Gjykata dënon vjehrrën 57-vjeçare, rrahu dhëndrin në mes të rrugës

Apr 20, 2015 | 11:20
SHPËRNDAJE

Një rast i pazakontë dhune në familje është kallëzuar në Komisariatin e Policisë nr.1 në Tiranë, në shtator të vitit 2014. Një bashkëshort, baba i një vajze 2-vjeçare, ka kallëzuar se ishte dhunuar fizikisht nga vjehrra e tij 57- vjeçare.

Gjykata e Tiranës

Para oficerëve të Policisë, i dëmtuari ka pohuar se vjehrra e kishte qëlluar me një mjet të fortë në ije dhe në krah, duke i lënë edhe shenja. Gjithë skena kishte ndodhur në mes të rrugës, para syve të vajzës së tij të mitur. Kallëzimi është referuar në Prokurori dhe e kallëzuara Adelina Naçe ka përfunduar si e pandehur në Gjykatën e Tiranës.

Pak ditë më parë, togat e zeza të kryeqytetit kanë përfunduar gjykimin e saj. Ajo është shpallur fajtore për akuzën e “dhunës në familje” dhe është dënuar me 1 vit burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, këtij dënimi i është ulur një e treta duke shkuar përfundimisht në 8 muaj heqje lirie.

E pandehura nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli, për shkak se Gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit të saj me burg. Ajo do të qëndrojë në liri me kusht për një periudhë 2-vjeçare, kohë gjatë së cilës nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale dhe të mbajë kontakte me zyrën e Shërbimit të Provës.

DHUNA
Në vendimin e Gjykatës të shpallur më 7 prill 2015, i zbardhur ditët e fundit, thuhet se procedimi penal ndaj 57-vjeçares ka nisur pas kallëzimit të dhëndrit të saj B.D. Ky i fundit ka rrëfyer se ishte i martuar me vajzën e të pandehurës Naçe prej disa kohësh, por se prej 2 vjetësh ata nuk jetonin bashkë.

Vendimi i Gjykates

Bashkëshortja dhe vajza e tyre e mitur jetonin me nënën e saj. Gjatë kësaj periudhe, bashkëshortja e tij ishte pajisur me dy urdhra mbrojtjeje kundër tij nga Gjykata e Tiranës. Këto urdhra mbrojtje i jepnin atij të drejtën të takonte vajzën dhe e të marrte çdo ditë, për tre orë, nga banesa e të pandehurës Naçe.

“Me datë 12.09.2014, rreth orës 17:30, i dëmtuari B. D. ka shkuar në banesën e të pandehurës Adelina Naçe për të takuar vajzën e tij, por në shtëpi nuk ka pasur njeri. Pasi është larguar, i dëmtuari e ka parë vajzën e tij duke luajtur me disa fëmijë të vegjël në fushën e “Ali Demit” në Tiranë. Ai i është afruar dhe ka filluar të flasë e lozë më të, duke e marrë në krahë. Pas disa minutash, aty pranë ka shkuar gjyshja e saj, e pandehura Adelina Naçe. Ajo e ka goditur në sy të fëmijës, në ije dhe në krah, duke i thënë që të zhdukej. Sipas deklarimeve të tij, i dëmtuari ka njoftuar shërbimet e Policisë, të cilët kanë shkuar në vendngjarje dhe i kanë shoqëruar në Polici”, rrëfehej episodi i dhunës në vendimin e Gjykatës.

Sipas akt-ekspertimit mjeko-ligjor të administruar si provë në gjyq, dhëndri i të pandehurës kishte një ekimozë mbi këllkun e djathtë, dëmtim i shkaktuar me mjet të fortë mbrertës.

ARMAND BAJRAMI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura