Gjykata e Apelit rrëzon prokurorinë: Gjika i pafajshëm. U akuzua për falsifikimin e dy lejeve të ndërtimit. Kryebashkiaku: Drejtësia foli

Mar 31, 2015 | 15:10
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Gjykata e Apelit në Tiranë ka dhënë pafajësi për kryetarin e Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për shpalljen fajtor të tij, për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, për dy lejet e dhëna për dy pallate në Vlorë.

Gjika sot ne Apelin e Tiranes

Pas seancës Gjika në një prononcim për mediat u shpreh: “E prisja vendimin. Kam qene i bindur ne pafajesine time. Kam qene qe ne nisje te ketij procesi per t’i bere sherbimi tim qytetareve te Vlores”.

Pyetje nga gazetaret: E keni cilesuar si sulm politik, do kemi kandidimin tuaj te pavarur? “Nuk eshte momenti sot per te folur per politike. Sot foli drejtesia. Une jam sot ne krye te detyre, detyre per te cilen me kane mandatuar qytetaret e Vlorës”, tha ai.

Gjykata dha pafajësi edhe për të akuzuarit e tjerë: Gentjan Sherifajn, Eleni Dardhën dhe Blerdi Liçajn. Po ashtu gjykata urdhëroi heqjen e sekuestros preventive të dy pallateve në qytetin bregdetar.

***

Seanca e sotme vjen pas ankimimit te bere nga organi i akuzes, qe kerkon rrezimin e vendimit te Gjykates se Shkalles se Pare qe e shpalli Gjiken te pafajshem nga akuzat e ngritura ne adrese te tij. 

Sipas Prokurorisë së Vlorës, vendimi i dhënë është i pabazuar në ligj dhe i kërkon Apelit të Tiranës shqyrtimin e provave që sipas saj bëjnë fajtor Gjikën dhe dënimin e tij me 4 vjet burg.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë kërkon nga Gjykata e Apelit Tiranë shpalljen fajtorë të shtetasve Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardhaj, të akuzuar për veprën penale të “fallsifikimit të dokumentave”, të personit që e ka për detyrë, kryer në bashkëpunim, dy herë, si edhe për shtetasit Blerdi Liçaj dhe Gentian Sherifaj, të akuzuar për veprën penale të “fallsifikimit të dokumentave”- thuhet ne kerkesen e saj.

Sipas saj, Prokuroria e Vlorës e vlerëson tërësisht të pabazuar në ligjin procedurial dhe material penal vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, e cila i shpalli të pafajshëm shtetasit e mësipërm. Për prokurorinë e Vlorë, vendimi i gjykatës së shkallës së parë është rrjedhojë e vlerësimit të gabuar të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor duke mos i cmuar ato në mënyrë të drejtë.

Vendimi per pafajesine 

Në vendimin e argumentuar, gjyqtari Arben Micko shprehet se prokuroria nuk arriti ta bindë gjykatën dhe të provojë akuzën e ngritur ndaj të pandehurve. “Gjatë gjykimit nga akuza nuk u paraqit asnjë provë e drejtpërdrejtë që të vërtetonte faktin se në procesverbalet e mbledhjeve të KRRT-së, të datave 24.03.2010 dhe 15.07.2010 janë bërë shtesa nga të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardha”, thuhej në vendim. Sipas gjykatës, në të dyja procesverbalet e mbledhjes së KRRT-së rezulton të jenë nënshkruar në fund jo vetëm nga të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardha, por nga të gjithë të pranishmit në mbledhje, anëtarë të KRRT-së.

“Nuk mund të konkludohet se procesverbali është falsifikuar nisur nga fakti se në pasqyrimin e vendimit për dhënien e lejeve të dy pallateve, largësia midis rreshtave të shkrimit është më e vogël se në krahasim me rreshtat e tjerë të shkrimit të të njëjtin procesverbal”, argumentonte gjykata. Po sipas gjykatës, akt-ekspertimet e paraqitura nga akuza nuk vërtetojnë falsifikimin, faktin se “shtesat” në fund të protokollit të jenë kryer në një kohë të mëvonshme nga data e mbledhjeve të KRRT-së. 

SHKELJA ADMINISTRATIVE 

Në vendimin e argumentuar gjykata pranon mosrespektimin e procedurave në lëshimin e lejeve të ndërtimit nga ana e të pandehurit Gjika, por sipas gjykatës, shkelja është administrative. Sipas gjykatës, akuzat e ngritura ndaj Gjikës dhe Dardhajt jo vetëm që nuk provohen, por edhe ato që provohen (sikundër është mosrespektimi rigoroz i procedurave ligjore në lëshimin e lejeve të ndërtimit) përbëjnë shkelje me karakter administrativ dhe jo penal. 

Kerkesa e Prokurorise  

Prokuroria e Vlorës ka paraqitur pranë Gjykatës së Apelit, të cilës i kërkon shpalljen fajtor dhe dënimin, si më poshtë:

– Shpëtim Gjika- 4 vjet burg dhe 3 vjet burg heqje e të drejtës për ushtrimin e funksioneve publike

– Eleni Dardhaj- 3 vjet burg dhe 3 vjet burg heqje e të drejtës për ushtrimin e funksioneve publike

– Gentian Sherifaj- 2 vjet burg

– Blerdi Liçaj – 2 vjet e 6 muaj burgim 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura