Gjykata refuzon kërkesën, Frroku do të gjykohet i vetëm për vrasjen

Jun 1, 2016 | 8:30
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës refuzoi dje kërkesën e Prokurorisë për bashkimin e çështjes gjyqësore në ngarkim të ish-deputetit të akuzuar për “vrasje” Mark Frroku, me atë të Kristian Marinajt, i akuzuar për të njëjtën ngjarje të ndodhur në 1999 në Belgjikë.

Frroku

Çështja me të pandehur Frrokun e Marinajn u nda më 11 maj kur ish-deputetit iu pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, vendim që u shfuqizua në seancën pasardhëse. Gjykimi ndaj Marinajt bëhet në mungesë për shkak se masa “arrest në burg” e caktuar ndaj tij ende nuk është ekzekutuar.

Për shkak se ish-deputeti do të gjykohet me procedurë normale dhe se ata akuzohen për të njëjtën ngjarje, prokurorët i kërkuan gjykatës ribashkim të çështjes. Kërkesa u pranua edhe nga ana e avokatit të Frrokut, por gjykata nuk ndau të njëjtën bindje. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Klorinda Çela vendosi rrëzimin e kërkesës.

“Nuk rezultoi e provuar që çështjet gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Mark Frroku dhe Kristian Marinaj të jenë në të njëjtën gjendje. Gjykata vlerëson se bashkimi i tyre do të rrezikonte shpejtësinë e gjykimit. Do të dëmtohej shpejtësia e zgjidhjes së çështjes për shkak se i pandehuri Mark Frroku, përveç akuzës së ‘vrasjes’, ka edhe tri akuza të tjera, të cilat nuk i ka Marinaj”, u shpreh gjykata.

Në të njëjtën seancë, ku vetë i pandehuri nuk ishte i pranueshëm, trupi gjykues u shpreh në lidhje me kërkesat e palës mbrojtëse për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të disa akteve. Në seancën e kaluar përmes avokatit të tij, ish-deputeti Frroku pretendoi pavlefshmëri relative dhe papërdorshmëri të disa akteve të dosjes së ardhur nga Belgjika për Frrokun, si dhe pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të një akt-ekspertimi kontabël mbi pasurinë e tij.

Sipas mbrojtjes, ekspertja që ka bërë akt-ekspertimin ka qenë e njëanshme, pasi është ish-inspektore në ILDKPI dhe se gjatë përpilimit të akt-ekspertimit ajo nuk ka marrë parasysh disa biznese të regjistruara të familjes Frroku.

Pasi dëgjoi edhe pretendimin e prokurorisë për mospranimin e kërkesës së të pandehurit, gjykata vendosi rrëzimin e tyre. Në lidhje me akt-ekspertimin kontabël, gjykata arsyetoi se në kohën e përpilimit të tij i pandehuri dhe avokatët e tij kanë pasur dijeni dhe nuk kanë shfaqur kundërshti për emrin e ekspertes”. ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura