“Gjirokastra qyteti me ‘pullë të kuqe'”, kreu i Emergjencave Civile: Zonat më të rrezikuara janë…

Oct 20, 2018 | 10:47
SHPËRNDAJE

Gjirokastra është një nga qytetet më të rrezikuara në vend nga fatkeqësitë natyrore. Këtë fakt e ka deklaruar kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, në një takim në prefekturën e këtij qyteti.

Mësohet se është akorduar një fond prej mbi 85 milionë lekësh që do të mundësojë nisjen e punimeve rehabilituese për një nga lagjet më të rrezikuara, “Kodra e Shtufit”. Çako e cilësoi Gjirokastrën si një qytet me “pullë të kuqe” që nënkupton shkallë të lartë rrezikshmërie.

“Gjirokastra është e rriskuar nga përmbytjet, edhe për shkak të infrastrukturës dhe sistemit, ndaj ka qenë në dritë të kuqe. Lagjja ‘Cfakë’ dhe ‘Kodra e shtufit’ janë dy zona problematike, që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme”, u shpreh ai. Për kreun e Emergjencave Civile, projektligji i ri i mbrojtjes civile do të bëjë përshtatjen me vendet e tjera të Bashkimit Europian, duke e bërë Shqipërinë pjesë të mekanizmit të Unionit Europian.haki-cako2

Më tej, Çako theksoi se Shqipëria është një vend me risk shumë të lartë, përsa i përket fatkeqësive natyrore dhe kjo për shkak të ndërhyrjes njerëzore në mënyrë të paligjshme. “Prerja e pyjeve, shkatërrimi i shtratit të lumenjve, ndërhyrjet e ndërtimet pa kriter janë shkaqet kryesore të këtyre fenomeneve natyrore, me pasoja të jashtëzakonshme”, pohoi Çako.

Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami, theksoi se Bashkia e Gjirokastrës është në zbatim të rekomandimeve të lëna nga Instituti i Gjeologjisë për marrjen e masave të menjëhershme që synojnë uljen e rrezikshmërisë në zonat më të rrezikuara. “Jemi në zbatim të këtyre rekomandimeve të lëna nga Instituti i Gjeologjisë për ndërhyrje emergjente si në lagjen ‘Punëtore’ edhe te ‘Kodra e Shtufit’.

Po konsultohemi për një projekt rehabilitues në kodrën e lagjes ‘Cfakë’ dhe kalasë së Gjirokastrës që të garantohemi për problemet e këtyre fenomeneve natyrore”, u shpreh Rami. Një fond prej mbi 85 milionë lekësh do të mundësojë nisjen e punimeve rehabilituese në lagjen “Kodra e Shtufit”, ku katër katet e para të një pallati tetëkatësh u përmbytën nga balta.

Sipas kryebashkiakes Rami, punimet në këtë kodër priten të fillojnë brenda këtij 10-ditëshi, ndërsa ka përfunduar hartimi i projektit teknik dhe aktualisht po bëhet përzgjedhja e firmës fituese për realizimin e investimit dhe të fillimit të punimeve. Plot 16 banesa u rrezikuan vetëm në qytetin e Gjirokastrës si pasojë e rrëshqitjes së dherave në muajt janar dhe shkurt të këtij viti. Disa banesa në lagjen “Cfakë” pësuan plasaritje të tyre, duke detyruar banorët të bëjnë evakuimin e menjëhershëm nga banesa 8 muaj më parë, ndërsa dëmtime të shumta pati në ujësjellës dhe argjinatura, krahas bllokimit të disa segmenteve në akset kryesore nacionale Gjirokastër – Kakavijë dhe Tepelenë – Gjirokastër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura