Gjykata Kushtetuese që çliroi detin e pushtuar

Nov 22, 2018 | 12:42
SHPËRNDAJE

MYSLIM PASHAmyslim-pasha

1. PROLOG Nuk kisha qenë kurrë në gjykata, as për çështje  personale. Por, në më shumë se gjashtë muaj si hartograf, rashë në kontakt koordinatash dhe hartash detare në mënyrë të pazakontë. Greqia dhe Shqipëria, në vitin 2009, kishin bërë një marrëveshje Delimitimi të Detit, kishin firmosur në një përndezje qeveritare të përbashkët, në praninë e dy kryeministrave. Në po të njëjtën pasdite feste, Marrëveshja me koordinata gjeografike e vijës ndarëse kish fluturuar sapo ish firmosur sa s’pati kohë as për ta protokolluar. Si një kumt mistik, edhe pse dukej se ishte rastësore, erdhi si me porosi në orët e vona të natës…çka lexuesi mund ta rrokë si të ishte pjese e një teorie konspirative. Kisha në dorë një Marrëveshje zyrtare shtetërore, që kish vendosur pas 96 vjetëve, prej 1913-s, ndarjen e veriut të Detit Jon, mes dy shteteve fqinje.

Sjellësi i marrëveshjes, një gazetar i njohur, Tedi Blushi, ngulte këmbë se Greqia kish marrë detin deri në Porto Palermo (!!) Ku? i thashë unë… nën hundë të maleve Akrokoeraune…?

2. REPUBLIKA E ÇUDIRAVE Opinioni ziente, nacionalizmi po shkëthte// eshtrat. Qeveria Berisha ishte në alarm. Kisha krijuar bindjen për pushtimin tinëzar, për atë që kishte ndodhur, por Qeveria nuk mund të mposhtej aq kollaj nga dëshmia e një eksperti. Ishte gati që Marrëveshja të kalonte në Parlament. Ishim duke bërë një dëgjesë në Hotel Internacional, ku po jepte opinion i ndjeri Sabri Godo dhe dikush u kujtua. “More, po si e paskëshim harruar Gjykatën Kushtetuese? “Po a mund të besohej ekzistenca e pavarur e saj, kur gjithë rrjedha e jetës së shtetit ishte e politizuar në skaj?

Republika bënte një gjyq të pazakontë brenda vetvetes. Qeveria kish hartuar një Marrëveshje dhe po çohej në gjyq nga disa parti. Njerëzit politikë ishin ndarë më dysh. Hartat dhe koordinatat po ashtu. Njëra palë thoshte “…Se kjo është Shqipëria në Jugun e saj me atë gjymtyrë Deti, ku secili kishte marrë atë që i takonte, ndërsa pjesa tjetër vërtetonte se Deti ishte pushtuar. Presa e tradhtisë ishte gjetur dhe alarmi kish shkuar në kulm. Kisha përgatitur harta të llojeve të ndryshme, më shumë se pesëdhjetë të tilla, brenda një gjeografie dhe hidrografie të Detit Jon dhe situatën e Dheut Kontinental. Të gjitha këto harta bartnin një rëndesë të madhe dëshmish të rrëqethshme, që mezi e mbanin veten për t’u shkarkuar për t’u kumtuar dikund. Teksa arrija në Gjykatën Kushtetuese, po e përfytyroja veten ashtu si Berisha kish thënë… “se një kryesharlatan… (pra, unë) që shkoja sa në një TV në një tjetër…”. Vetëm kjo do të ishte e mjaftë, si trysni, për të mos pranuar që të shkoja në Gjykatën Kushtetuese, mbasi humbja do të ishte e sigurt, e pas kësaj, mua në rrugë do të ma bënin me gisht… ja dhe i marri i hartografëve… kërkon që të hahet me Republikën e Çudirave.

Teksa bëja përqasjen midis vijës së ndarë me ndershmëri dhe sipas Ligjit të Detit me vijën e pushtimit që kish në zbulim parësor ujdhesat dhe shkëmbinjtë detarë si pararojë e Arkipelagut Dioponte, më kish ardhur disa herë në mendje Kali i Drunjtë i Trojës. E përfytyroja tek hidhte farën e pikave ndarëse, në gjeometrinë dhe vijën e saj, tek nisej nga Gjiri i Ftelias dhe vinte në mesin e Otrantos. Këtu zinte fill edhe firma e Znj. Bakojanis, ikonës greke të Diplomacisë, në krahë të së cilës vijonte edhe firma e ministrit shqiptar, Lulzim Basha.

Ndodhesha para derës dhe roja u habit nga vandaku i hartave. Ato rëndonin si në kohë të Gutenbergut. Të gjitha duhet të vareshin. Mirëpo, termi nuk po më pëlqente se nuk ish aspak mirë që ato të vareshin në të vetmin litar. Unë po kërkoja një si… portmanto, dhe një e tillë ishte në kënd. Nga emergjenca e aktit që po kryhej, hartat e detit i përqasa si shpirtra që mund të shpëtoheshin në strukjen e tyre përmbi syprinën detare, ku Pirro i Epirit kish kaluar me elefantët e tij në Otranto, duke bartur fitore. Po edhe kjo qasje e ky përfytyrim mitik, nuk kish gjasa të më sillte shpëtim. Isha ulur në fundin e radhës së parë tek kërkuesit, paditësit (ne ishim vetëm tre, dy politikanë, Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri). Pra, ne që paditnin Qeverinë e Republikës, kundruall palës tjetër që ishte po e së njëjtës Republikë, Qeveria, që mbronte vijën e pushtimit! ªa po thua!? A je ndër vete!?

Sakaq, në krahun tjetër u dukën njerëzit e mi, oficerë të Institutit Gjeografik Ushtarak, të cilin e kisha drejtuar për dhjetë vjet, ata kishin sjellë analizat dhe hartat e tyre. Oficerë të së njëjtës Republikë, të shqyer më dysh. Ishte moment drithërues, sigurisht. Ata ngritën projektorin dixhital që unë s’e kisha, hartat e njëjta lëviznin në web në botën e internetit e aty loznin lojën në një lirshmëri dhe dukshmëri akoma më moderne. Ata ishin krenarë që po e mbronin Qeverinë nga akuza që i bëhej për Tradhti Kombëtare.

3. GJYKATA KUSHTETUESE KUQ E ZI… Pata një gulç nën lukth. Në hapësirën që na ndante përmidis, kaluan njëri pas tjetrit përfaqësues të shumtë të juristëve të Parlamentit (jo të Presidentit se ai nuk e kish dhënë plotfuqinë…) të Kryeministrit, të Ministrisë së Jashtme, të Ministrisë së Mbrojtjes. Ishin shkulur me kuç e me maç! Raporti i forcave, siç ndërmenda unë, i pakrahasueshëm. Hullia e shpresës po shkonte në atë që, ashtu thuhej, në se gjendej vallë një dritë në fund të tunelit!?

Hodha sytë nga hartat e varura…(shpirtra të varur që jetonin ende… mezi po e mbanin veten në portmanto. I shikova, me radhë anëtarët e GJK, ku si një spikamë e epërme e veçantë që më solli energji, ishte ngjyra kuq e zi e veshjes uniformë të tyre.

A do ta mbante vallë ekuilibrin e duhur Gjykata Kushtetuese përballë pjesës tjetër të shtetit dhe Republikës së mobilizuar për të ruajtur pushtimin tragjik që i ishte bërë Detit të Shqipërisë? Hodha sytë sërish, nga hartat apo shpirtrat e varur atje në kënd! Çfarë shpresonim ne? Juristët e Shtetit në radhën e parë të kundërshtisë ishin me fytyra të përndritura, e për ta, kjo ishte një lojë zbavitëse.

“Po cilën Republikë mbronin ata!? Atë të Detit të shitur!?”

Më erdhi radha të flisja. Pak fjalë i kisha projektuar në vete, po shumë shenja e simbole hartografike, vëllime, sipërfaqe, mes përmes Kanalit të Korfuzit, 12 milje detare? Si? Dhe në këtë përfytyrim hartografik, po më dilte në pamje, Perëndia e Detit, Poseidoni, që ma donte mendja, se ishte edhe helene, por edhe Ilire, me sfurk kërcënues ndër duar. Ashtu më ngjau me sfurkun shkëmbor në Barketa, që i takonte Shqipërisë.

Por… atëbotë …hartat e varura ranë papritmas, me një zhurmë të rëndë. ”Ah!”, ia bëri salla. “Edhe kjo më duhej!”, doja të thosha dhe mora guximin të flas. “Zoti Kryetar i GJK, unë jam…( thashë emrin dhe mbiemrin tim me trajta turke, të cilat përherë më mundonin ) …ekspert i pavarur…

“Ju ndërpres fjalën!”,-ngriti zërin kryetari.- ”Nuk është aspak e vërtetë… ju jeni pjesë e Partisë Socialiste, ja shikoni  dhe shkresën e firmosur nga Edi Rama!”

Salla u ngazëllye mbasi doli që në fjalën e parë, se unë po bëja një dëshmi politike të rreme…dhe eksperti nuk isha unë, por një i dërguar i shtigjeve konspirative!

9 : 0 (NËNTË : ZERO) Juristët e dikastereve si dëshmues Inkuizicioni filluan të qeshnin me helm nën zë. Atyre po iu dilte komedia, ndaj u ftilluan. M’u duk se Poseidoni që ishte përmidis në Kanalin e Korfuzit e donte që të vinte rregull dhe ngriti prej andej Barketën… shkëmbin e panjohur, që shqiptarët e quanin me përçmim “Shkëmbi i Pleshtit”.

Një zë femre u ngrit sfidant gjer në tavanin e varur të sallës:

“Të na thotë eksperti i hartave nëse ka apo jo kulturën dhe dijen e duhur të së Drejtës së Detit?” “Mos iu përgjigj”,- ndërhyri Kryetari, i prerë. Juristët e Republikës së shqyer zgurdullinë sytë.

Pas pak, Komandanti i Forcave detare, një ushtarak i lartë, me të cilin njihesha, fliste me një zë që mua m’u duk se nuk ishte i sigurt, edhe pse ai ishte njeriu më i besuar i ekspertizës së Republikës dhe e kish një lloj dridhje emocionale. Unë besoja se ai e kishte kuptuar shumë vonë, metodën dhe principin hartografik-ligjor, në përzgjedhjen e gabuar të metodës së baraslargësisë, por s’mund t’i shmangej asaj. Ndërkaq, për sqarim të opinionit, kompasin e kish marrë në dorë Sali Berisha.

Zëri i GJK po bëhej zotërues. Po më shpeshtohej fryma. Mbërtheva sytë në harkun e tyre kuqezi. “A e keni bërë testin përpjesëtimor?”, pyeste Kushtetuesja. Ishte fjala se në fund…, “pasi ju keni ndarë Detin sa ka marrë Republika dhe sa fqinji i saj?” Nga studimi kish dalë, se për 1 km gjatësi vijë bregore të Shqipërisë, ajo merrte vetëm 12 km2 det. Ndërsa Greqia me 1 km gjatësi bregore merrte 17,2 km2.

Heshtje! Përfaqësuesit e Qeverisë po ulnin kokat dhe pëshpërima ishte mbytëse. “Efekti i ujdhesave: i plotë, gjysmë efekt, çerek efekt apo zeroefekt?” Unë përktheja në vete, se po ngrihej zëri i së drejtës për të shmangur pararojën e princave të arkipelagut të ujdhesave, që kishin pushtuar Detin e Shqipërisë.

“E kemi fjalën për “Equitable Principles?”, u tha më pas. Heshtje. “Pse shteti fqinj ka fituar det më shumë?”, ishte një pyetje tjetër tronditëse. “Sepse ka flotë më të madhe!”, tha me zë të mbytur bashkëkryetari e pastaj e përsëriti edhe juristja e Ministrisë së Jashtme. Si në mitologjinë e hershme po zbriste e drejta e perëndishme. Vendimi nuk u mor asaj nate të gjatë. Vetëm pas tre muajsh. Kushtetuesja kish bërë votimin e saj historik. Ai raporti kërcënues dhe shtypës politik (5- të Shumicës dhe 4- të pakicës) u shndërrua në 9:0 në favor të Republikës.

NË VEND TË EPILOGUT Hartografia e Integritetit të Republikës është në lëngim. Grupi Negociator i tanishëm, sipas të gjitha gjasave, ia ka dorëzuar draftmarrëveshjen shtetit tjetër, me një humbje të re. Presidenti i Republikës e ka nxjerrë si kryefjalë Gjykatën Kushtetuese. Berisha i Republikës së Përçudnuar i kthehet pasurisë përrallore që po tjetërsohet, po i paorientuar se nuk di se nga të mbajë, mbasi siç shihet, edhe Kryeministri i sotëm po shkon në hulli të tij… Gjykata Kushtetuese përmendet si me bezdi. Republika nuk i mbledh dot gjymtyrët. Sikur nuk ndodhet në vendin e saj e as ne detin e saj.

Largohuni Fantazma!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura