Gjobë 2 mijë euro dhe peng për katër orë, ja përgjimet

Aug 31, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Zbardhen përgjimet e dosjes gjyqësore në ngarkim të dy personave të fajësuar për grabitjen, mbajtjen peng dhe shantazhimin e një fqinjit të tyre.

Prokuroria1Ngjarja ka ndodhur në gusht të vitit 2014, në Durrës, ku 23-vjeçari Ilirjan Toshi dhe 30-vjeçari Flamur Popoçi kanë konsumuar veprat penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, “vjedhjes me dhunë” dhe “heqjes së paligjshme të lirisë” në dëm të fqinjit të tyre F.R.

Sipas gjykatës, ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të dëmtuarit dhe i kanë marrë një aparat celular. Në vijim ata e kanë marrë këtë person nën kërcënim dhe e kanë detyruar të qëndrojë gati katër orë në plazhin e Durrësit.

Të nesërmen ata i kanë vendosur një gjobë 2 mijë euro, duke i pohuar se do ta kishte punën keq nëse nuk i paguante. Në lidhje me këto vepra i pandehuri Toshi është dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg, ndërsa i pandehuri Popoçi me 4 vjet e 4 muaj burg, vendim që ka marrë formë të prerë. Në vijim historia, referuar vendimit të gjykatës, e siguruar nga “Panorama”.

HISTORIA

Sipas Gjykatës për Krimet e Rënda, në 18 gusht 2014, rreth orës 20:00, i dëmtuari F.R. ka qenë në një nga rrugët e lagjes së tij, kur është ndeshur me Flamur Popoçin dhe Ilirjan Toshin, të cilët i njihte mirë, pasi i ka komshinj. Ata i janë drejtuar me fjalët “ku je kemi gjithë ditën që të kërkojmë”. F.R. ka thënë se kishte qenë në shtëpi e në punë, ndërsa Flamuri i ka thënë se Flamuri ka vazhduar duke i thënë që “po pret burri i huj, të cilit i kanë humbur 6000 euro” pa i përmendur emrin e këtij personi. Pas kësaj bisede, të pandehurit e kanë goditur në pjesë të fytyrës me grushte e shpulla, si dhe me shkelma nga këmbët e brinjët.

Gjatë ushtrimit të dhunës fizike të pandehurit i kanë marrë të dëmtuarit aparatin celular “Samsung” me dy karta përdorimi. Po sipas gjykatës, në momentin që po e qëllonin, të pandehurit i kanë thënë kallëzuesit se ai i kishte blerë makinën një banori tjetër të lagjes. “Nuk ja kam blerë unë, pasi nuk kam lekë të blej makinë për vete dhe jo për të”, ka qenë reagimi i F.R. Në vazhdim të pandehurit, së bashku, kanë kërcënuar kallëzuesin që të shkonte me ta në plazh.

Ata kanë ikur në këmbë nga Rrashbulli në plazh, duke ecur në linjë hekurudhore. Kallëzuesi ka tentuar të largohet, por dy të pandehurit e kanë penguar dhe e kanë detyruar të vijonte rrugën me ta. Në orën 21:00 kanë mbërritur në plazh, ku janë ulur që të tre në shezlonget para një hoteli. Pranë tyre është afruar një i njohur i të pandehurve, që ata e thërrisnin “xhaje”. F.R. është shtrirë në shezlong dhe ka bërë sikur është përgjumur, ndërkohë që dy të pandehurit, bashkë me “xhajen” dhe 2-3 djem të tjerë, janë ulur 10 metra më larg.

Rreth orës 01:00, kur të pandehurit janë larguar, F.R. është tërhequr zvarrë nëpër rërë gati 100 metra dhe më pas ka ikur me vrap në shtëpi. “Të nesërmen të pandehurit kanë kontaktuar nëpërmjet telefonit me të dëmtuarin. Ata janë përpjekur dhe kanë insistuar që të takonin personalisht të dëmtuarin, me qëllim që prej tij të merrnin shumën e parave prej 2 mijë eurosh.

I dëmtuari, duke u ndjerë i kërcënuar prej të pandehurve për shkak të telefonatës dhe për faktin se ai e kishte provuar dhunën dhe rrezikshmërinë e tyre, ka shkuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës ku ka bërë edhe kallëzimin përkatës. Nga bisedat e përftuara prej përgjimit pasqyrohet insistimi i vazhdueshëm i të pandehurve Ilirjan Toshi dhe Flamur Popoçi për t’u takuar me të dëmtuarin. Gjatë bisedave të pandehurit i kanë kërkuar të dëmtuarit që ata të takoheshin për të sqaruar disa çështje të pazgjidhura midis tyre, si dhe kthimin e aparatit celular që të pandehurit ia kishin marrë të dëmtuarit.

Në këto biseda të pandehurit janë treguar të kujdesshëm me të dëmtuarin, duke u sjellë në mënyrë “miqësore” në komunikim, për shkak se të pandehurit kanë dyshuar për mundësinë e përgjimit të bisedave telefonike”, thuhej në vendimin e gjykatës. Të pandehurit janë arrestuar gjatë shkëmbimit të parave në një lokal pranë stacionit të trenit në Durrës. 

PERGJIMET

Biseda telefonike zhvilluar midis të dëmtuarit dhe të pandehurit Ilirjan Toshi në datën 21.08.2014.

Toshi:
Vili jam.

F.R.: Po fol.

Toshi: Ku do takoheshim pak.

F.R.: Ku do takoheshim, sonte nuk mundem se jam në shtëpi.

Toshi: Nesër ku do takohemi.

F.R.: Nesër unë për punën e lekëve siç kërkuat ju pres nesër në ora 12:00 të mi bij çuni i tezes.

Toshi: Jo, jo nuk duam asnjë lek, po ku me u taku vetëm të flisnim.

F.R.: Për ca të flasim? Unë nuk takohem, se nuk kam ndërmend më të rrifem edhe një herë.

Toshi: Jo, jo nuk rrifesh nuk të prek njeri me dorë fare.

F.R.: E di unë. Ashtu thatë edhe atë natë…

Toshi: U fiksova nga ike, sa dola unë ike nga ike ti?

F.R.: Aty isha unë

Popoçi: Të kishim gjet ndonjë rob që të ngjante ty!? Po s’pamë asnjë rob rrugës! Kena ardh vrap në… deri afër shpis.

Toshi: Kemi ardhë afër shpis. Nga ike ti para shpis apo nga “Nish Tulla”?

Popoçi: Kemi ardhë me vrap që të kapshim.

F.R.: E keni seriozisht. I rashë rrugës këtej. Ishte ora 2 e mëngjesit…

Procesverbal i përgjimit ambiental i zhvilluar midis dy të pandehurve dhe të dëmtuarit në datën 25.08.2014.

Toshi: Sa ke sjellë?

F.R.: Një mijë euro.

Toshi: Bo be!?

F.R.: Po.

Toshi: Mos ja q… robt tashti or burr.

F.R.: Për kok të vëllait kështu më tha për dy tre ditë se një mijë euro kam sjellë.

Toshi: Bjeri. Mirë. Na merr në telefon vetë, nuk të marrim më në telefon. Toshi: O Mulo ka sjellë një mijë euro, tre ditë të tjerat.

Popoçi: Në rregull në rregull.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura