Gjobë djalit të ish-deputetit të PS, dënohet autori

May 13, 2013 | 8:21
SHPËRNDAJE
Makina e Edmir Durakut pas shpërthimit

Gjykata: Kreshnik Ymeri kërcënoi e i vendosi C4 djalit të Shyqyri Durakut. Krimet e Rënda: 3.4 vjet burg kërcënuesit të Edmir Durakut.

Dënohet me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie personi i akuzuar për gjobëvënie dhe shkatërrim të pronës me zjarr ndaj djalit të një biznesmeni nga Kukësi, njëherësh ish-deputet i PS në vitet 2001-2005, Shyqyri Duraku.

Pak ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka vendosur deklarimin fajtor të shtetasit Kreshnik Ymeri, për akuzat e ngritura nga Prokuroria: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “shkatërrim prone me eksploziv”. Çështja penale nr.58 ishte dërguar në gjyq në datën 21 shkurt 2013, pas hetimeve të kryera nga ana e Prokurorisë. Ngjarja për të cilën është akuzuar shtetasi Kreshnik Ymeri, 28 vjeç, nga Kukësi, ka ndodhur në muajin gusht të vitit të kaluar.

Sipas Prokurorisë, dyshohet se i akuzuari për ngjarjen ka dërguar më se dhjetë mesazhe kërcënuese në adresë të Edmir Durakut, 27 vjeç, djali i biznesmenit kuksian Shyqyri Duraku, njëherësh ish-deputet i PS-së. Në objektin e akuzës pretendohet se i akuzuari Kreshnik Ymeri ka dërguar mesazhe kërcënuese në adresë të Edmir Durakut, për të paktën 30 ditë gjatë muajit gusht 2012. Në këtë kohë, kur sipas Prokurorisë i dëmtuari nga ngjarja po refuzonte të përgjigjej në lidhje me kërkesën që i bëhej, makina e tij ka shpërthyer si pasojë e vendosjes së një sasie eksplozivi.

Fillimisht ishte pretenduar se djali i ish-deputetit të PS-së duhej të paguante 200 mijë euro, por më pas, nga hetimet rezultoi se “gjoba” që i vendosej të dëmtuarit ishte 10 milionë lekë të rinj. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, i pandehuri Kreshnik Ymeri nuk e pranoi në asnjë rast akuzën. Edhe në fund të procesit ai kërkoi pafajësi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke pohuar se nuk kishte lidhje me ngjarjen.

(Lajmin e plote nga Trazhgim Sokolaj e lexoni sot ne Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura