Gjykata e Shkodrës lë në burg kujdestaren që dhunoi të miturin. E pandehura shfaq pendesë

Jul 9, 2015 | 17:38
SHPËRNDAJE

Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë të arrestit me burg për kujdestaren e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, e cila shfaqet në një videoskandal duke dhunuar një të mitur.

Edvana Sulaj, kujdestarja e akuzuar

Edvana Sulaj, 40 vjeçe u njoh ditën e sotme në seancën gjyqësore me masën e sigurisë. Ajo shfaqi pendesë në gjykatë dhe theksoi edhe një herë tjetër se nuk e kishte dhunuar kurrë më parë fëmijët jetimë.

Por pavarësisht pendesës, Gjykata e Shkodrës caktoi masën e sigurisë arrest me burg për 40-vjeçaren.

Ndërkohë, dy kujdestarët e tjerë janë liruar pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje. Tashmë, ndaj 40-vjeçares Sulaj rëndon akuza e keqtrajtimit të të miturve.

Edhe në dëshminë e dhënë pranë prokurorëve, Sulaj ka thënë se rasti i dhunës ishte një moment dobësie dhe se ajo kurrë më parë nuk kishte ushtruar dhunë mbi ta. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura