Gjobat e reja, ja se si mund të kontrolloni pikët në patentë

Apr 26, 2015 | 14:19
SHPËRNDAJE

Nga data 16 prill, patenta me pikë është bërë efektive, ndërkohë që për shkak të caktimit të detajeve të fundit në sistem, funksionimi dhe hyrja në fuqi është bërë më datë 22 prill.

Nga kjo datë, çdo person që disponon një leje drejtimi i janë dhënë automatikisht 20 pikë. Nëse gjatë këtyre ditëve keni kryer një shkelje dhe së bashku me të edhe jeni gjobitur do të duhet që t’i nënshtroheni rregullave të reja dhe mund të penalizoheni edhe me humbje pikësh.

Policia rrugore, foto ilustruese

Por si mund të kontrolloni pikët që keni në patentë? Cilat janë format me të cilat mund të merrni këtë informacion? Çfarë ndodh në rast se gjobiteni apo shkelni njërin nga rregullat e përcaktuara në Kodin Rrugor? Si do t’ju zbriten pikët? Të gjithë këtyre pyetjeve i është përgjigjur specialisti Nikolin Bërxhiku, në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.

Në një intervistë për gazetën, ai sqaron se si funksionon sistemi i ri i patentës me pikë. Ai thekson që është mirë që qytetarët të kontrollojnë herë pas here gjendjen e pikëve, në mënyrë që të jenë në dijeni dhe të rrisin vigjilencën për të qenë më të kujdesshëm në drejtimin e mjetit.

Nëse përsëriten tri shkelje me nga pesë pikë brenda vitit ekziston edhe mundësia e humbjes së lejes së drejtimit dhe dhënies së testit teorik. Bërxhiku sqaron se testi teorik do të ketë pyetje vetëm nga kapitulli i normave të sjelljes dhe tarifa që do të paguhet është 1 500 lekë. Mënyra e zhvillimit të testit do të jetë e njëjtë me ata që e japin këtë test për herë të parë, veçse do të duhet që t’i përgjigjen saktë 90 për qind të pyetjeve.

 Sistemi i patentës me pikë tashmë është bërë efektiv pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor. Unë si qytetar që kam një leje drejtimi, ku mund ta shoh gjendjen e pikëve?

Qytetari mund të marrë informacion në disa mënyra. Së pari përmes internetit, në portalin e e-Albania. Ai duhet të regjistrohet sipas udhëzimit në faqe dhe pasi identifikohet me komandën “hyr” shkohet te rubrika e-shërbime, ku listohen një sërë temash, midis të cilave është dhe patenta me pikë. Në këtë rubrikë me anë të klikimeve shfaqet gjendja e pikëve të lejes së drejtimit. Për të gjithë ata që e shohin të komplikuar këtë procedurë është edhe një variant i dytë. Në këtë rast, gjendja e pikëve mund të kërkohet me e-mail te Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Një tjetër mundësi është ajo e një kërkese me shkrim pranë të njëjtës drejtori, ndërkohë që po shihet mundësia e vendosjes së një numri telefoni. Jo pa qëllim janë lënë të gjithë këto forma informimi për qytetarët që ata të kenë mundësi të marrin informacionin sipas mënyrës që iu duket më e thjeshtë. Kjo, në një farë mënyre, i bën ata më vigjilentë ndaj pikëve që kanë dhe ruajtjen e gjendjes së tyre, duke bërë edhe një drejtim më të kujdesshëm të mjetit.
 

 Kur më hiqen pikë për shkak të një shkeljeje që mund të kem kryer për shembull parakalim i gabuar. Duhet që të kontrolloj herë pas here faqen për të parë gjendjen e pikëve apo njoftohem edhe me të tjera mënyra për zbritjen e pikëve (për shembull me postë)?

 E mira është që qytetarët të kontrollojnë herë pas here faqen e internetit për të parë gjendjen e pikëve të tyre. Gjithsesi për të qenë korrekt, ne nuk kemi përjashtuar asnjë nga format e tjera të njoftimit për zbritjen e pikëve që është edhe ajo e përmendur nga ju, pra lajmërimi me postë.

 Si është procedura apo hallkat ku kalon heqja e pikëve? Supozojmë që kreva shkeljen dhe kjo u evidentua menjëherë nga Policia Rrugore. Çfarë procedure vjen më pas deri në heqjen e pikëve nga sistemi?

 Zbritja e pikëve nuk bëhet menjëherë në kohë reale. Patjetër që kjo ka procedurat e saj, pasi në të përfshihen më shumë se një institucion. Fillimisht njoftoheni për t’u paraqitur në Komisionin e Shqyrtimit të Shkeljeve Administrative të Policisë Rrugore. Me shpalljen e vendimit mund të ankimoheni në Gjykatën Administrative brenda 5 ditësh. Nëse pranohet vendimi pa ankimin, duhet paguar gjoba dhe duhet pritur vetëm pak kohë sa të përditësohen pikët në faqen e personalizuar të rrjetit qeveritar e-Albania ose me forma të tjera informacioni sikurse përmendëm më sipër. Ajo që vendos për masat është Policia Rrugore, ndërkohë që zbritja e pikëve bëhet nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor dhe çdo evidentim dhe vendimmarrje i delegohet kësaj të fundit në formë shkresore.

 Si do të kryhet testimi teorik për ata që humbasin pikët në lejen e drejtimit? Do të jetë i njëjtë me atë që jepet sot nga ata që marrin lejen për herë të parë dhe sa do të jetë tarifa që paguhet?

Tarifa do të jetë 1 500 lekë, kurse provimi do jetë me pyetje vetëm nga kapitulli i normave të sjelljes së Kodit Rrugor, kurse mënyra e zhvillimit do jetë e njëjtë me ata që marrin lejen për herë të parë.

NGA NERTILA MAHO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura