Gjykata italiane liroi nga burgu “financierin” e Habilajve

Aug 24, 2018 | 15:00
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Gjykata e Katanias në Itali ka ndryshuar masën e sigurisë për Nezar Seitin, i njohur ndryshe si “financieri” i grupit Habilaj, të arrestuar për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Tashmë Seiti do të qëndrojë në “arrest shtëpie”, pasi Gjykata pranoi pjesërisht kërkesën e tij për lirim.

Nezar-Seiti

Ende nuk ka detaje se çfarë ka ndryshuar në pozitën procedurale të Seitit, i cili është liruar në arrest shtëpiak, në pritje të gjykimit. Nezar Seiti u ekstradua drejt Italisë nga Shqipëria në janar të këtij viti ndonëse vendimet e gjykatave, të Shkallës së Parë dhe Apelit të Krimeve të Rënda, si dhe një vendim i Gjykatës së Lartë, e kishin lënë në “arrest me burg”.

Emri i Seitit ishte shënuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në të njëjtin procedim me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për lidhje të mundshme me grupin e Habilajve, në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve. Nga përgjimet e kryera dyshohet se Seiti ka qenë financier i grupit që merrej me shpërblimet dhe pagesat qe kryheshin për të realizuar trafikun e narkotikëve.

EKSTRADIMI

Nezar Seiti, i njohur si “financieri” i grupit Habilaj, u ekstradua në Itali mesditën e datës 25 janar të këtij viti. Policia e Shtetit njoftoi se 41- vjeçari nga Gjormi i Vlorës iu dorëzua autoriteteve italiane, në orën 11:40, nga oficerët e Interpol Tiranës. Në njoftimin zyrtar, Policia theksoi se Ministria e Drejtësisë kishte urdhëruar dorëzimin e Nezar Seitit tek autoritetet italiane, brenda datës 30 janar 2018.

Nisur nga polemikat që shoqëruan lajmin e ekstradimit të Seitit, në një kohë kur ndaj tij ka një masë “arrest me burg” nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pati një reagim edhe nga Ministria e Drejtësisë. Sipas Ministrisë, vendimi ishte marrë në përputhje me vendimin e Gjykatës së Tiranës, që i hapi rrugë ekstradimit të tij, më datë 29 dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërsa në arsyetimin e vendimit të Gjykatës thuhej se nga ana e Prokurorisë është argumentuar se nuk ekziston asnjë nga pengesat ligjore të parashikuara nga neni 491 i Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon rastet kur nuk mund të jepet ekstradimi.

Në një deklaratë lidhur me ekstradimin drejt Italisë të Nezar Seitit, Ministria e Drejtësisë tha se ishin ndjekur me përpikëri të gjitha procedurat ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, Konventës Europiane të Ekstradimit, Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë dhe Konventës Europiane për ndihmë juridike dhe çështje penale.

Dyshime se Seiti ka pranuar të bashkëpunojë

Lirimi i Nezar Seitit nga qelia, me masën “arrest shtëpie”, ka hedhur dyshime se ai mund të ketë pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë italiane për çështjen “Habilaj”. Këto dyshime u ngritën edhe nga mediat italiane disa javë pasi ai u ekstradua nga Shqipëria në Itali. Megjithatë, në prill të këtij viti, mediat italiane shkruanin se:

“Sipas të dhënave të pakonfirmuara, Seiti duhej të ishte takuar me gjyqtarët e Katanias. Të njëjtët gjyqtarë që bashkë me forcat ‘Gico’ të Guardia di Finanza-s kanë hetuar prej vitesh për bandën e krijuar nga vëllezërit Florian e Moisi Habilaj.

Për Seitin dhe të dyshuarit e tjerë, Prokuroria ka mbyllur dosjen e hetimeve dhe së shpejti Habilajt e grupi, duke përfshirë disa grosistë italianë që operonin në Katania, do të dalin në gjyq. Por seanca dëgjimore nuk u zhvillua dhe me gjasë mund të zhvillohet për pak kohë”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura