Gjoba ndaj biznesmenit të kafesë, i ati i Genc Ferhatit: Është kurth, ai na kishte 15 mijë euro borxh

Apr 25, 2015 | 12:51
SHPËRNDAJE

“Djali im nuk i ka vënë gjobë asnjë biznesmeni. Duan ta fusin në kurth, që ta lënë në burg”.

Babai i Genc Ferhatit

Kështu shprehet babai i Genc Ferhatit, duke sqaruar të gjithë lidhjen e tij me biznesmenin e kafesë që pretendon se është shantazhuar për shumën 15 mijë euro.

Shpëtim Ferhati, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” rrëfen lidhjet e tij me biznesmenin Julian B., të vërtetën e borxhit mes tyre, kontratat dhe marrëveshjet që kanë bërë me njëri-tjetrin, si edhe ngre dyshime se gjithë kjo histori është një skemë mashtrimi dhe sajim i sipërmarrësit të kafesë, i cili para pak kohësh ka bërë kallëzim se Ferhati dhe shokët e tij, mes të cilëve edhe Pajtim Serjani, e kanë kanosur për t’i dhënë lekët.

Djali juaj, Genci, akuzohet për gjobëvënie ndaj biznesmenit Julian B., ndërkohë që ai ju detyrohet juve afro 15 mijë euro. Si është e vërteta e kësaj historie?

E vërteta nuk është ashtu siç thotë biznesmeni, pasi djali im nuk është gjobëvënës dhe nuk e ka kërcënuar Julianin për ato lekë. Por, përkundrazi, biznesmeni na detyrohej një shumë prej 15 mijë eurosh, pasi unë ia kam dhënë në vitin 2012 ato lekë ortakut tjetër të Julianit dhe për këtë kam edhe tri akte noteriale, dhe që nga ajo kohë unë merrja një rrogë mujore nga Juliani në shumën prej 300 mijë lekësh.

Si jeni njohur ju me Julianin, biznesmenin e kafesë?

Julianin e kam njohur përmes të njohurit tim, i cili ma prezantoi dhe më tha se ai kishte nevojë për një ortak biznesi, pasi ai që kishte pasur deri atëherë nuk donte që të largohej. Deri në vitin 2012, ortak me Julianin ka qenë E.K. Këtë vit unë i dhashë atij shumën prej 12 mijë eurosh dhe 3 mijë dollarësh dhe përmes akteve noteriale ramë dakord që unë do bëhesha pjesë e biznesit dhe do merrja një rrogë mujore, të cilën kam katër muaj, që kur ka nisur kjo histori, që nuk e kam marrë, ndërsa Julian B. më detyrohej mua shumën e borxhit. Në këtë histori nuk ka lidhje fare Genci; duan ta fusin në kurth.

Ju thoni se keni tri akte noteriale për këtë çështje. Mos ndoshta, gjatë nënshkrimit të këtyre akteve është përdorur shantazhi dhe kërcënimi?

Nuk ka se si të jenë nënshkruar aktet noteriale nën kërcënim me Julianin, pasi të gjitha janë nënshkruar nga noterja M.P., e cila është vjehrra e Julianit, e cila duhej të hetohej nga prokuroria për bashkëpunim në këtë skemë mashtrimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura