Gjuha e trefishë e Edi Ramës dhe flamuri si cohë toreadori

Apr 6, 2015 | 16:00
SHPËRNDAJE

FATOS LUBONJA

   Nëse ka ndonjë fushë ku Kryeministri ynë ka arritje të padiskutueshme, kjo është ngritja në një nivel më të lartë e një karakteristike kulturore sonës: atë të përdorimit të gjuhës së shumëfishtë në vartësi të bashkëbiseduesit. E quaj këtë një veti kulturore, pasi mendoj se rrethana të caktuara historike kanë bërë që ne shqiptarët ta zhvillojmë në mënyrë veçanërisht të theksuar këtë aftësi. Nuk është këtu vendi për të shtjelluar arsyet – një rol të rëndësishëm do të zinte jeta nën diktaturë – por mund të them se përvoja tregon se më shumë sesa aftësinë për të krijuar një bindje, një mendim tonin personal, një gjuhë tonën, ne kemi vetinë e hatashme për t’iu përshtatur bashkëbiseduesit nga i cili kemi ndonjë interes, t’i themi atij atë që ai kërkon të dëgjojë. E kemi zhvilluar këtë aftësi deri në atë pikë, saqë atë pjesën e trurit ku ruhen ato mendime që njeriu  i ka të vetat, për të cilat investon që t’i zhvillojë dhe t’i mbrojë, te të cilat beson dhe që, edhe kur i ndërron, në sajë të përvojave të mëtejshme, i përmend gjithmonë si një periudhë e mendimit apo besimit të tij, ne e mbajmë si të thuash bosh. Mund ta krahasonim me një dhomë pritjeje që e mbajmë të pamobiluar dhe ku, sipas mikut që na vjen, vendosim mobiliet që i pëlqejnë mikut të radhës, të cilat i nxjerrim nga një magazinë, ku i mbajmë gati për t’i shtruar sipas nevojës. Ndryshe, ajo mund të quhej dhoma e hipokrizisë.
Mirëpo, problemi vjen e ndërlikohet kur na duhet të takohemi e të bisedojmë me shumë persona njëherësh. Ose, siç është rasti i politikanëve, kur duhet të flasin në publik, çka presupozon se fjalën e tyre e dëgjojnë interlokutorë të ndryshëm. Në këtë rast, që t’i bësh qejfin edhe njërit, edhe tjetrit, edhe tjetrit, nuk është aq e lehtë, veçanërisht kur këta mund të kenë mendime e besime të ndryshme, prandaj duhet që gjuha e shumëfishtë të ngrihet në një lartësi më të madhe, siç na mëson edhe Kryeministri ynë.
E bëra gjithë këtë hyrje për të komentuar paradën e fundit me shqiponjë dhe bashkim kombëtar që bëri Kryeministri Rama në Pallatin e Kongreseve me rastin e takimit të dy qeverive: sonës dhe asaj të Kosovës. Deri tani kam shkruar për një gjuhë të dyfishtë lidhur me Kosovën: nacionaliste për shqiptarët dhe postnacionaliste për perëndimorët. Ne flasim rëndom për bashkimin kombëtar të shqiptarëve si çështje madhore, si çështje e çështjeve, por njëherësh flasim edhe për respektimin e kufijve, të marrëveshjeve ndërkombëtare, të asaj që kanë vendosur të mëdhenjtë. Formula që ka përdorur Rama shpesh është “shqiptarët do të bashkohen nën qiellin europian”. Askush nuk i ka bërë pyetjen se si e mendon ai këtë bashkim në qiell dhe ndarje në tokë – ku për bashkim me serbët dhe me grekët as që flitet, sigurisht. Por kjo është vetia e gjuhës së dyfishtë: të gjesh fraza ambivalente, ku interlokutorët të mund të dëgjojnë atë që duan të dëgjojnë. Po ashtu, lidhur me këtë formulë, askush nuk i ka bërë Kryeministrit një pyetje, që më duket shumë e rëndësishme: po sikur të ndodhë që projekti europian të dështojë, që në vendet kryesore europiane të triumfojnë lëvizjet kundër bashkimit, a do të kryhet bashkimi i shqiptarëve nën ndonjë qiell tjetër dhe si do të kryhet? Çfarë mund të ndodhë në këtë rast?
Nuk e di a ka ndonjë mendim Kryeministri për këtë, por jam i sigurt që, po t’i vijë koha, do të nxjerrë ndonjë gjë nga magazina e tij për ta vënë në dhomën e hipokrizisë. Sepse ai është njeri i aftë, madje shumë i aftë. Siç po e vërtetojnë edhe ngjarjet e fundit, ai është në gjendje të ulet në dhomën e hipokrizisë e t’i bëjë qejfin duke i dhënë dashuri e para dhe pushtet, madje edhe t’u thotë gjeni kategorive nga më të përkundërtat të njerëzve: edhe një intelektuali apo një politikani të vërtetë, edhe një artisti, edhe një biznesmeni të ndershëm, edhe një mashtruesi ordiner, edhe një trafikanti droge e prostitutash, edhe një vrasësi apo një hajduti e të korruptuari, edhe ndonjë hallexhiu që punon përditë për bukën e gojës – e jo më të bëjë shqiponjën sorrë dhe sorrën shqiponjë.

***
Ajo që më tërhoqi vëmendjen në eventin e fundit gjatë vizitës së Kryeministrit të Kosovës në Tiranë, që u zhvillua në një kohë kur kosovarët dhe shqiptarët kanë arritur pikën më të ulët të besimit tek e ardhmja, mu për shkak të politikanëve të tyre shumëgjuhësh, ishte një ndryshim në gjuhën e Kryeministrit, që nga e dyfishtë ishte bërë e trefishtë. Ai përdori disa tone të forta patriotike, që dallonin edhe nga gjuha që Rama përdor me shqiptarët e këtushëm e aq më shumë nga gjuha që përdor me europianët. U dallua qartë, pra, edhe një gjuhe e tretë për shqiptarët e Kosovës, pasi tashmë Kryeministri ka marrë edhe rolin e babait të kosovarëve, të cilët i mendon se jo vetëm e kanë më të madhe dëshirën për bashkim, por kanë nevojë edhe për mbrojtjen e Shqipërisë mëmë nga padrejtësitë jo vetëm të serbëve, por edhe të perëndimorëve.
Ku është e keqja e kësaj, do të më thotë lexuesi. Ka shumë të këqija, por po ndalem në një: sepse kjo gjuha e tretë po ka prirjen të bëhet dominante dhe po prodhon fenomene shumë të shëmtuara që vetëm me gjuhën e bashkimit të europianëve nuk kanë të bëjnë, përkundrazi, që flasin për rritjen e vlerave antieuropiane në këto treva. Mu këto ditë na ka dalë një këngë me një tekst të tmerrshëm patriotik: “Jemi ne, jemi ne; vijmë nga trojet tona. Nuk na ndan dot askush; fluturon shqiponja. Po thërret toka jonë, lisat edhe malet; se ne jemi një komb, Shqipëri e Madhe.”, që sipas faqes zyrtare të “Digitalb”-it dhe “Top Channel”-it në “Facebook” do të shoqërojë Kombëtaren Shqiptare të Futbollit në çdo ndeshje, brenda dhe jashtë vendit. Mua më duket se jemi përpara një ekzibicioni – edhe me kontributin e ekzibicionizmit bosh të Kryeministrit – ku një pjesë njerëzish, pikërisht se janë më të përçarë se kurrë, më individualistë se kurrë, më të varfër se kurrë, jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht e intelektualisht, me një krizë të thellë identiteti individual, prandaj dhe me komplekse të thella inferioriteti, kërkojnë të mbushin këto boshllëqe e nevoja duke u identifikuar në mënyrën më infantile me tifozerinë kuqezi. Të bëhet se këta njerëz të vetmen mënyrë për të qenë patriotë, ndërkohë që lisat e Shqipërisë i shuajnë me sharra dhe malet i bëjnë çimento, kanë gjetur të tundin flamurin në ndonjë ndeshje futbolli.
Më bëri shumë përshtypje para disa ditësh një gjest i tillë ekzibicioni patriotik. E kam fjalën për atë skenën në një nga stadiumet tona, ku një tifoz i doli përpara portierit të skuadrës së Apolonisë që ishte serb duke i valëvitur para syve një flamur kuqezi, ndërkohë që këtij të ziut i duhej të priste penalltinë. Dhe ky tifoz jo vetëm që u lejua të shkojë ta provokojë duke e përdorur flamurin si ajo coha e kuqe që përdorin toreadorët për demat, por trajneri e nxori edhe jashtë skuadrës, sepse portieri, me demek, bëri një gjest antishqiptar, sepse tentoi ta largojë toreadorin nga fusha. Dhe më skandalozja ishte se askush nga kuqezinjtë shqiptarë të mediave nuk guxuan as të thoshin një fjalë për këtë palaçollëk me flamur. Siç mora vesh, pas kësaj ngjarjeje, portieri serb dhe një lojtar tjetër serb që luante po në atë skuadër u larguan nga Shqipëria. Shikoni çfarë degradimi, pra! Nuk di kur kanë ardhur lojtarët serbë, por ata kanë ardhur dhe kanë luajtur, kurse me rritjen e këtyre masturbimeve tona detyrohen të ikin. Dhe ndërkohë, Shqipëria dhe Kryeministri ynë kërkon të hyjë në Bashkimin Europian. Por të hysh në Bashkimin Europian do të thotë pikërisht e kundërta e përdorjes së flamurit tënd kombëtar si cohë toreadori për të tërbuar fqinjin  – siç qe edhe flamuri me të famshmin dron mbi stadiumin e Beogradit para disa muajsh, që Kryeministri e vuri edhe në fasadën e ndërtesës së tij me rastin e festave.
E ndërkaq, le të mos harrojmë se nga ky vend nuk po ikin vetëm futbollistët serbë të Apolonisë. Në anën tjetër të medaljes me shqiponjë dhe Shqipëri të madhe, ne kemi të gdhendura fytyrat e kriminelëve dhe vrasësve që na kanë kapur shtetin. Sipas meje, pikërisht për shkak të asaj që këta kërkojnë të mbulojnë si gjethe fiku me shqiponja dhe flamur, me gjuhën e trefishtë, për shkak pra të injorancës dhe varfërisë që shpreh edhe ky degradim kulturor, po ikin nga Shqipëria e madhe për në botën e madhe edhe shumë shqiptarë.
Është koha që, kush e do sadopak Shqipërinë, të mbajë në dorë një vegël pune më shumë se flamurin, të ruajë fushat e malet dhe lisat e gjatë nga plehrat që u hedhim përditë mbi shpinë, të ruajë shoqërinë nga plehrat e krimit që po e mbysin, të bëjë pra punë që ta nderojnë këtë vend, se vetëm kështu flamuri do të jetë i nderuar në kohën dhe vendin që i përket.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura