimet, muzetë, filmat, librat e gjithçka tjetër që kishte të bënte me monstruozitetin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. E kjo, jo për të marrë rolin e viktimës, e as të inferiorit.

Thjesht se krimet, nëse nuk thuhen me zë të lartë, rrezikojnë të harrohen, e bashkë me harrimin e tyre, tentohet të relativizohet e keqja. Shqiptarët në Shqipëri e kuptojnë fare lehtë këtë paralele, teksa, duke mos dekomunistizuar shoqërinë, duke mos zbardhur realisht krimet e ish-diktaturës, tashmë gjenden në një situatë paradoksale, kur shumë të rinj tashmë pyesin: “Përse duhet t’i hapim dosjet?”.

Ose edhe më keq, duke kërkuar që të mos bëhemi më “qaramanë me të shkuarën”. Natyrisht që e shkuara, sa më e largët bëhet, nis e hedh pëlhurën e harresës mbi gjithç- ka. Por janë pikërisht ata që drejtojnë shoqërinë, janë institucionet që paguhen për ta shkruar e rishkruar historinë, të cilët duhet të mos e ndajnë kurrë të vërtetën nga koha.

Sepse e vërteta ka vetëm një kohë, e nuk ka të shkuar. Pa dyshim që Kosova ka treguar mirënjohje ndaj ndërkombëtarëve që bënë të mundur që të jetë Shtet i Pavarur. Por që prej vitit 2008, kur Kosova ka një shtet të vetin, në këtë vend kanë qenë hetues dhe gjykatës ndërkombëtarë, të cilët kanë hetuar dhe gjykuar, pa i ndaluar askush nga qeveritarët e Kosovës, që të zbulojnë edhe krime, të cilat janë pretenduar nga serbët apo nga Karla del Ponte e Dik Marti.

Dhe nuk mundet assesi të besojmë se “europianët e zgjedhur sot për të drejtuar hetimet dhe gjykimet” janë “më europianë se ata të zgjedhur dje”. Ardhja e situatës në këtë pikë, ku maxhoranca Thaçi-Mustafa përdori gjithë gurët politikë për të marrë 82 vota, është vetëm pasojë e asaj që nuk u tha aq sa duhet për krimet serbe mbi shqiptarët e Kosovës. Nuk u thanë as pas marrëzive donkishoteske për të gjetur “Shtëpinë e Verdhë” në fshatrat e Burrelit.

Jo për të mbajtur kokën pas e për t’u ankuar se vinin nga lufta. Por për t’i thënë botës mbarë se ende trupa shqiptarësh nga Kosova nuk kanë një varr nga familjarët, sepse serbët që kanë kryer masakrat nuk kanë guxuar t’i rrëfejnë. E ndoshta ky duhej të ishte edhe impenjimi i rëndësishëm i ndërkombëtarëve, për t’i dhënë të drejtën çdo shqiptari në Kosovë, që për të afërmin e tij, që u vra në luftë apo duke mbrojtur shtëpinë e tij, të ketë të drejtën t’i ndërtojë një varr.

Ashtu siç dhjetëra gra të dhunuara nga ushtarët serbë, e ndoshta me fëmijët e tyre tashmë të rritur, kanë nevojë të rigjejnë të paktën ngrohtësinë njerëzore, të thyer njëherë e mirë nga ata, që tashmë dëshirojnë të fusin UÇK-në në hullinë e të gjykuarit si një rast të dyshuar për krime. Kjo është një shaka e hidhur jo vetëm me të shkuarën, por me të gjithë ata që luftuan për Liri, e të gjithë ata që ranë duke mbrojtur tokën që e kanë amanet prej të parëve e prej Zotit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura