Gjoba për celularin në makinë/ Braho rikthen me “këmbë në tokë” socialistët: S’kemi 84 votat, por…

Jul 11, 2018 | 22:01
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU / Ministria e Brendshme ka propozuar dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare 10-fishimin e gjobave për shoferët, të cilët do të kapen duke përdorur telefonin celular në makinë.

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë

Ndryshimi në Kodin Rrugor është propozuar nga zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, i cili tha se përdorimi i celularëve është bërë shkak serioz për shumë aksidente. Aktualisht, gjoba për përdorimin e celularit shkon nga 1 mijë deri në 1500 lekë të reja, ndërkohë që me propozimin e ri ajo do të shkojë deri në 15 mijë lekë.

“Do të donim që të shqyrtohet dhe një propozim për ashpërsimin e sanksioneve në lidhjen me përdorimin e celularëve gjatë drejtimit të automjeteve. Ky është një problem real dhe goxha i rëndë për momentin. Është burim i madh aksidentesh dhe është shqetësim real”, tha dje Hodaj. Ndërkohë që drejtori i përgjithshëm i Policisë Rrugore, Mitat Tola, u shpreh se nga 9 aksidente, 6 prej tyre ndodhin nga përdorimi i celularëve.

“Ne arritëm që t’i lidhim shoferët pas sedijes me masat ndëshkimore. Nëse do na e lini ta bëjmë dhe me celularin, që është masë shumë qesharake, nga 8 aksidente që ndodhin, 6 kanë një nga shkaqet celularin, masa është shumë qesharake. Ka mbetur një dispozitë e 1992-it, është krejtësisht e papërshtatshme me realitetin. Rripi i sigurimit mbron drejtuesin e mjetit dhe është gjithçka pasive, jo ofensive. Ndërsa celulari, përveç atij që e përdor, mund të vrasë dhe të tjerët. Është një nen, 10- fishimi i masës besoj se do të jepte rezultate të jashtëzakonshme”, tha Tola.

NUMRAT

Propozimi i zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme gjeti mbështetjen e deputetëve të Partisë Socialiste. Por i vetmi që i riktheu me “këmbë në tokë” ishte deputeti i PS-së, Spartak Braho. Sipas tij, Kodi Rrugor kërkon 84 vota, të cilat maxhoranca nuk i ka.

“Jam plotësisht dakord me propozimin që ta votojmë. Kjo dispozitë përfshihet në korpusin që duan 84 vota, që do të thotë që ne kuorum nuk kemi. Që të arrijmë numrin, na duhet kompromis me opozitën, tani po gjykoj personalisht. Kompromis me opozitën nuk ka, ata nuk vinë për Reformën në Drejtësi, jo të votojnë këtë dispozitë. Megjithatë ne t’ia bëjmë hyzmetin, e dashur kryetare”, tha dje Braho. Nisma për 10-fishimin e gjobave nuk u miratua dje për shkak se socialistët kërkuan më shumë kohë në dispozicion për ta riformuluar saktë këtë nen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura