Gjithë Shkodra në këmbë pas vdekjes së arqipeshkvit Gaspër Thaçi, si u alarmua regjimi komunist

Oct 25, 2018 | 17:40
SHPËRNDAJE

Kujto.al Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit

Vdekja e arqipeshkvit imzot Gaspër Thaçi në Shkodër me 25 maj 1946 kishte vënë në alarm  gjithë kupolën e rejgimit komunist.  Veçanërisht, kjo ngjarje ishte një sprovë e vështirë për komunistët e Shkodrës.

Lajmi i vdekjes së tij përcillej në Komitetin Qendror me një lloj alarmi që paralajmërtonte marrjen e masave ekstreme për të parandaluar një lëvizje të gjerë popullore antikomuniste në Shkodër. Funerali i tij, ku morën pjesë mbi 1 200 vetë shihej si një rrezik i madh për komunistët, të cilët sapo morën vesh lajmin e vdekjes dhe të funeralit që do të mbahej me 29 maj, u mobilizuan për të sabotuar pjesmarrjen e gjerë të njerëzve në funeralin e lamtumirës së arqipeshkvit Gaspër Thaci.

gasper

Këtë atmosferë e përcjellin një grup dokumentesh të Komitetit Qendror, ku jepen urdhëra dhe raportohen detaje të imtësishme për funeraline mbajtur në Shkodër me 29 maj 1946. Imzot Gaspër Thaci ishte Arqipeshkv i Shkodrës dhe primat i Kishës Katolike kur komunistët morën pushtetin në Tiranë. Së bashku me Imzot Prennushin, ai u thirr nga vetë Enver Hoxha dhe iu propozua që të ndërpresin marrëdhëniet me Romën, por ata e refuzuan.

Pas këtij refuzimi dhe pas një vale goditjesh që ju bënë klerit katolik në Shkodër, imzot Gaspër Thaçi i sëmurë dhe i vënën nën presion izolim të fortë dhe kontroll të vazhdueshëm me 25 maj ndahet nga jeta. Vetëm dy muaj më parë ai kishte përjetuar pushkatimet e kobshme të Atë Gjon ShllakunAtë Giovani Faustin e Atë Daniel Dajanin, bashkë me shumë civilë të tjerë.

Pas funeralit të 29 majit 1946 imzot gaspër Thaçi varroset në Katedralen e Shkodrës. Eshtrat e tija qëndruan aty deri në marsin e vitit 1967 kur, pasi u kthye në Pallat Sporti, do të treteshin pa ju ditur ende sot vendi i tyre. Më poshtë sjellim grupin e dokumenteve të Komitetit Qendror ku jepen detajet nga vdekja dhe funerali i imzot Gaspër Thacit.

Tepër-Urgjente vonesa shkakton përgjegjësi

Nr. 187/11

28 Maj 1946

Koçi Xoxes

Ka vdekur Gjip Rshevi* i Shkodrës. Nesër në mëngjez na ora tet bahet salikimi i trupit të tij. Me këtë rrast atodo të mundohen me e ba furneralin shum madhështor. Kanë pragatitë me thir sonte gjith rinin katolike sigurisht për furneralin e nesërm. Marrim informata se na populli katolik janë tue pregatit kurora, po kështu dhe ndër lagje. Do të thirren edhe nga krahinat si edhe nga …(nuk kuptohet sh.red)i prefektur ta e ter si Durrësit e Tirana. Ato kanë kërkue nga pushteti bandën muzikore e polic. Nuk asht çudi që famullit ndër krahina të bajnë axhitasion për me ardhë bashkë me popullin. Këtu ata kan favor se nesër asht dit tregu dhe ora tet asht e favorshme që nji pjesë populli o katolik si fshatar, zanatçi e tregëtar përpara se të filloj punë të shkoj atje kështu që një pjesë e tregut mund të mbyllet. Ktë përcjellje madhështore do të mundohen me shfrytëzye shumë tue e tregue lidhjen në popull, kundër nesh ata po mundohen me grumbullue sa ma shumë popull.

Kan hap parulla se do të vijnë nesër nga Tirana edhe tre gjenerala të Qeveris. Argji Peshkvi ia ka çue thirje për të marr pjesë në përcjellje komitetit ekzekutiv të prefekturës e të qendrës. Frontit, rinis, sindikatave, dhe ndonji entit tjetër. Ne do të mundohemi me e sabotue nga posht. Organizatat e partisë, shokët në takime me fshatar, mepuntor me të rinj dhe me shtresa të ulta e deri diku të mesme me lagje katolike, do të përpiqen qi kto shtresa të mos marrin pjesë në këtë funerral. Ne mund të shkëpusim në këtë mënyrë një pjesë të popullit të mos marrin pjesë, por ata janë tue punue mjaftë qi sidomos masat katolike të grumbullohen ditën e nesërme. Nga komiteti ekzekutiv ne jemi të mendimit me shkue dy shokë, kurse nga organizata e frontit nuk do të dërgojmë asnji delegat, gjithashtu vrejm se kush nesër do të mbylli dyqanet. Do të bëjmë ç’mos që me anë t’axhitasionjit mos mbyllen. Ne do të ngarkojmë dy ose tre shok qi të shkojn për me na raportue imtësisht zhvillimin e proçesionit. Lutemi qi përgjigjeja e juaj ose udhëzimet të jenë shumë të shpejta mbassi ne e shofim çështjen për nji veprim shum urgjent. Bilal Paruca *) mos don të thotë arqipeshkvi?

Shum urgjent

Radiogram

Spiro Panos

Shkodër

Nr. 906

Datë 28 Maj 946

Gjegje Radiogramit t’uej Nr. 187/II, dt. 28 Maj 946. Reaksioni aty do të përpiqet të shfrytëzojë vdekjen e arqipeshkvit me parulla politike dhe për punën atje përgjithsisht stop Juve mos veproni hapur, kundër pjesë-marrësve në varrim stop Pengoni punën e tyne me qëndrimin t’uaj (të partisë e të çdo organizate) pasif dhe indiferent. Mbi këtë çështje (mbi të vdekurin) me forcat t’ona dhe në rrethe të sigurta mund të flisni për mospjesë-marrëjen stop Mos tregoni shenja alarmi dhe sikur po vini të gjitha forcat për të sabotuar këtë stop Ruhuni nga nji punë që shkakton reakcion nga masat fanatike stop Vdekja të duket nji gja e zakonëshme stop Tregu dhe Zyrat të funkcionojnë, tregtarët, jo me forcë, por të mos prishin pazarin stop Kjo do t’ju thuhet nga ana e pushtetit stop Mund të mbyllë ndonjë që nuk ndëgjon, por t’i thuhet, që passi të mbarojë faljen ta çelë stop Policija të jetë si zakonisht për rregullin dhe qetësinë (por ca më tepër nesër) stop Nga pushteti të marrin pjesë dy tre veta në varrim, nga organizata të tjera jo stop Banda të mos shkojë stop Gjeneralët nuk marrin pjesë në çështjet fetare, të demaskohet parulla e tyre stop Autoriteti t’onë të duket në gjithë ditën dhe në varrim stop Çdo gjë që do të kalojë në çështjen e ditës si në fjalime ose në qëndrime, njerzit e pushtetit e të policisë, të informojnë me një herë përgjegjsit fetarë dhe t’ju thonë se kjo nuk tolerohet stop Edhe ditët e ardhëshme, duhet që demaskimi sistematik dhe i zgjuar të vazhdojë stop Gjithmonë të jini në dijeni të veprimtarisë së tyre stop

Koçi Xoxe

Nr. 187/12

28/V/46

Koçi Xoxe

Për sabotimin e ceremonisë së varrosjes së arshipeskovit vendosëm: lajmuam nxënsit e shkollave dhe puntorët e fabrikave që të jenë në mësime dhe në punë, nesër do të mbahen konferenca të ndryshme. Nëpunsat e pushtetit do të ndodhen në zyrë, fotografistat do t’i mobilizojmë e t’i dërgojmë me punë jashtë Shkodrës, kandidatët dhe rinija në asnjë mënyrë të mos rrinë. Ata mendojnë që trupin e arshipeskopit ta shëtisin në qytet, ne mendojmë të mos lejojmë por me mbrojtje, për këtë nuk veprojmë sa të na lajmëroni ju. Mund që një pjesë e dyqaneve katholikve të mbyllen.

Bilal Paruca

Nr. 187/13

29 Maj 1946

Koçi Xoxes

Në lidhje me t’uajën Nr. 906 datë 28 Maj 1946, Pjesëmarrja e masës në varrimin e Arqipeshkëvit ka qenë si më poshtë: Në shëtitjen e arkivolit nëpër rrugë rreth nji mij e dyqind vetave ktë për caktim: Fretën e priftër (nantdhjet), shtresa të larta e të mesme (tetë qind) të tjerët shtresa t’ulta ma tepër gra. Në kishë numuri qe rreth tri mijë po ktu kan shkuar mjaftë dhe për kurjozitet. Edhe ktu dallohen grat (ma se pesëdhjet për qind). Në rrugë s’ka patur as fjalime, as qëndrime, manifestimi qe i dobët po të marrim parasysh rastin. Kleri asht mundue të organizojë nji manifestim madhështor: priftrinj kanë shkuar në për popull duke nxitur të marë pjesë, kanë pregatit kunora vet duke i atribuar popullit lagjes; janë munduar të organizojnë nji kor të mirë, të mbyllin duqanet, ti japin ditës pamjen e nji zije. Nga shkolla mungonin gjithsej afër një qind veta nga të cilët gjymsat vajza të Donikës. Në fabrikat, pushtet shkolla e ku do puna ka vazhdu në rregull dhe nuk janë vrejtur mungesa të tjera. Gjat salikimit u mbyllën në të gjithë Shkodrën afro pesdhjet dyqane ma tepër në sektor katolik. Ne mendojmë se organizata mundi ta sabotojë deri diku përpjekjen e tyre e ti a humbasi vlerën manifestimit. Qëndrimi i ynë deri tash nuk asht komprometue. Fjalimi i mbajtur në kishë nga imzot Volaj ka patur ma tepër karakter politik sot në mëngjez ne organizuam konferenca ndër fabrika e shkolla mbi dëshmorin Manush Alimani. Sonte organizojmë në Kinema Rzafat nji mramje për kujtimore dhe nji manifestim të gjerë. Radioja dhe shtypi janë mobilizuar për këtë drejtim. Me shkresë do të japim hollësira për të dyja.

Spiro Pano

KOMITETI QARKOR I P.K.SH. VDEKJE FASHIZMIT

PËR SHKODRËN LIRI POPULLIT

Nr. 187/14 Shkodër më 30.V.1946

Komitetit Qendror të P.K.Sh.

T i r a n ë

Vijon radiogrami i ynë Nr. 187/13 dt.29.V.1946. Nga informatat e fundit që na erdhën, në lidhje me varimin e arqipeshkvit, shihet ky ndryshim: nga shkolla kanë munguar afro 140 veta dhe jo 100. Këta pas konferencave që u-zhvilluan në shkollë në mëngjes, për Manush Ali Manin, ikën dhe shkuan në Kishë (një pjesë, se një pjesë tjetër mungoi që në fillim). Këtu janë dalluar 5-6 nxënës që ne i njohim si kundërshtarë, për aktivitetin e tyre, për të larguar sa më tepër nxënës. Nxënsit dhe nxenset që janë larguar, kanë qenë të shtresave të larta ose të mesme, të njohura për qendrimin e tyre të ftohtë ose kundra nesh. Me gjith’atë shkolla vazhdoi mësimet në rregull dhe Drejtorija po studion marrjen e një mase disiplinore (përjashtim për ndonjë javë dhe thyerje sjelljeje) kundra atyre 5-6 ngatrestarëve, udhëheqës. Tregu ka vazhduar punën me rregullë dhe ato të 50 dyqane që u-mbyllën tek tuk, në mëngjes, u-çelën pas salikimit. Fotografista nuk qenë se ne disa i kemi dërguar për të fotografuar punë të botores e të bujqësis, kurse disa të tjerë me anë miqsh i bindëm të shikojnë më mirë punën e tyre. Kleri është përgatitur për një manifestim madhështor. Ata kanë përgatitur vënde të posaçme në Kishë për të dërguarit e Qeverisë, për Kryetarin e Kuvendit Popullor, për përfaqësuesit të Ushtris, të Pushtetit etj. Por ne e rregulluam punën në mënyrë që vanë vetëm dy nga pushteti (mbassi ata kanë thirrur edhe përgjegjësit e seksioneve), sekretari dhe kryetari dhe asnjë tjetër.

Ata kanë bërë gati mjaftë kurore dhe një pjesë në emër të disa lagjeve e të “Rinis Katolike”. Po këto kurora nuk i bëri as lagja as Rinija Katolike. Këto i bëjnë vetë priftërinj ose disa të rinj katolikë (studenta) kundërshtarë. Këjo ndodhi pse shokët t’anë nuk ndërhynë shpejt, nuk muarën një qendrim që në fillim për t’a ndaluar atë që bënte kurorat të hartoj sende në emër të lagjes e të rinis, mbassi si lagjen si rinin e përfaqëson Fronti dhe BRASH-i. Ai që ka bërë kurorat dhe vetë ata të rinj do të thirren nga Fronti e nga BRASH-i dhe do t’u kërkohet llogari.

Ne mendojmë t’i demaskojmë këto veprime të tyre, pa prekur Arqipeshkvin. Me anë të shokëve që kemi në bandë, ndaluam shkuarjen e saj në salikim. Kjo ia humbi edhe më vlerën manifestimit që përgatisnin ata. Një tjetër gjë që e largoj masën nga manifestimi qe drejtimi i propagandës s’onë me anë të Radios për përkujtimin e manushit, me anë parullash e komentesh të shkurtra, ku vihesh në dukje trathtia e P. Antonit e disa Priftrinjve të tjerë dhe bashkpunimi i tyre me Gestapon. Në këtë mes vumë në dukje dhe dëshmorët katolikë Tom Kola, Ndoc Mazi etj. Fshatarë nuk erdhën dhe ndonjë që ishte nisur të vente, u-kthye nga rruga nga ndonjë shok, i cili e bindi të shikoj punën e tij në pazar (pse qe dhe ditë pazari).

Në këtë përpjekje që bënë shokët për të prishur përgatitjen e priftrinjve e të nxënësve katolikë kundërshtarë për mobilizimin e masës, u-vrejt dhe ndonjë gabim (ndonjë formë imponimi) po këto qenë fare të pakta. Puna më e madhe u-bë me axhitacion, me anë të miqve t’anë, me anë të vazhdimit të rregulltë të punës nëpër fabrika e pushtet. U-kuptua diçka nga ata se ne u-përpoqëm t’ua sabotonim këtë punë: dhe kjo në lidhje me mos vajtjen e bandës, me mos vajtjen e njerëzve të tjerë të Ushtris, Frontit etj, në vazhdimin e punës kudo, në një kohë që ata prisnin që vetë ne të provokonim pushimin. Qendrimi i ynë kudo ka qenë sikur të kish vdekur një njeri i zakonëshëm. Fjalimi që mbajti në Kishë Imzot Volaj, kishte më tepër karakter politik se sa fetar. Ai e lidhi të vdekurin me përpjekjet për ngritjen e flamurit në Pukë dhe për kujesin e tij për Shqipërinë. Por ai e paraqiti një herë si kastolik Roman e pastaj Shqiptar. Mbrëmë ne organizuam mbrëmjen përkujtimore për Manush Ali Manin. Pjesmarrja e popullit qe e mirë, kinemaja e mbushur plotë (dalloheshin familjet e dëshmorëve, shtresa të varfra e të mesme, djem e vajza).

Mirë po, me gjithë gjallërin e masës, shoku i ngarkuar për të folur (Agim Bejleri, antar i qarkorit të rinisë) dolli fare i papërgatitur. Fjalimi i tij qe jo i lihur, jo prekës dhe shumë i thatë. Ai la përshtypjen e një papërgatitjeje të plotë. Kjo mënd na kushtoi dështimin e manifestimit që përgatisnim. Ky bëri një gabim dhe për këtë iu-hoq vrejtja nga Komiteti Qarkor, mbassi ai e dinte rëndësin e kësaj mbrëmjeje dhe mbassi kishte mundësi të paraqitej shumë më mirë. Fjalimi i tij qe demobilizonjës (na vuri në gjumë) në një kohë që duhesh t’ishte më se mobilizonjës. Këtu ka gabim dhe Cirili i cili duhesh t’a kontrollonte shokun para se të fliste e t’a detyronte t’a bënte fjalimin me shkrim, kur nuk qe i aftë për të folur me shënime.

Me gjith’atë, recitimet që u-bënë pas fjalimit qenë të mira, kori këndoi mirë dhe shumica e shokëve dijtën t’a drejtojnë mirë masën. Manifestimi vazhdoi nëpër rrugë gjer në orën 10 të natës. Nëpër rrugët e lagjet katolike të qytetit, u-mbajtën fjalime nga shokë të tjerë ku u-vu edhe një herë në dukje heroizmi i shokëve t’anë dhe trathtia e klikave Ball-LegalitetP.Anton e klerikë të tjerë katolikë (duke u theksuar emrat e tyre). Manifestimi nëpër rrugët ka qënë i gjallë dhe pjesmarrja e popullit mjaft e gjërë.

Kemi lajmëruar organizatën të ketë kujdes në lidhje me ndonjë parullë të re. Ne do t’mundohemi të marrim vesh opinionin e popullit mbi këtë çështje, do të demaskojmë çdo shpifje ose parullë të kundërshtarëve. Sot puna vazhdon me rregull dhe nuk ndihet asgjë.

1.Komitetin Qarkor të Partisë

(Spiro Pano)

(firma, vula)

Burimi:AQSH, F.14, V.1946, D.50

Kujto.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura