Gjuha bashkon dy akademitë e shkencave në QKLL, ekspozohen 200 ekzemplarë të botimeve shkencore të Kosovës

Oct 22, 2021 | 16:01
SHPËRNDAJE

“Fajin ma ka gjuha” motoja e zgjedhur për këtë Tetor Libri ka bërë bashkë në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri, dy akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, në promovimin e ekspozitës me 200 ekzemplarë librash shkencorë nga Kosova hapur në hapësirat e QKLL.

c3cae054-40e4-4f13-b75b-ac9294f1e830

“Kjo është një ngjarje e rëndësishme kulturore, të vijmë në Tiranë për të prezantuar punën tonë ndër vite. Në Kosovë kemi një emancipim gjuhësor dhe duhet të jemi më aktiv në ngritjen e kulturës së gjuhës”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës.

“Kosova ka jetuar në një periudhë shumë të gjatë në ambient dygjuhësor, sot është ndryshe. Shqipja është e para, por ende është e diskriminuar, kjo do të tejkalohet, sepse ka shenja pozitive”, vijoi ai, duke e quajtur Tetorin e Librit një mundësi të rëndësishme dialogu dhe diskutimesh mbi gjuhën.

Për kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, njohja me kolanën e librave të sesioneve të ndryshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës është shumë e rëndësishme për të vendosur arritjet më të mira në hapësirat shqiptare bashkë.

“Gjuha është pjesa më identitare që na bën të ndihemi komb, ajo që i ka bashkuar gjithnjë shqiptarët, ajo që na ka orientuar gjithnjë shpirtërisht dhe historikisht. Shqipja është një nga gjuhët më të vjetra të këtij gadishulli, e më të zhvilluara, e cila falë aftësive të saj, ka përballuar trysninë e historisë, me vështrimin e hershëm drejt Europës. Ju jeni mbrojtësit më të mirë të kësaj gjuhe, të cilën e keni pasuruar me punën tuaj studimore, eurodicionin e mendimit, duke e pasuruar me dhjetëra botime”, tha drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli.

Sipas saj, ardhja e akademikëve të Kosovës në Tiranë është në vijim të përsosjes së raporteve të komunikimit mes dy vendeve, në kuadër të marrëveshjes që dy qeveritë kanë në fushën e kulturës.

Rreth 200 ekzemplarë librash të autorëve shkencorë të Kosovës tashmë mund të vizitohen në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Gjatë takimit referuan akademikët Eqrem Basha, Justina Shiroka Pula, Luan Mulliqi, Myzafere Limani.

bad06035-1eac-42ba-b207-559e43d5098b 0dda4e8f-1525-47b2-9e6f-b6174c7a5fce fc4c46bd-6147-4d41-b896-0fe66c89f47a 83ec811e-cb84-44b7-a7f6-d6a311d7454e 6b032f47-5564-4aea-9796-e0e45383bc8b 1fcb89b9-4793-4975-8ab1-bb0efe3fbcc7

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura