Gjithmonë bashkë

Dec 3, 2019 | 9:50
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI LEONARD DEMI

Ky shkrim i kushtohet Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Londër, më 4 dhjetor, por në krye dëshiroj të falënderoj Qendrën Koordinuese Euroatlantike kundër Fatkeqësive (EADRCC) të NATOs, si dhe të gjitha vendet aleate për ndihmën që na ofrojnë në këtë fatkeqësi të madhe që na ka rënë. NATO ofron siguri në mënyra të ndryshme, edhe duke ndihmuar të shpëtojë dhe të ruajë njerëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore.

Në Londër, Kryetarët e Shteteve dhe të Qeverive do të festojnë 70-vjetorin e themelimit të Aleancës dhe do të ngrenë më lart flamurin e unitetit. Ata do të diskutojnë për të ardhmen e Aleancës, ku një vend të rëndësishëm do të zërë frenimi i Rusisë dhe ngritja e Kinës, lufta kundër terrorizmit, paqëndrueshmëria në jug dhe juglindje të kufirit të NATO-s, ndarja e barrës, si dhe adaptimi i mëtejshëm i Aleancës për të përballuar sfidat e reja dhe për të përmirësuar gatishmërinë.

NATO është një premtim i pashoq për të ruajtur paqen dhe për të parandaluar konfliktet. Anëtarët e vet u kthyen në modele demokracie për vendet postkomuniste të Europës Qendrore dhe Lindore, të cilat, të ndriçuara dhe të udhëhequra nga idetë e saj dhe të BE-së, sot janë anëtarë të një aleance shtetesh sovrane të bashkuara nga rendi demokratik, liria dhe shteti ligjor, si dhe nga e drejta individuale për një jetë më të mirë.

Sot, ndërmjet aleatëve vërejmë qëndrime të ndryshme, si: në tregti, energji, ndryshimet klimaterike, marrëveshjen bërthamore me Iranin, ndarjen e barrës, furnizimin me energji, situata në Siri, nismat e Kinës apo dhe në ndonjë tjetër. Aleatët kanë pasur mosmarrëveshje edhe më parë, por për aq kohë sa mbeten të pazgjidhura, Aleanca përpiqet të minimizojë pasojat negative te NATO. Forca e NATO-s i ka tejkaluar ato dhe aleatët qëndrojnë të bashkuar rreth misionit themelor të Aleancës: të mbrojnë njëri-tjetrin dhe të jenë të sigurt. Retorika mund të luhatet, por rëndësi ka rezultati.

NATO nuk ka jetuar gjatë shtatëdhjetë vjetëve nga sentimentalizmi. Ajo i ka bërë ballë kohës sepse është në interes të çdo anëtari dhe do të bëhet ende më e rëndësishme pas Brexit-it. Ne nuk jemi në gjendje të parashikojmë të ardhmen, por NATO përgatitet për të papriturat. Ne kemi nevojë për një strategji për të panjohurën dhe e kemi një: kjo strategji është NATO (Jens Stoltenberg – JS). Në titujt pasardhës do të përpiqem të paraqes shkurt disa nga çështjet e sotme kryesore politike dhe ushtarake të NATO-s.

LIDHJET TRANSATLANTIKE

Në vigjilje të themelimit të NATO-s, Presidenti Truman ka thënë:

“Shpresojmë të krijojmë një mbrojtje kundër agresionit dhe frikës ndaj agresioni, për të pasur një jetë më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë”.

Amerika është themeli i NATO-s dhe domosdoshmëri e patjetërsueshme për sigurinë dhe lirinë në Europë. Nuk do të gëzonte Europa as paqe dhe as përparimin e sotëm pa sakrificat dhe përkushtimin e Shteteve të Bashkuara.

Europa dhe Amerika tani po bëjnë më shumë sesa në dekadat e shkuara, megjithë pikëpamjet dhe ndryshimet që vihen re, SHBA nuk po largohen nga Europa, përkundrazi, Amerika po investon në sigurinë e Europës, po shpenzon më shumë, po rrit praninë e vet ushtarake me më shumë trupa, pajisje dhe stërvitje.

NATO është forumi i vetëm që bashkon vendet nga Europa dhe Amerika e Veriut për të diskutuar dhe vendosur mbi sfidat strategjike të sigurisë. NATO është garantuesi i vetëm i sigurisë europiane dhe transatlantike dhe është përgjegjësi e secilit prej nesh ta ruajë dhe ta forcojë këtë unitet për të pasur një frenim dhe mbrojtje të besueshme për të gjithë ne. Aleanca Transatlantike mund të mos duket si një herë, por, në fund, fijet që i lidhin të dy anët e Atlantikut janë më të forta se zgjedhjet individuale që i ndajnë. Uniteti europian nuk mund të zëvendësojë unitetin transatlantik.

Përpjekjet për të forcuar mbrojtjen europiane janë shumë të mirëpritura, gjë që do të rritë kapacitetet e NATO-s dhe do të përmirësojë ndarjen e barrës, por BE nuk mund të mbrojë Europën. Kur Mbretëria e Bashkuar të lëshojë BE-në, 80% e shpenzimeve të NATO-s për mbrojtjen do të vijnë nga aleatët që nuk janë anëtarë të BE-së dhe pa Amerikën, as Gjermania dhe as Franca nuk do të jenë në gjendje të mbrojnë vetveten.

NDARJA E BARRËS

Takimi i Londrës do të shqyrtojë përparimin e Aleancës në ndarjen e barrës. Ka pesë vjet që aleatët po rrisin buxhetin e mbrojtjes për të arritur në 2% të PPB në 2024 (tanimë, këtë prag e kanë arritur 9 vende). Sot, rritja shënon 100 miliardë dollarë më shumë, kurse në 2024 do të arrijë në 400 miliardë dollarë. Presidenti Tramp pritet të kërkojë rishikimin e kësaj shifre. Sidoqoftë, Aleanca është e vendosur të vazhdojë të rrisë investimet. Disa vende kanë mbetur mbrapa, por treguesit e fundit janë në rritje.

FRENIMI DHE MBROJTJA

Qëllim i frenimit dhe i mbrojtjes është që asnjë anëtar i NATO-s të mos sulmohet dhe për 70 vjet me radhë ka qenë i garantuar çdo ditë për të gjithë popujt dhe vendet e NATOs. NATO e siguron këtë nëpërmjet një mesazhi të qartë, që i dërgon çdo kundërshtari: në qoftë se një anëtar i NATO-s do të sulmohet, gjithë Aleanca do të përgjigjet dhe në këtë mënyrë Aleanca ruan paqen. Frenimi nuk provokon konflikt, por e parandalon. Kështu, nëse Rusia nuk e respekton atë, NATO do të përgjigjet.

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës nxiti adaptimin ushtarak të NATO-s: forca me gatishmëri të lartë, rreshtim të trupave të gatshëm për luftim në pjesën lindore të Aleancës, trefishimin e Forcës Reaguese, rritjen e shpenzimeve për kapacitete moderne për të gjithë komandat operacionale dhe luftën hibride, paketa e masave mbrojtëse në Detin e Zi, më shumë prani amerikane në Europë, më shumë stërvitje ushtarake apo komanda dhe struktura të reja, iniciativa për armëkontrollin etj. Këto dërgojnë një mesazh të thjeshtë dhe të qartë: ajo që ndodhi në Krime, nuk mund të ndodhë kundër një anëtari të NATO-s.

Sfidat e sotme nuk mund t’i përballojë i vetëm asnjë shtet dhe një NATO e fortë është vendimtare për paqen dhe sigurinë në Europë. Presidenti Tramp pritet të ndërhyjë në këtë pikë, ku do të theksojë nevojën që ka Aleanca për të qenë e gatshme kundër kërcënimeve të së ardhmes, përfshirë kërcënimet hibride, kibernetike, ato që prekin infrastrukturën tonë kritike, rrjetet e telekomunikacionit, si dhe kërcënimet terroriste.

Në Londër, Samiti pritet të njohë edhe hapësirën si një fushë (domain) operacionale sepse është domosdoshmëri për shoqërinë tonë, për mbrojtjen dhe frenimin, për komunikimin dhe lundrimin.

Sot, rreth tokës sillen rreth 2,000 satelitë dhe, pothuajse gjysma e tyre janë të vendeve të NATO-s. Goditjet kundër tyre mund të dëmtojnë rëndë komunikimin, udhëtimet ajrore, parashikimin e motit apo operacionet bankare. NATO nuk ka ndërmend të armatosë hapësirën, por duhet të sigurohet që misionet dhe operacionet e veta të kenë mbështetjen e duhur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sigurimi i energjisë është një fushë tjetër e rëndësishme që do të marrë vëmendjen e duhur me synim që Aleanca të jetë në gjendje t’u sigurojë forcave të veta burimet e nevojshme energjetike në çdo kohë.

RUSIA

Liderët e NATO-s pritet të ritheksojnë qëndrimin e Aleancës ndaj Rusisë: (i) mbrojtje dhe frenim të fortë, si dhe (ii) dialog. Në këtë pikë, Presidenti Makron do të kërkojë intensifikimin e dialogut me Rusinë.

Rusia, pos përpjekjeve për rritjen dhe modernizimin e forcave të veta ushtarake, po tregohet mjaft aktive pranë kufirit me NATO-n, në Mesdhe, në Detin e Zi, në Detin Baltik dhe në Oqeanin Atlantik, ku ka dislokuar teknikë të madhe ushtarake (RAND).

Presidenti i Rusisë kërkon të prishë aleancën transatlantike dhe të nxjerrë Amerikën jashtë nga Europa për të ndërhyrë i qetë në një Europë të përçarë, po e vetmja gjë që e pengon është solidariteti i NATO-s.

Sot, Kremlini ka filluar një sulm të koordinuar ushtarak, politik, ekonomik, informatik, për të bllokuar integrimin e vendeve fqinje në NATO dhe në BE, si dhe për t’u dërguar mesazhe qeverive të tjera në rajon, që zbatojnë reforma demokratike të mbështetura nga Perëndimi se do të kenë pasoja të rënda. Në mënyrë konstante, Moska kërkon të dobësojë dhe të minojë demokracitë perëndimore nga brenda, nëpërmjet partive, grupimeve, lëvizjeve, individëve apo zgjedhjeve. Ajo sponsorizon kandidatë si të ekstremit të majtë, ashtu edhe të djathtë, që janë kundër sistemit, që mbështesin marrëdhënie më të ngushta me Rusinë ose që, publikisht, venë në pikëpyetje vlerën e anëtarësimit në NATO apo në BE.

Më 21 nëntor 2019, një nga ekspertët më të mirë amerikanë për Rusinë, Fiona Hill, në një seancë dëgjimore të Komisionit të Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve, tha: “Rusia kërkon të ndërhyjë edhe në zgjedhjet e vitit 2020. Presidenti Putin dhe shërbimet ruse të sigurisë operojnë si një super PAC. Ata shpërndajnë miliona dollarë për të na përçarë kundër njëri-tjetrit, të degradojnë institucionet tona dhe të shkatërrojnë besimin e popullit amerikan te demokracia jonë”. (PAC: Komiteti i Veprimit Politik, që siguron dhe jep para për të zgjedhur apo për të penguar kandidatë në zgjedhje).

LUFTA KUNDËR TERRORIZMIT

Sfida tjetër, ku Europa dhe Amerika qëndrojnë bashkë, është lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Samiti do të mbështesë planin e përditësuar të Aleancës për angazhimin e NATO-s në luftë kundër terrorizmit, duke ftuar aleatët të ndajnë informacionin sekret për aktivitete të rëndësishme terroriste, përfshirë sulmet në vendet tona dhe luftëtarët e huaj.

Të gjithë anëtarët e NATO-s bëjnë pjesë në Koalicionin Global për të Shkatërruar ISIS-in. Koalicioni ka përparuar shumë, duke çliruar territore të mëdha dhe miliona njerëz në Irak dhe Siri, por lufta nuk ka mbaruar. ISIS-i është ende një kërcënim.

Aleanca është e preokupuar për të ruajtur fitoret dhe të mbështesë përpjekjet e OKBsë për të arritur një zgjidhje politike të qëndrueshme. Për këtë arsye, NATO po trajnon forcat lokale t’i aftësojë të luftojnë terrorizmin në vendin e tyre dhe të stabilizojnë situatën; gjithashtu, NATO do të vazhdojë të ngrejë kapacitetet e tyre, si në Irak, Jordani dhe Tunizi.

Kërcënimi i dytë i madh është rreziku nga Lindja e Mesme, që mund të përhapet dhe të destabilizojë Europën. Ky rrezik mund të vijë nga paqëndrueshmëria në Iran dhe aktivitetet e tij destabilizuese në rajon; nga fushata e egër e terrorizmit islamik apo nga kaosi në vende si Siria dhe Libia. Për t’i bërë ballë kësaj situate, NATO-s i nevojiten kapacitete për kërcënimet që vijnë nga jugu. Liderët do ta vazhdojnë misionin trajnues të NATO-s në Afganistan dhe përpjekjet për paqe për të mos lejuar kthimin e ISIS-it pas humbjes në Irak dhe Siri.

KINA

Europa dhe Amerika janë të ftuara të bashkëpunojnë për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur ndryshimeve gjeostrategjike, përfshirë ngritjen e Kinës dhe implikimet e ndryshimeve teknologjike.

Kina, shpejt, do të ketë ekonominë më të madhe të botës. Ajo zë vendin e dytë për shpenzime ushtarake. Në pesë vitet e fundit, Kina ka prodhuar 80 anije dhe nëndetëse për forcat e veta detare – baras me Forcën Detare të Mbretërisë së Bashkuar. Kohët e fundit ka paraqitur një raketë të re supersonike, një variant të ri droni, raketa kundër anijeve dhe glajder supersonik (avion pa motor). Kina është duke u kthyer në një lider global në zhvillimin e teknologjisë së re: nga 5G te njohja faciale dhe kompjuterët kuantum.

NATO u tërheq vëmendjen aleatëve të vlerësojnë riskun dhe të bëjnë analizën e riskut, që lidhet me zotërimet dhe investimet e huaja para se të investojnë për sistemin 5G. Duhet të sigurohemi nëse infrastruktura jonë është e përshtatshme dhe e sigurt që të mbrojë të dhënat tona, pasi sistemi 5G do të jetë shumë i rëndësishëm, si për shëndetin, industrinë, komunikimin, për çdo gjë, por edhe për operacione ushtarake. Tabloja bëhet më shqetësuese kur shikojmë që Neni 7 i Ligjit të Inteligjencës Kombëtare Kineze i vitit 2017, u kërkon kompanive kineze “të mbështesin punën e inteligjencës kombëtare, të bashkëpunojnë me të dhe të ruajnë sekretin e veprimtarisë të inteligjencës kombëtare”

Forca kineze mund të dëmtojnë NATO-n të ushtrojë vetëmbrojtje në disa drejtime: nga telekomunikimi te sistemet e kontrollit industrial, nga hapësira dhe hapësira kibernetike tek urat, hekurudhat dhe portet, pasi Kina ka praninë e vet në gjithë komunitetin transatlantik.

Kina po lëviz gjithmonë e më pranë NATO-s, nga Arktiku në Ballkan. Ka ardhur koha që NATO të bëhet gati për këtë vizitor. Kjo nuk do të thotë që të çojmë NATO-n në Paqësor, por t’i përgjigjemi faktit që Kina pa vjen më pranë nesh. Dhe NATO po e bën këtë gjë duke bashkëpunuar edhe me partnerët e vet: Australinë, Zelandën e Re, Japoninë dhe Korenë e Jugut (JS, Reuters).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura