Gjobë fqinjes me foto nudo, flet autori: Rrinte e zhveshur

Aug 30, 2015 | 10:36
SHPËRNDAJE

“Nuk e mora seriozisht. E bëra për shaka. Mendova se mund të siguroja ndonjë gjë, ndonjë para”. Me këtë pretendim 22-vjeçari elbasanas, Mario Bici, i akuzuar për “gjobëvënie” ndaj një 48- vjeçareje, është përpjekur të justifikohet në Gjykatën për Krimet e Rënda.

Gjykata e Krimeve të Renda
Gjykata e Krimeve të Renda
Sipas prokurorisë, 22- vjeçari i ka bërë një video intime 48-vjeçares dhe më pas i ka kërkuar 500 euro në këmbim të mospublikimit të saj. I dyshuari Bici është shfaqur i penduar gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij dhe ka kërkuar lirim nga qelia.

Avokati i tij mbrojtës, Arben Peci, i ka kërkuar gjykatës një masë më të butë sigurie, duke e argumentuar me rrezikshmërinë e ulët të të dyshuarit dhe faktin se ai ishte i padënuar më parë. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i prokurorisë ka pohuar se nga hetimet e deritanishme rezulton e provuar se i riu ka konsumuar elementët e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe kërkoi lënien e tij në qeli deri në përfundim të hetimeve.

Pasi është njohur me pretendimet e palëve, trupi gjykues vendosi pranimin e kërkesës së prokurorisë, caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Bicin. Procedimi penal ndaj 22-vjeçarit ka nisur pas kallëzimit në polici të 48- vjeçares, e cila ka pohuar se një person i panjohur i kishte vënë gjobë.

Sipas prokurorisë, ngjarja ka zënë fill gati një javë më parë, kur i dyshuari Bici ka qenë duke kaluar në rrugicën që kalon pranë banesës së të dëmtuarës. Nga një dritare e lënë hapur në katin e parë ai ka mundur të regjistrojë të dëmtuarën të sapodalë nga dushi pa rroba në trup. Veprimi i tij është vënë re nga 48-vjeçarja, e cila e ka pyetur se ç’po bënte, ndërkohë që ai ishte larguar me shpejtësi.

Dy-tri ditë më vonë ai i ka telefonuar asaj dhe i ka kërkuar një shumë prej 500 eurosh nëse nuk donte që t’i publikohej videoja në rrjetet sociale në internet. Pas kësaj telefonate, 48-vjeçarja ka kallëzuar ngjarjen në polici. Gjatë komunikimit telefonik, personi i panjohur i ka kërkuar asaj 500 euro në këmbim të mospublikimit të videos.

Po ashtu ai i ka dhënë udhëzimet se në ç’vend duhej të linte zarfin me paratë dhe të largohej më pas. Pas kallëzimit, nën mbikëqyrjen e policisë, 48-vjeçarja ka lënë një zarf bosh në vendin dhe orarin e caktuar nga telefonuesi anonim.

Kur 22-vjeçari ka shkuar të marrë “gjobën” është arrestuar në kushtet e flagrancës nga ana e punonjësve të policisë. Pas arrestimit, këto fakte janë pranuar edhe nga vetë i dyshuari.
ARMAND BAJRAMI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura